Ilir Meta: Shqipëria mund të ecë më shpejt drejt çeljes së negociatave

448
Presidenti Meta reagon ndaj Presidentit Grek, Pavlopulos
Çështja çame ka ndezur debate të shumta mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku tonet janë nxehur dhe replikat në distancë duket që nuk i bëjnë aspak mirë fqinjësisë. Ka qenë reagimi i parë i presidentit të Greqisë Prokopis Pavlopulos, i cili para disa ditësh e ka konsideruar si të pakuptimtë shtrimin e çështjes çame nga Shqipëria në kohën kur kërkohet perspektiva evropiane. Presidenti grek, ka deklaruar se “është e pakuptimtë që udhëheqja e Shqipërisë të shtrojë çështjen e Çamërisë”, dhe ka shtuar që “nëse Shqipëria dëshiron të ketë perspektivë evropiane, më mirë të mos kujtojë se çfarë konsiston historia e të ashtuquajturve çamë gjatë mizorisë naziste në Greqi”. Pavlopulos i ka bërë këto deklarata gjatë një ligjërate para oficerëve të shtabit të aviacionit dhe të armatës së parë, në Larisa. Nuk ka munguar edhe reagimi i presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta i cili e ka theksuar se këto deklarata nuk janë në sintoni më mesazhet dhe angazhimet publike mes ministrave të jashtëm të vendeve respektive, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias. “Spektri i bashkëpunimit midis dy vendeve është i gjithanshëm dhe me rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për vendet tona, por mbi të gjitha për popujt dhe njerëzit tanë.”, ka theksuar në fjalën e tij presidenti Ilir Meta. Meta u shpreh se mund të ketë edhe çështje të caktuara për të cilat mund të ndajmë qëndrime të ndryshme. Gjithashtu presidenti u shpreh: “Kjo nuk do të thotë të humbasim qetësinë në komunikimin me njëri-tjetrin dhe as, për këtë, arsye të cenojmë, bashkëpunimin e gjithanshëm dhe jetik për të dy vendet dhe popujt tanë. Partneriteti nuk është thjesht një koncept dhe një dokument por në radhë të parë është një mënyrë komunikimi bazuar edhe në respektin reciprok.” Por duket si një bisedë e zhvilluar në distancë mes dy homologëve dhe pas deklarimeve të Metës ka ardhur edhe reagimi i dytë i presidentit Pavlopulos, i cili kërcënon Shqipërinë duke u shprehur se ‘po rrezikon të ardhmen në BE’. “Udhëheqja shqiptare bën gabim të madh që mbështet të drejtat e disave që ishin bashkëpunëtorë të nazistëve. Nuk mund të kesh aspirata evropiane dhe të kërkosh të drejtat e bashkëpunëtorëve të nazistëve. Kur Tirana të ketë një qëndrim tjetër, atëherë Greqia është këtu për ta ndihmuar vendin fqinj për në BE” – ka deklaruar ai.
Sigal