Përgjimet/ Rama shfaqet i tensionuar dhe sulmon mediat: I keni bërë nënën vendit… Pijuni lëngun përgjimeve !

175
Sigal

Në një konferencë për shtyp nga kryeministria, Edi Rama më në fund foli për përgjimet e anti-mafias italiane, ku persona të lidhur me grupin mafioz të Ndragetës, flasin për leje ndërtimi në Tiranë, tendera në Shqipëri dhe korruptim të krerëve të policisë.

Siç ndodh zakonisht, kryeministri sulmoi mediat që kanë publikuar përgjimet, duke deklaruar se mediat “i kanë bërë nënën vendit”, një shprehje që e përsëriti disa herë gjatë fjalës së tij të tensionuar.

Rama deklaroi me përgjegjësi, se mafiozët nuk kanë fituar asgjë në Shqipëri, përveç hapjes së një dyqani rrobash.

Pjesë nga fjala e Edi Ramës për përgjimet italiane:

Në fakt do t’ju zhgënjej pasi nuk do të them që për këtë do të flasë drejtësia, pasi në këtë rast ka folur plotësisht grupi hetimore italian, dhe po ua lexoj juve që keni për detyrë të informoni publikun dhe jo të ushqeni tymnajën me llafe dhe muhabete e dëngla njerëzish.

Sipas Prokurorisë italiane që po e citoj: Pas më shumë se një viti udhëtimesh në Tiranë, për investime që do të bëheshin në Shqipëri ata dështuan totalisht, dhe i vetmi investim që bën ishte ai për një dyqan rrobash pune, që doli kryesisht me humbje.

Ky është citim nga konkluzionet e Prokurorisë italiane. Ky është një turp që i mëshiron më së miri ata që e ushqejnë këtë lloj qasje, dhe mendjen për t’ia bërë nënën këtij vendi e kanë prioritet.

Nuk ka asnjë fakt, asnjë lidhje, asnjë provë, asgjë. Është e neveritshme dhe unë realisht nuk kam asgjë për të thënë për këtë. Merrni të gjitha ato mijëra faqe, pijuani lëngun, për t’i bërë shqiptarët për të vjellë.

Kjo për mua është një provë spekatakolare e katandisë së opozitës dhe të medias. Nuk e imagjinoj dot një vend normal, ku një njëri ka në dorë një mikrofon, të marrë kohë nga koha e njerëzve për t’ju hedhur në fytyrë këtë lloj gjellë budallallëku dhe poshtërsie.

Çfarë t’ju them? Që nuk kam takuar asnjëherë njerëz të tillë? Është e kotë. Çfarë të them?

Është një turp që ta mbajnë ata që e kanë. Bëhet për të krijuar avantazhe, politike, influence nga ata që i kanë bërë nënën këtij vendi. Çfarë të them. S’kam çfarë them.