Gurra: Nuk e kam dhënë unë lejen e legalizimit

    364
    Sigal

    Reagimi i kreut të ALUIZNI-t Elbasan pas denoncimit të z. Flamur Harri

    Pas botimit të shkrimit me titull “Elbasan, padi penale për kreun e ALUIZNI-t

    …” në gazetën “Telegraf” të datës 11 tetor, vjen dhe reagimi i drejtorit të ALUIZNI-t Elbasan, z. Kastriot Gurra. Në këtë shkrim bëhet e ditur se shtetasi Flamur Harri, ka dorëzuar në Prokurorinë e Elbasanit një padi penale ndaj kreut të ALUIZNI-t, Kastriot Gurra dhe 6 zyrtarëve vartës të tij, me pretendimin se, “kanë legalizuar në truallin tim të ligjshëm, duke bërë pronar një person tjetër, që nuk ka lidhje aspak me mua dhe pronat e mia”. Së pari, z. Gurra, kërkon të specifikojë objektin e punës së ALUIZNI-t, duke cituar edhe ligjin për legalizimet. “Ju, i nderuar zotëri, duhet të dini se objekti i ligjit nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa leje” është : a) legalizimi i ndërtimeve informate dhe i objekteve pa leje me shtesa informate në objekt; b) kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, ku është ngritur ndërtimi pa leje; c) urbanizimi i zonave, blloqeve informate e të ndërtimeve informale, si dhe integrimi i tyre në zhvillimin territorial dhe infrastrukturor të vendit, duke përmirësuar kushtet e jetës dhe si i tillë edhe veprimtaria e punës tonë si institucion është konform këtij ligji dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij”, thuhet në letrën e drejtorit të ALUIZNI-t Elbasan, drejtuar redaksisë së “Telegraf”. Nuk kuptohet qartë se pse vjen citimi i ligjit për legalizimet nga ana e z.Gurra, ndërsa institucioni që ai drejton, në rastin e z. Flamur Harri është në kundërshtim të plotë me legjislacionin shqiptar, pasi nuk mund të japësh asnjë vendim (në këtë rast leje legalizimi), nëse çështja e pronës, mbi të cilën edhe është ndërtuar pa leje, është në gjykatë (aktualisht çështja është në Gjykatën e Lartë). Ky ka qenë dhe objekti i padisë së z. Harri për ALUIZNI-n e Elbasanit, pasi ai çdo herë ai ka vënë në dijeni drejtuesit e ALUIZNI-t për të mos kryer asnjë veprim zyrtar në pronat e tij, pa u shprehur gjykata.

    Gjithashtu, z. Gurra, kërkon të saktësojë se leja e legalizimit është dhënë në vitin 2012, periudhë në të cilën ai nuk ka qenë drejtues i ALUIZNI-t Elbasan. Por, z. Gurra harron se ALUIZNI është institucion shtetëror (jo privat), i cili ka një vijueshmëri dhe nuk është krijuar sot dhe si i tillë është drejtuesi aktual i cili do të përballet me gjithë problematikat që ai mbart.