Dr. Ajli Alushani/ Shqipëria dhe Serbia, koha për të parë drejt së ardhmes

1006
Sigal

Populli ynë nuk i përzien ekstremistët nacional shovinist ose grupet e huliganëve dhe tifozëve me popullin serb

Populli ynë nuk i përzien ekstremistët nacional shovinistë ose grupet e huliganëve dhe tifozëve të sëmurë me popullin serb. Qindra apo mijëra, bile edhe dhjetëra mijëra ekstremistë të turbulluar nga ide patologjike e me shpërthime të pakontrolluara nuk mund të përfaqësojnë kurrë popullin 10 milionësh serb. Siç do popull, ai është një popull punëtorë e liridashës që ka hallet e tij të ditës për të përballuar jetën, lidhur me punën, ushqyerjen, jetesën n ë botën e sotme me kaq shumë probleme e sidomos pas vuajtjeve që ndodhën gjatë shpërbërjes së vështirë të Jugosllavisë.

Populli serb dhe Serbia nuk kanë kohë dhe as nuk mund të durojnë dhe përballojnë këto shfaqe ekstremiste nëpër stadium apo rrugë të saja. Populli shqiptarë në historinë e tij ka patur dhe raste te tjera kur është përballuar e ka vuajtur direkt nga të tilla shpërthime më të mëdha akoma që i kanë rrezikuar edhe ekzistencën siç ndodhi me fashizmin gjatë luftës së dytë. Por qysh atëherë e më vonë në politikën, edukimin dhe ecurinë tonë në kemi ditur të veçojmë grupet dhe partinë fashiste nga populli i vendit, ku ai lindi. Përkundrazi ne e quajtëm atë sëmundje të asaj kohe prej nga vuajtën jo vetëm populli ynë, por edhe populli i vendit të vet. Në këtë kuptim dhe në bazë të këtij parimi ne formuluam marrëdhënie dhe politikën me vendet e tjera dhe fqinjët tanë. Nuk kemi lejuar kurrë që politikën dhe marrëdhëniet paqësore midis popullit tonë dhe popujve fqinjë të influencohen nga veprimet ekstremiste te grupeve apo edhe partive të tilla ndonjëherë siç ka ndodhur në të kaluarën. Historia dhe përvoja na kanë mësuar që të vlerësojmë edhe drejtuesit e vendit tonë dhe vendeve fqinjë në bazë të këtij qëndrimi. Popujt janë të përhershëm kurse drejtuesit e tyre janë të përkohshëm, përkon që ata zgjidhen. Përsa kohë janë të tillë ata duhet të përfaqësojnë gjithë popullin dhe jo grupe të veçanta dhe nuk duhet të dalin nga orientimi dhe raportet që popujt me mundime e përpjekje të paprera kanë vendosur që prej shekujsh midis tyre. Populli shqiptar dhe serb janë këtu prej shekujsh, fqinj, ju është dashur shpesh të luftojnë të njëjtët armiq që kanë dashur të invadojnë vendet tona dhe kanë krijuar, si dhe me popujt e tjerë fqinj, realitete që janë sot e kësaj dite në Ballkanin e sotëm. Këta popuj kanë formuar identitetin dhe personalitetin e tyre në të gjitha fushat. Me veprime të përbashkëta, pa përjashtuar edhe ndonjë përplasje ndonjëherë siç ndodh midis fqinjëve, kanë krijuar realitetet e tyre historike e gjeografike siç janë sot, të pranuara tashmë nga vetë popujt e kësaj zone të karakterizuara nga respekti i ndërsjellët i veçorive, traditave, zakoneve, sipas vendeve, etnive e minoriteteve. Shpërbërja e Jugosllavisë solli në një gjendje që popujt të cilët nuk ndjeheshin të lirë në atë formacion të krijuar forcërisht në periudha luftë, të marrin statusin e tyre historik, tradicional, kulturorë, fetar, zakonor e gjeografik duke i dhënë gadishullit tonë, pas një lëkundjeje, stabilitetin më të mundshëm solid me mundësi zhvillimi të gjithë anshëm bashkëpunimi paqësorë. Kjo është dëshirë e pamposhtur dhe e paprekshme për çdo popull. Popujt nuk duan grindje, nuk duan luftë. Ndër shekuj është treguar kjo, ato janë quajtur fatkeqësi kur kanë ndodhur dhe kurrë nuk mund t’u faturohen popujve si shkaktarë. Në radhë të parë këtë duhet ta kuptojnë drejtuesit e këtyre vendeve që fatmirësisht janë të përkohshëm, për sa janë zgjedhur. Ata duhet ta kuptojnë se janë përfaqësues të të gjithë popullit, të dëshirave të tij dhe jot ë qarqeve e grupeve ekstremiste nacional-shoviniste agresive që kurrë nuk janë aq sa ç’është populli i tyre. Kur drejtuesit e vendeve të ndryshme takohen herë pas here shprehin dëshirën e popujve të tyre që gjithnjë është paqësore, bëjnë dhe marrëveshje që të bashkëpunojnë më tej në të mirë të vendeve të tyre në emër të së mirës dhe jot ë grupeve agresive që fshihen nën maskë për të mos i parë populli vetë, nga frika por dhe nga turpi për veprimet e paligjshme që kryejnë në dëm të vendeve. E parë në këtë kuptim z.Edi Rama është i detyruar të shkojë në Beograd përsa është i ftuar. Ai do të shprehi gjatë vizitës ato ndjenja që ka populli shqiptar në tërësi për popullin serb, duke lënë mënjanë pakënaqësitë dhe idetë e grupeve të veçanta, duke theksuar se populli ynë nuk përzien ndjenjat e fqinjësisë së mirë dhe respektit për popullin serb me veprimet e grupeve okulte, nacional-shoviniste e huligane që ndonjëherë duken në stadiume apo rrugë. Ne jemi të sigurt se ato grupe nuk aprovohen nga populli i mirë, i thjeshtë e punëtorë serb që nuk do luftë por paqe. Kryeministri ynë me gojën e tij direkt dhe në emër të popullit që ai drejton do ta sigurojë popullin mik serb se nga ana e popullit shqiptar kudo që ai jeton buron vetëm paqe, miqësi, dashamirësi që kurrë nuk do të influencohet nga veprimet ekstremiste. Po këtë ai do ta kërkojë dhe nga populli serb që reciprokisht të jetë vigjilent ndaj veprimeve ekstremiste dhe të gjithë bashkë të ruajmë paqen në Ballkan, të ruajmë veten, fëmijët, gratë dhe të sigurojmë arritje të pandërprera për popujt tanë duke bashkëpunuar e jo duke u grindur. Kjo është dëshira që historia na ka mësuar e dëshmuar, kjo është dëshira që realitetet e sotme këtu në Ballkan na detyrojnë. Të mos biem pre e provokimeve që nuk dihet se nga vijnë e që janë jashtë dëshire të popujve tanë. Të mos harrojnë se teoria e bashkekzistencës paqësore vërtetë u shpreh nga Nikita Hrushovi në 10-vjeçarin e parë pas Luftës së Dytë, por ishte një praktikë e vërtetë gjatë gjithë aktivitetit të Josiph Brose Titos në marrëdhëniet e tij me gjithë botën dhe midis vendeve të Ballkanit. Ne duam paqe dhe qetësi që të punojmë dhe përmirësojmë jetën e popujve tanë, duke u ruajtur nga ekstremizmit që janë të përkohshme e s’kanë të bëjnë me dëshirat dhe qëllimet e vërteta të popujve tanë. Kjo i shërben të ardhmes tonë ballkanike dhe europiane, strategji që tani ka filluar të përvijohet.

Traditat mes popujve

Unë mendoj se drejtuesit e Serbisë sipas traditës së njëjtë që kemi si popuj fqinj do të dinë të shprehin ashtu siç u takon dëshirën e popullit serb për të patur e pritur mikun shqiptar aq më tepër që kjo ftesë e tyre është e një rëndësie të veçantë për paqen në Ballkan e Botë në këtë periudhë të shqetësuar ndërkombëtare e të mbarsur me rreziqe. Populli serb dhe shqiptar si të gjithë popujt e tjerë duhet të shtojnë vigjilencën secili ne vendin e vet për të mos lejuar grupet e veçanta të destabilizojnë ekuilibrin e mezi arritur midis vendeve tona që është i vetmi interes për ne. Secili nga vendet tona ka mundësi për ti zgjidhur brenda vetes këto probleme, pa influenca të jashtme , me forcat e veta intelektuale, mediatike etj..  Sigurisht, kur ne dëgjojmë sulme të veçanta në adresën tonë na vjen keq dhe e shprehim këtë keqardhje siç bëri kryeministri ynë, por këto mbeten çështje të brendshme të çdo vendi dhe kemi besim se ato nuk do të mund të influencojnë marrëdhënien e përgjithshme që duhet të jetë mirëkuptuese dhe premtuese. Nga ana tjetër ne duhet të ruhemi nga influencat që vijnë nga jashtë vendeve tona nga grupe më të mëdha dhe interesa vendesh të tjerë që tentojnë e mund të kenë për qëllim destabilizimin. Më duket aktuale thirrja e Julios Fucik në prag të luftës së dytë: “Popuj jini vigjilent”. Mos ta harrojmë këtë dhe të vlerësojmë shpërthimet e grupeve ekstremiste e terroriste që po ndodhin sot në botë si një rrezik madhorë për paqen e përgjithshme.