Myqerem Tafaj/ Qeveria Rama ul drastikisht kuotat dhe rrit tarifat me 20 % për studimet Master

*Ish ministër i Arsimit

Më në fund, Qeveria Rama shpalli kuotat dhe tarifat për studimet e ciklit të dytë në universitetet publike. Vendimi i Qeverisë parashikon një ulje prej 30 deri 40 % të kuotave për studimet e ciklit të dytë në drejtimet e Masterit të Shkencave dhe Masterit Profesional me kohë të plotë. Për vitin e ri akademik 2014-2015 janë miratuar gjithsej 12 940 kuota (6 547 kuota për drejtimet Master i Shkencave dhe 6393 kuota për drejtimet Master Profesional), krahasuar me 25 062 kuota (9 492 në Master i Shkencave dhe 10860 në Master Profesional me kohë të plotë, 4 710 kuota në Master Profesional me kohë të pjesshme), të miratuara nga Qeveria paraardhëse për vitin akademik 2013-2014. Nga ana tjetër, Qeveria Rama ka rritur shumë koston e studimeve. Tarifa e studimeve është rritur 14 – 20 %! Studentët që regjistrohen për herë të parë në këtë vit akademik, do të paguajnë 65 000 deri 135 000 lekë të reja në vit për studimet e Masterit të Shkencave, dhe 45 000 deri 64 000 lekë të reja në vit për studimet e Masterit Profesional. Qeveria do të mburret se ka mbyllur edhe 24 programe Master Professional dhe 8 të tilla në Masterin e Shkencave. Programet e mbyllura i përkasin kryesisht universiteteve publike rajonale dhe ndoshta nuk kanë tërhequr studentë.

Sigal

Ulja e kuotave, gjysma e studentëve ngelen pa master

Ulja drastike e kuotave të studimit për ciklin e dytë të studimeve (Master) u heq të drejtën legjitime mijëra studentëve, që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë (Bachelor), të vijojnë studimet e ciklit të dytë në universitetet publike. Duke u nisur nga kuotat e studimeve të ciklit të parë (Bachelor) të akorduara në katër vitet e fundit në universitetet publike, numri i studentëve, që kanë përfunduar këtë vit studimet e ciklit të parë (me kohë të plotë dhe të pjesshme) në universitetet publike, dhe presin të filllojnë studimet e ciklit të dytë duhet të jetë mbi 25 000 veta. Kjo do të thotë se, së paku gjysma e studentëve nuk do të kenë mundësi reale të vijojnë studimet e ciklit të dytë, as në drejtimet e Masterit Profesional.

Kriteri i notës mesatare shton të papunët

Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon notën mesatare 6 të studimeve Bachelor si kriter kryesor pranimi në studimet e ciklit të dytë vetëm në universitetet publike. Qeveria do të mburret se këtë kriter e vendos për të rritur cilësinë e studimeve të ciklit të dytë. Nëse është kështu, atëherë këtë kriter duhet ta bënte të detyrueshëm edhe në arsimin e lartë privat, çka nuk e ka bërë. Ky është një kriter që bie në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për arsimin e lartë, kur bëhet fjalë për ciklin e dytë të studimeve universitare të formës Master Profesional. Legjislacioni në fuqi për arsimin e lartë e konsideron Masterin Profesional si formën kryesore të studimeve të ciklit të dytë, e cila duhet të tërheqë pjesën më të madhe të studentëve që përfundojnë studimet Bachelor, nëse nuk arrijnë të punësohen me formimin e fituar në ciklin e parë. Ndërsa, studentët me rezultate më të larta në nivelin Bachelor, duhet të kenë mundësi të ndjekin studimet e Masterit të Shkencave. Pra, ligji në fuqi nuk i kufizon të drejtën asnjë studenti, që ka përfunduar ciklin e parë të studimeve, për të vijuar studimet në ciklin e dytë të Masterit Profesional. Në kushtet e një papunësie kaq të lartë në vendin tonë dhe të një tregu pune ende të papërgatitur për të thithur të diplomuarit në nivelin Bachelor, të rinjtë kanë vetëm dy rrugë, ose të vijojnë studimet universitare në ciklin e dytë, ose të qëndrojnë pa punë.

Sigurisht, të rinjtë mund të aplikojnë edhe në institucionet private të arsimit të lartë. Por këtë mundësi mund ta shfrytëzojë vetëm një numër i vogël studentësh për dy arsye kryesore: Së pari, varfëria po rritet me shpejtësi dhe familjet shqiptare nuk kanë asnjë mundësi të përballojnë tarifat e larta të shkollave private për studimet Master. Ndërsa për studentët e rretheve kjo bëhet akoma më e vështirë për shkak të shpenzimeve të larta të jetesës në Tiranë. Së dyti, Kryeministri dhe gjithë qeveria e tij i kanë etiketuar diplomat e fituara në arsimin e lartë privat si pa vlerë për punësim, çka ka bërë që të rinjtë dhe prindërit e tyre të humbasin besimin tek ky sektor dhe, për rrjedhojë, të rinjtë e kanë shumë të vështirë të vendosin për të studiuar në shkollat e larta private, edhe kur i kanë mundësitë financiare. Kjo politikë tejet kufizuese e kësaj qeverie për aksesin në studimet universitare të ciklit të dytë bie ndesh edhe me frymën e Procesit të Bolonjës, që zbatohet prej gati 15 vitesh në rreth 50 vende të botës dhe Shqipëria ka aderuar në këtë proces në vitin 2002. Nëse ky proces do të ishte kuptuar dhe zbatuar me synimin për të kufizuar të drejtën e të rinjve për të vijuar studimet universitare në ciklin e dytë, atëherë Procesi i Bolonjës do të ishte një kthim prapa, sepse, në planin afatgjatë, do të çonte në uljen e nivelit mesatar të shkollimit të qytetarëve dhe të forcave aktive për punë. Përkundrazi, zhvillimi i shpejtë i dijes dhe teknologjisë, ekonomia dhe shoqëria e mbështetur në dije e shekullit XXI kërkojnë rritjen e nivelit mesatar të shkollimit të popullsisë përmes shkollimit të mesëm, të lartë dhe atij gjatë gjithë jetës. Nëse qeveria është e vendosur të kufizojë të drejtën e të rinjve për të ndjekur studimet universitare në ciklin e dytë, atëherë shtrohet një çështje thellësisht parimore, e cila kërkon përgjigje të menjëhershme. Kjo çështje ka të bëjë me atë, nëse kjo Qeveri e pranon modelin e studimeve universitare sipas Procesit të Bolonjës? Nëse jo, atëherë duhet të deklarojë se do të kthehet tek modeli i vjetër i studimeve universitare të diplomës katër- apo pesëvjeçare.

Tarifa e studimeve

Vendimi i Qeverisë Rama ka rritur shumë koston e studimeve universitare të ciklit të dytë, jo vetëm përmes rritjes së tarifës së studimeve me 14 deri 20%, në krahasim me një vit më parë, por edhe duke shtuar një barrë tjetër. Nëse studentët nuk përfundojnë studimet brenda kohës normale të parashikuar në ligj të studimeve, vendimi parashikon dyfishimin e tarifës për çdo kredit (ECTS) të lëndës/modulit të pa përfunduar.

Ky është një kriter tejet arrogant dhe me efekte të shumta negative, sepse dihet që mbi 60 % e studentëve të universiteteve publike nuk i përfundojnë studimet brenda kohës normale të parashikuar (2 vite për Masterin e Shkencave dhe 1.5 vite për Masterin Profesional). Ky vendim rëndon aq shumë koston e studimeve, saqë i bën studimet e ciklit të dytë të papërballueshme për pjesën dërmuese të studentëve, çka nënkupton kufizimin e aksesit në shkollimin e lartë të ciklit të dytë për të rinjtë e familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Këtij problemi i kushtoi një rëndësi të veçantë Komisioni Europian në një raport të tij të këtij viti (Maj 2014). Nga ana tjetër, vendosja e këtij kriteri do të shtojë presionin mbi pedagogët për të ulur kërkesën e llogarisë dhe kaluar fiktivisht studentët. Kritere të tilla vihen në vende shumë të zhvilluara dhe me sisteme arsimore shumë të konsoliduara, si dhe që zbatojnë tarifa shumë të ulëta të studimeve universitare.

Vendosja me anë të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave e kriterit të dyfishimit të tarifës pas kalimit të kohëzgjatjes normale të studimeve, edhe për studentët që janë në proces, i jep vendimit një veprim prapaveprues, çka është në kundërshtim me ligjin.

Duhet të kujtojmë se tarifat e studimeve të ciklit të dytë në universitetet tona publike janë shumë afër kostos së studimeve dhe rritja e mëtejshme e tyre kufizon shumë të drejtën e shkollimit në këtë nivel për të rinjtë e shtresës së varfër dhe asaj me të ardhura të mesme të popullsisë. Kjo sepse, vendi ynë nuk ka ende një sistem bursash për ciklin e dytë të studimeve, apo një sistem favorizues të kredisë studentore. Më të prekur nga ky kufizim janë studentët që banojnë në qendrat studentore apo në banesa me qira, sidomos në Tiranë. Për këtë kategori të studentëve shpenzimet totale janë mbi 250 000 lekë të reja për një vit studimesh të ciklit të dytë. Kjo është një kosto shumë e lartë, edhe për një familje me të ardhura të mesme, pa folur për familjet me të ardhura të ulëta. Aktualisht, shumë familje marrin kredi me interesa shumë të larta në banka për të përballuar studimet universitare të fëmijëve të tyre.