Gjon BRUÇI/ Shqipëria, si shtëpia e Nastradinit!

    397
    Sigal

    Jam pak më poshtë Hotit! Një malësor nga Hoti (fshat i Malësisë së Madhe) zbret në shehër për çdo punë të familjes. Shkruajta “sheher” në vend të “qytet”, sepse bëhet fjalë për kohën e pushtimit turk. Puna e parë, u fut tek berberi t’i jepte një “tegel” mjekrës. Berberi, pasi i vendosi pecetën, mori furçën e sapunin dhe nisi ta shkumonte. “Unë jam prej Hotit, or mik dhe rruhem pa lagun”, foli malësori dhe vështroi krenar drejt pasqyrës që kishte para hundës. Berberi, nuk bëzani, por përlau briskun dhe e lëshoi mbi mjekrën e malësorit si sëpatë, sa këtij të fundit i lëshuan xixa sytë. “Dëgjo, or mik…të them të drejtën unë nuk jam bash prej Hotit, por më poshtë tij …”.

    Personazhi i episodit në shkrimin tim, është ministrja e Mbrojtjes zonja Kodheli, një grua e kompletuar si intelektuale dhe si drejtuese, çka e vërtetoi, kur ishte në Bashkinë e Tiranës. Në pragun e dekretimit si ministre, por edhe disa ditë pas kësaj ceremonie, ajo deklaroi se më të ardhur në detyrë, Qendra Kulturore e Ushtrisë, që u grabit ditën për diell nga Berisha e kompani, do të rikthehej në destinacionin e saj shumëvjeçar. Kjo deklaratë u shoqërua edhe me të tjera simotra si për korrupsionin e emërim-shkarkimeve, gradim – zhgradimeve e gjer tek padia e drejtpërdrejtë në prokurori ndaj “kolegut” që zëvendësoi në karrigen e ministrit. Mirëpo (ah ky “por”-i e “mirëpo”-ri që na e prish gjithnjë peizazhin), kaluan plot gjashtë muaj e gjysmë dhe deklarata për Qendrën Kulturore të Ushtrisë është palosur e harruar në dosje, siç janë harruar deklaratat për zbardhjen e korrupsionit e kontrabandës së armatimit, etj., përfshi dhe premtimin për përmirësimin e statusit të ushtarakut, të cilëve vijon t’u mbahet 30% e pensionit të zgërlaqur nga “akti normativ i Berishës” i vitit 2009.

    Kush është shkaku i kësaj tulatjeje nga deklaratat e fillimit? Sjellja arrogante e “Berberit”? Ashpërsia e “briskut”, magjia çudibërëse  e “karriges”? Apo të gjitha së bashku?!!

    Nuk shkohet për gjah me zagarët e botës!

    Ministri Sajmir Tahiri është gjer tani ministri më i mirë i kabinetit qeveritar. Është i mirë jo prej pjesës së dytë të emrit, por për dinamizmin me të cilin ka nisur e po vijon punën në krye të dikasterit, të cilit ia kemi që të gjithë nevojën, pasi na siguron qetësinë, pronën, jetën. E megjithatë, rezultatet nuk po duken. Krimi përsëri vijon “pogonishten” në mes të ditës e në mes të rrugës, herë me kanabis e herë me tritol, pa zënë në gojë “ordineret” e tjera që për nga “ngjyrat” ja kalojnë ylberit. Si shpjegohet kjo?

    Kryesisht nga taktika. Po, po! Ministri ynë i ri dhe dinamik ka zgjedhur taktikën e ndjekjes këmba- këmbës të krimit dhe kriminelëve. Po, a arrihet kjo? Jo, nuk mund të arrihet. Ndjekja dhe mbërthimi i krimit e i kriminelëve i ngjason punës së gjahtarëve. Gjahtarët asnjëherë nuk i turren lepurit që ta kapin. Sepse nuk munden kurrsesi. Lepuri vërtet nuk ka shpejtësi të madhe, por gjatë vrapimit bën kthesa të shumta e të paparashikuara nga gjahtari. Ndaj ky i fundit pasi zë një pozicion të përshtatshëm lëshon zagarin, i cili ia sjell lepurin në grykë të çiftes. Dhe kur kjo ndodh me lepurin, imagjinojeni me krim-kriminelin, dredhat e të cilit janë shumëfishi i dredhave të lepurushit. Për të lënë mënjanë faktin se ndryshe nga lepuri, ai tjetri është dhe i armatosur e mund të vrasë dhe vetë gjahtarin.

    Po pse nuk e përdor këtë “taktikë” ministër Sajmiri? Nuk e di?  Edhe në mos e ka ditur, sepse mund të mos ketë qenë asnjëherë për gjah, do t’ia kenë thënë kolegët. Por Ministri ynë dinamik nuk ka zagarë për të dalë për gjah. Ata mund të jenë fizikisht tek stani, por janë zagarët e Berishës, të cilët janë miqësuar kaq shumë me “lepujt” e krimit, sa jo vetëm nuk lehin mbi këta të fundit, por së bashku me ta, e dredhin “vallen” në grykën e pambushur të çiftes së gjahtarit.

    Shqipëria, si shtëpia e Nastradinit!

    Në vitet ‘70-të revista “Hosteni”, nga më të lexuarat e kohës në vendin tonë, botoi fotografinë e shtëpisë së Nastradinit. Një shtëpi e restauruar në kujtim të personazhit më interesant të kontinentit aziatik, bëmat e të cilit njihen në vendin tonë më shumë se poezitë e Khajamit. Shtëpia në fjalë, ishte një shtëpi e vogël dhe plot ngjyra si ajo e Hirushes. Por, gjëja më mbresëlënëse dhe njëherësh domethënëse ishte gardhi që rrethonte shtëpinë. Gardhi në formë katrore, ishte i lartë jo më shumë se njëzet e pesë centimetra. Ndërsa porta me dy kanate prej hekurash, e gjatë mbi dy metra, ishte e mbërthyer me një goxha çelës, si ata të kështjellave të mesjetës….

    Me imazhin e kësaj shtëpie interesante le të kthehemi tek vendi ynë. Dhjetëra doganierë, kontrollorë e policë në dogana dhe pikat e kalimit që personifikojnë derën e shtëpisë sonë nga ku lëvizin me hyrje e dalje njerëz e mallra si kurrë ndonjëherë në këta njëzet e katër vite. Kaq i rreptë është kontrolli tek portat, sa as majën e gjilpërës nuk mund ta kalosh pa paguar doganën, gjobën, apo dhe “byzylykët” kur gjilpëra është e madhe dhe paraqet rrezik shpimi. E megjithatë në vendet fqinje, veçanërisht në Itali, ku kërkesë-oferta është e madhe, përfundojnë me tonelata kanabis- sativa, apo lloje të tjera droge, me nisje ose transit nga vendi ynë. Ashtu siç depërtojnë dhe individë të inkriminuar, dukë vënë në siklet dhe Interpolin që pret nëpër doganat përkatëse. Të ishin vetëm “daljet” prej nesh në drejtim të të tjerëve, gjysma e së keqes, por si t’ia bëjmë me “hyrjet” nga të tjetër tek ne. Dhe në këta 24 vjet hyrjet nga jashtë kanë qenë krejtësisht pa inventar. Vërtet portën e madhe e kemi mbërthyer me “Çelësa” shumë herë më të sofistikuar se çelësi i portës së Nastradinit, por gardhin rrethues e hoqëm fare. Ta kishim lënë të paktën sa gardhin e Nastros, njëzet e pesë centimetra, mbase ndonjëri nga gardh-kapërcyesit do të linte ndonjë shenjë gjurme mbi gardh, gjë që do të na jepte edhe mundësinë e kërkimit e të zbulimit të tij. Njëzet e katër vjet pa gardhin rrethues të shtëpisë, qoftë dhe me lartësinë e atij të Nastradinit, dhe ne habitemi në mënyrë budallalleske se si paskan ardhur e madje ngritur edhe institucione fetare rekrutuesit e ushtarëve xhihadistë për luftërat fetare në Siri e vende simotra me të.

    Kulaçi dhe kërbaçi!

    Historia e “kulaçit dhe kërbaçit” është e njohur. Një taktikë kjo e përdorur nga një vend më i fuqishëm ndaj një tjetri më të dobët politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Vendi ynë e ka pasur racion të jetës si nga fqinjët dhe më tej tyre, të cilët nuk kanë munguar të na ëmbëltojnë me kulaç, e nga ana tjetër të na kërcënojnë e madje të na godasin me kërbaç. Patëm një periudhe jo të shkurtër, kur as kulaçi e as kërbaçi, pavarësisht nga forma e madhësia e tyre, nuk arritën të na tundojnë, e aq më pak të na frikësojnë. Ajo ishte koha kur kulaçin e gatuanim vetë dhe po vetë kishim edhe kërbaçin për të ndëshkuar ujqërit që na kërcënonin vathën tonë. Sot “zotërit” tanë të shtëpisë, kërbaçin e kanë dorëzuar tek të tjerët dhe kanë zgjedhur të shtrijnë dorën për kulaç.

    Fqinji i jugut ka patur për taktikë, “Kalin e drunjtë”, të cilin e ruan dhe e përdor me fanatizëm që nga lufta e Trojës. Mirëpo i trimëruar se ia hodhi përkohësisht sëmundjes së “Spondiliatrozës”(krizës), falë ndihmës së vëllezërve kapitalistë, e la përkohësisht mënjanë “Kalin” e lashtësisë dhe futi në lojë “kulaç – kërbaçin”, këtë armë të kohëve moderne. Këtë ndryshim e bëri sepse tani nuk ishte fjala për marrjen e kalasë, por të detit, aty ku kali i lashtë i Uliksit nuk hyn dot. Për t’ia arritur këtij qëllimi, që Kushtetuesja jonë e hodhi poshtë, fillimisht loboi pranë BE-së duke kërkuar që “nderin” e dhënies së Statusit Shqipërisë, ta kishte fqinja e saj e vjetër në periudhën kur kjo e fundit do të kishte presidencën e këtij institucioni sa famëmadh, aq dhe hilemadh. Ishte pikërisht ky “lobim” që ndryshoi sa hap e mbyll sytë premtimin e anëtarëve potentë të BE-së, për dhënien e këtij statusi në fund-dhjetorin e vitit që kaloi. Me të marrë “Presidencën e BE”, grekët nisën trokun e “armës së re të “kulaç – kërbaçit. Në të gjitha takimet që zhvilluan e po zhvillojnë me drejtuesit e politikës e të shtetit tonë, ata nuk harrojnë të thonë se ”statusin e keni të sigurt brenda qershorit 2014”. Por në të njëjtën kohë me “kulaç statusin”, na tundin para syve dhe “Kërbaç – marrëveshjen detare”, e cila sipas tyre, duhet të ratifikohet, ashtu siç është nënshkruar në vitin 2009. . .

    Qershori po vjen. Muajt që kanë mbetur janë muaj ankthi për politikan-pushtetarët tanë, veçanërisht për ministrin Bushati, i cili pyetjes së drejtpërdrejtë të para do ditëve për këtë mesele-hile të grekëve të rinj, i bëri lakadredha. A do të mundet ai dhe kabineti qeveritar “Rama” ta përballojë tundimin e kulaçit dhe të mos tuten prej kërbaçit? Qytetarët shqiptarë nuk besoj se do të pranonin të këmbenin 354 metra katrorë det me “Statusin e kandidatit” për në BE. Nëse BE-ja fitohet me copa toke e deti, atëherë ai nuk është Status anëtarësimi, por Status robërimi. Nëse realizohet vërtet synimi grek për kontratën “BerishaBasha” të detit, ku kanë filluar të rrjedhin pikat e naftës, atëherë vërtetohet barsoleta e treguar në fillim të shkrimit: Domethënë se në Shqipëri askush nuk qenka nga Hoti i Malësisë së Madhe, por shumë më poshtë tij. Tung!