Gjermania: Rikthim vizash për Ballkanin

    51
    Fluksi i madh i azilkërkuesve nga Ballkani ka detyruar shtetin gjerman të marrë masa të rrepta, saqë Unioni i Bashkive ka kërkuar të shikohet edhe mundësia për rikthimin e vizave për ballkanasit. Kjo kërkesë është bërë si një mundësi e fundit për të ndaluar fluksin e emigrantëve, por aktualisht është marrë vendimi që çdo person nga Ballkani që ka kërkuar azil dhe i është refuzuar nga Gjermania, të ndalohet të hyjë më në këtë shtet. Kjo masë është kërkuar nga frika e një kthimi të dytë, kështu që do të qëndrojë në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër.
    Vendimi mësohet se është marrë nga zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët. Duke folur nga Nurembergu, presidenti i kësaj zyre, Manfred Schmidt, ka thënë se zbatimi i kësaj mase ka nisur që më datë 1 gusht, pasi fluksi ishte i papërballueshëm. Sipas Schmidt, ajo ishte një domosdoshmëri, për kushtet në të cilat ndodhet Gjermania, ku çdo ditë e më tepër po shtohet numri i azilkërkuesve nga Ballkani. “Nga 1 gushti, ne kemi kompetencën të ndërhyjmë tek e drejta e qëndrimit dhe të vendosim bllokimin e hyrjes në Gjermani dhe një ndalim-qëndrimi për të gjithë hapësirën e Shengenit, po qe se kërkesa e këtyre azilantëve për azil është qartësisht e pabazë. Një të huaji të dëbuar apo rikthyer në vendin e tij nuk do t’i lejohet hyrja në Gjermani për maksimalisht pesë vjet. Këto sanksione, të bazuara në reformimin e fundit të ligjit për të drejtën e qëndrimit në Gjermani, mund të prekin jo vetëm azilkërkuesit nga Shqipëria, Kosova e vende të tjera të Ballkanit, por edhe nga Gjeorgjia e Tunizia”, tha ai. Schmidt ka deklaruar gjithashtu se një masë të tillë, pra për ndalimin e azilkërkuesve pritet ta marrin edhe shtetet e tjera si Norvegjia, Islanda, Zvicra dhe Lihtenshtejni. Nëse një masë e tillë merret edhe nga këto shtete, për ballkanasit do të jetë një situatë e vështirë. Kjo mund të ndikojë negativisht edhe në integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, pasi janë 30 mijë shqiptarë që kanë kërkuar azil në Gjermani, vetëm në 7 muajt e parë të këtij viti. Mirëpo, duket se barrierat që ka krijuar dhe po krijon Gjermania do t’i shtyjnë për të kërkuar azil në vende të tjera. Këto shtete për të evituar një dyndje të tillë, mund të marrin masa paraprake.
    Nga ana tjetër, Unioni i Bashkive dhe Komunave në Gjermani ka kërkuar rikthimin e vizave me Shqipërinë. Rivendosja e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor është alternativa e fundit, por që nuk përjashtohet si masë për të ndalur përfundimisht fluksin e azilkërkuesve në Gjermani. Unioni ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, Tomas de Mezier, duke shprehur mbështetjen për propozimin e tij, për të vënë në provë nëse është sistemi i pagesave të larta, ai që nxit ardhjen e azilkërkuesve në Gjermani. Dy ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme gjermane, Thomas de Maiziere, në një intervistë për ZDF, ka kërkuar që të shihet sistemi i pagesave që u jepet azilantëve. “Ne duhet të rishikojmë të hollat e xhepit dhe nuk duhet të lejojmë pagesën njëherësh të tyre. Ndoshta kështu do të ndikojmë disi te fluksi i të ardhurve prej këtyre vendeve”, ka thënë ministri Thomas de Maiziere. Diçka që nuk mund të realizohet sipas ekspertëve, pasi është e vendosur nga Gjykata Federale Kushtetuese dhe mbetet çështje e dinjitetit njerëzor. Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte që ata të merrnin ndihmë në ushqime apo edhe në veshmbathje. Në këtë mënyrë do t’u vihet në ndihmë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shmangen abuzimet. Sipas ministrit, pagesa “cash” e një azilkërkuesi në Gjermani prej 143 eurosh është sa paga mujore e një polici në Kosovë dhe Shqipëri. “Ne kemi nevojë për një debat në lidhje me standardet europiane të dinjitetit njerëzor dhe ofrimin e ndihmës. Ne mund të japim më shumë ndihma në ushqime, ndërsa për sa u përket parave të xhepit, është një çështje që duhet ta rishikojmë”, ka pohuar ai. Më 9 shtator, në takimin e Kancelares Merkel me presidentët e landeve, pritet të shpallen si vende të sigurta origjine Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Kjo pritet të ndodhë duke marrë shkas që më shumë se 99 për qind e kërkesave të bëra nga këto vende refuzohen.