Gëzim TUSHI/ Të moshuarit dhe kompleksiteti i përgjegjësive sociale…

    595
    Sigal

     Evidentohet qartë tendenca që fëmijët e sotëm janë më pak të prirur se më parë për t’u kujdesur për prindërit e tyre

     Është evident fenomeni përkeqësimit të marrëdhënieve të familjes dhe shoqërisë me të moshuarit. Madje jemi përballë me shumë fenomene dhe tregues social që nuk mund të konsiderohen normal as për kushtet e shoqërisë postmoderne. Nuk janë mirë këto lidhjet sociale të moshuarve me shoqërinë shqiptare, e cila për traditë ka patur tjetër kulturë dhe modele të relacionit familjar e social me të moshuarit. Me mënyrën si kemi filluar të sillemi me të moshuarit, duket se po ecim me shpejtësi drejt kompozimit paradoksal të një “shoqërie antimoshë”. Këto zhvillime eksentrike ndikojnë që hapësira individuale dhe sociale për të moshuarit të vijë duke u kufizuar në familje, shoqëri dhe strukturat e organizimeve të tjera të jetës publike e sociale. Shqetësues është fakti që në familje të moshuarit tanë kanë filluar të kenë shqetësime e të mos ndihen në pozicion komod. Madje shpesh nga mënyra si trajtohen dhe sillen me ta të rinjtë e familjes biologjike, duket sikur janë të tepërt, të paparanueshëm për kornizat e reja të familjes moderne shqiptare. Nga ana tjetër edhe në shoqëri dhe jetën publike ka shumë pak kushte sociale dhe vlerësim për të moshuarit, si shtresë. Shume sociologë kanë sjellë argumente që vërtetojnë se këto fenomene sociale janë të shpjegueshme, sepse natyra individualiste e gjeneratës së re në familjen moderne por dhe në shoqëri, kërkon një stil jete të shumëllojshëm, krejt të ndryshëm nga tipologjia e familjes tradicionale, mënyra “kolektive” e jetës sociale së prindërve të tyre. Është fakt që familja dhe shoqëria shqiptare ka filluar të bëhet paragjykuese për të moshuarit, nënvleftësuese për të drejtat e tyre moshore, gjithnjë e më shumë indiferente me kërkesat e tyre të natyrshme.

    Doni fakte ? Patjetër !Porritet numuri i të moshuarve të braktisur nga familja biologjike, po shtohen frikshëm kërkesat e padrejta të familjarëve për t’i larguar të moshuarit nga shtëpia dhe familja e tyre biologjike për në institucione sociale. Edhe në se problemin e shikojmë dhe e vlerësojmë në një spektër më të gjërë social, do të shikojmë se në shoqërinë tonë bëhet pak dhe prandaj ata ndihen të margjinalizuar nga pikëpamja sociale. Në televizionet shqiptare për të moshuarit dhe problemet e tyre shqetësuese flitet vetëm një ditë në vit, në 1 Tetor në Ditën Botërore të Moshuarve. Pastaj ka vetëm heshtje televizive për ta. Harojnë televizionet që të moshuarit në Shqipëri përbëjnë mbi 12% e popullsisë. Nuk e kuptojnë që ata janë ndjekësit më intensiv të programeve televizive. Nuk duan t’ia dinë që të moshuarit kanë aq shumë nevojë të të ditur specifikat e moshimit, pabesitë e moshës, këshilla për shëndetin dhe rindërtimin e duhur të marradhënievbe familjare dhe sociale.

    Shikoni botimet. Është vështirë të gjesh një libër që ekskluzivisht të jetë për probleme sociale, moshore dhe geriartrike të moshimit. Organizimet sociale të të moshuarve nuk janë në nivelin e duhur. Nga ana tjetër pak organe të pushtetit lokal kanë bërë të mundur krijimin e ndonjë ambienti social apo qëndre komunitare për të kaluar kohën e lirë të moshuarit. Mbi të gjitha ata ndihen të lënë mënjanë, të pa socializuar në struktura moshore. Kjo bën që një pjesë e mundësisë fizike dhe kapaciteteve mendore së tyre të “derdhen” kaotikisht rrugëve dhe klubeve (pijetore) duke i larguar nga mundësia utilitare për “vullnetarizëm moshor”. Gjithë energjia pozitive e tyre shkon dëm, nga që as ata nuk dinë të vetorganizohen për shkak të mungesës së njohurive për mënyrën e veprimit të shoqërisë civile, por dhe organizimet joqeveritare e ngritura për ta, janë përgjithësisht të zbehta e rudimentare. Në këto kushte besoj se kemi arsye që të jemi dakord me sociologët e moshës së tretë, studiuesit e ontologjisë dhe fenomenologjisë së plakjes dhe mënyrave të realizimit të procesit të moshimit, të cilët janë të mendimit se në mënyra gati tipike të moshuarit e sotëm ankohen fort dhe të jenë të pakënaqur me tre kategori sociale me të cilët ata kanë lidhje direkte, të shpeshta dhe sistemike. Ata kanë vënë në shënjestër, përgjithësisht me të drejtë në shumicën e rasteve  fëmijët e tyre që nuk janë empatikë me ta në familje apo jashtë saj, fqinjët indiferentë dhe agresivë që jetojnë të izoluar dhe pa komunikim pas mureve të betonta të shtëpive të tyre dhe me mungesën e tolerancës së nëpunësve të strukturave shtetërore apo private të shërbimeve mjekësore, sociale, të drejtësisë, institucioneve të shërbimit, etj. Ne nuk themi që të ndërtojmë “parajsa” për të moshuarit, por është që në tërë botën është bërë tejet shqetësuese mundësia e kufizuar e kujdesit të familjes, përgjegjësia sociale e shoqërisë, sidomos puna e zbehtë administratës së pushteteve lokale. Këto janë hallka sociale me rëndësi, prej të cilave të moshuarit presin me këmbëngulje që të kenë një pozicionim më pozitiv ndaj halleve të tyre. Natyrisht gjëja e parë dhe me rëndësi të posaçme, është raporti i të moshuarve me familjen dhe fëmijët e tyre. Duke parë tendencën e prishjes së ekulibrive të natyrshëm midis brezve dhe unitetin moshor delikat, është e natyrshme pyetja se përse ka vështirësi në rritje që të moshuarit të jetojnë në mënyrë natyrale, me dinjitet në shtëpitë e tyre?

    Natyrisht ka ca arsye që janë objektive, që kondicionojnë këtë situate moshuarit. Është me rëndësi që të jemi objektivë për të mos gabuar. Për të mos u rënë në qaftë as të rinjve, që kanë arsye objektive për disa nga qëndrimet e tyre “antimoshë”, por dhe për të evidentuar të vërtetën që qëndrimet kundërmoshore të vlerësuara në totalin e rasteve të shfaqura në shoqërinë tonë, tregojnë se arsyet e këtij qëndrimi janë më së shumti me karakter subjektiv, nën peshën e dëshirës për komoditet, modë dhe rehati (dihet që shërbimi për të moshuarit në familje do kohë dhe ka kostot e veta).  Shoqëria shqiptare tashmë është e përfshirë nga valët e transformimeve të thella organike e strukturore. Janë bërë dominante disa tendenca sociale të përgjithshme, që lidhen me prirjen sociale për “familje të vogla”. Është duke u zgjeruar fenomeni i përhapjes gjeografike të “familjes bërthamë” dhe njerezit në familje gjënden shpesh herë duke rendur pas tregut të punës. Në shumë familje ndodh që të dy bashkëshortët punojnë dhe kanë gjithnjë e më pak kohë për t’u shërbyer të moshuarve. Duhet pranuar e vërteta ashtu siç është. Sepse nga njëra anë ka një tendencë të neglizhimit dhe braktisjes së të moshuarve në familje, por nga ana tjetër duhet njohur realiteti se zhvillimet dinamike të jetës sociale kanë bërë që në shoqërinë tonë të shfaqet fenomeni social kritik, që gjithnjë e më pak fëmijë biologjikë do jenë në dispozicion apo që të jenë të disponuar për të marrë rolin e “kujdestarëve informal” për të moshuarit e familjes së tyre. Evidentohet qartë dhe me lehtësi tendenca që fëmijët e sotëm duket se janë më pak të prirur se më parë për t’u kujdesur për prindërit e tyre. Ndërkaq janë duke u shfaqur fenomene të tjera, që kanë ndikim social të drejtpërdrejtë apo të tërthorë me situatën e të moshuarve. Të tilla janë shtimi i divorceve, rritja e numrit të martesave të dyta, krijimi i familjeve mbi bazën e parimit të bashkëjetesës, që gjithashtu është formë që nuk favorizon prezencën e të moshuarve (prindërit e të bashkëjetuarve). Çështjet e moshimit në kohën e sotme duke qenë shumë komplekse, me më pak mundësi sociale formale për t’u përballuar, bëjnë të domosdoshme një tjetër lloj koncepti dhe qëndrimi të vetë të moshuarve në zgjidhjen e problematikës së tyre. Në kohën moderne dhe individualiste pjesa me e madhe e përgjegjësive për fatin individual është në dorë të punës dhe angazhimeve të individit. Zgjidhja e problemeve të moshuarve si target grup, është e lidhur edhe me nevojën e gjenerimit të kapitalit social, që në këtë rast buron nga bashkëveprimi dhe organizimet sociale të vetë të moshuarve. Ky është komponent i zbehtë në shoqërinë tonë, i munguar në strukturat e shërbimit social nga që vetë të moshuarit nuk kanë kuptimin e duhur për vlerën e madhe të organizimeve specifike moshore, si mjet për fuqizimin e kapitalit social që mund të konvertohet në shërbime sociale që t’u shërbejnë të gjithë të moshuarve me nevoja të përbashkëta. Kjo do të thotë se duhet të bëjmë “revolucion konceptual” për t’i bindur ata për mundësinë, nevojën, domosdoshmërinë e kontributit të tyre për të qenë pjesë e kapitalit social, që mund të bëhet komplementar me strukturat formale efektive të shërbimeve sociale. Që të ndodhë kjo duhet të organizohen të moshuarit të cilët kanë nevojë të binden se nevoja për vullnetarizëm dhe kontribut social moshor, është së pari në shërbim të tyre individualisht por dhe në shërbim të shgtresës së të moshuarve shqiptarë. Ne ecim të gjithë drejt Europës dhe duam të përshtatemi me kulturën dhe mentalitetin europian. Në këtë rrugë duhet të ecin dhe të veprojnë edhe të moshurit. Kjo do të thotë se duhet punuar për të krijuar kulturën e e re sociale, bashkë me të dhe bindjen se nga vullnetarizmi dhe kontributi social i të moshuarve kanë përfitim, së pari vetë të moshuarit që kanë mundësi të mbajnë lidhje, të japin kontribute komunitare. Por patjetër në këtë rast ka përfitim edhe shteti e shoqëria, që përfiton nga kontributi vullnetar dhe shërbimet e tyre, duke i lënë shtetit më shumë mundësi për një riorientim më strategjik të fondeve të buxhetit për shërbimet formale ndaj të moshuarve. Nuk duhet harruar për asnjë çast që të moshuarit kanë aftësi për të ngritur kapital social, sepse për shkak të moshës dhe përvojës jetësore janë shumë të duruar, kanë përvojë të gjatë jete, aftësi humane në fushën e komunikimit social me të “tjerët”. Në këtë kontekst, për të bërë këtë revolucion në fushën e shërbimeve sociale, është e udhës që së pari të rishikojmë “përkufizimet e vjetra”, parametrat e trashëguara të moshës, moshimit, pleqërisë. Vetëm kështu mund të rritet pretendimi për më shumë kontribut social që mund dhe duhet të vijë nga vetë të moshuarit, si pjesë me shumë rëndësi për të forcuar kapitalin social dhe mundësisë së ofrimit të shërbimit informal. Në tërë botën moderne të moshuarit mbi 65 vjeç e ndjejnë veten shoqërisht të dobishëm, janë shumë kontributivë në sferën e shërbimit informal, duke dhënë kujdes të përditshëm për fëmijët, duke ndihmuar personat me aftësi të kufizuara, duke dhënë mbështetje për policinë për disiplinimin e qarkullimit rrugor dhe shmangien e aksidenteve, etj. Për të kuptuar këtë të vërtetë europiane që akoma është e munguar tek ne, mjafton të themi se ka vende në të cilat kontributi i të moshuarve kap nga 10 deri në 28% të peshës së kujdestarisë informale. Në shumë vende ata janë kontributivë duke kryer shërbime vullnetare informale nga 19 deri në 20 orë në javë. A nuk duhet të mësojmë nga kjo praktikë e krijimit të kapitalit social nga vetë të moshuarit ?