Eglantina Bifsha Bajrami/Pronarët e Himarës, në udhëkryq

    416
    Sigal

    Banorët e Bregdetit kanë ngritur dhe do të ngrenë shpesh zërin nëpërmjet mjeteve demokratike deri sa të përmbushen standardet e një vendi të NATO-s, e një vendi që kërkon të integrohet në BE. Pa integrimin e krahinës më të bukur turistike, bregdetit Jon, nuk mund të pretendohet për në BE. Kryeministri duhet ta trajtojë këtë zonë si gjithë vendin, pasi është pjesë e Shqipërisë, banorët e së cilës e ndjejnë veten të lënë pas dore, si të njerkës. Himarjotët e konsiderojnë të padrejtë mostrajtimin e problematikës së tyre, si vonimin në kohë të regjistrimit e të bërjes së hartave të reja të tokave si dhe pajisjen me certifikatën e pronësisë. Kjo lënie në harresë të bën të mendosh se bëhet me qëllim. Lënia pas dore e kësaj krahine lë hapësirë për abuzime dhe korrupsion, i cili, jo pak herë është vënë në dukje nga banorët e bregut. Një shqetësim i madh i tyre është zbatimi i ligjit 7501, të cilin e kontestojnë si antikushtetues e antidemokratik. Ligji përjashton nga pronësia mbi tokën bujqësore pronarët e ligjshëm të para-kooperativave si dhe të para-reformës agrare. Në dhënien e tokave dhe kullotave në pronësi dhe në përdorim, personave juridik e fizik, nuk njihet pronësia e mëparshme, as madhësia e kufijve të saj para-kolektivizimit, në këtë mënyrë ky ligj mohon pronësinë e mëparshme mbi tokën e blerë me flori nga të parët tanë. Na duket krejt e habitshme që në AKKP edhe pse kërkohej një numër i madh dokumentesh ajo që ka më tepër peshë dhe që njihej nga Kryesia e Këshillit Bashkiak të Himarës nuk merret fare parasysh. Atëherë lind pyetja: si dhe çfarë dokumentesh duhet të paraqesim për të vërtetuar pronësinë e të parëve të cilët për arsye të taksave të larta, të asaj kohe, nuk i kishin të regjistruara? Institucionet kompetente duhet sa më parë t’i japin zgjidhje këtij problemi madhor që ekziston ne bregdetin Jon. U bënë  tashmë dy vjet që me financimin e OSBE-s filloi regjistrimi i banesave dhe i trojeve në krahinën e Himarës por dhe ato ngelën në letër, pasi akoma edhe sot nuk janë hipotekuar dhe banorët nuk kanë në duar Certifikatën e Pronësisë së banesave të tyre. Dihet tashmë nga të gjithë himarjotët se janë dhënë fonde për regjistrimin e pronave dhe ata vazhdojnë e presin që të bëhet ky regjistrim, t’u hipotekohen pronat e tyre që edhe ata si ¾ e vendit të kenë Tapinë e pronësisë, ku të ndihen zot në pronat e tyre, të trashëguara nëpër breza. Me keqardhje po vërejmë se po lindin pronarë të rinj të paligjshëm, ndërsa pronarët e ligjshëm presin me vite për tu ligjëruar. Me të drejtë komuniteti himarjot gëzoi kur dëgjoi se OSBE nis regjistrimin e tokës në Bregun e Jugut, se projekti në fjalë do të fillojë nga Llogoraja, fshatrat e Bregut e tutje. Mos kjo ishte një tymnajë e hedhur ashtu në tym, sa për t’u mbyllur gojën banorëve të indinjuar të zonës? Ne si banorë e mirëpritëm këtë projekt të mbështetur financiarisht nga BE, por po shohim se u mjaftuan me të ashtuquajturin regjistrim të banesave dhe stop. Ne banorët e fshatrave të Himarës jemi të ndërgjegjshëm se përcaktimi dhe njohja e të drejtës së pronës në këtë zonë nuk është e lehtë. Kemi të bëjmë me një proces të vështirë e kompleks. Vështirësia do të pasqyrohet po të zbatohet ligji 7501, dhe kundërshtimi i tij nga pronarët e ligjshëm të tokave do të bëjë që të dështojë projekti i shumëpritur, që kushedi se kur mund të fillojë. Përse mbahet peng nga qeveria aktuale mos regjistrimi i ri i tokave në mënyrë “fshatçe”? Kjo ngre një dyshim të madh tek banorët. Deri kur pronarët e Bregut do të jenë në udhëkryq?! Kujt i intereson të mbajë peng pronarët e ligjshëm të Bregut? Nëse sot nga qeveria flitet me të madhe për një proces integrimi në strukturat Euroatlantike, ky proces për Shqipërinë do të ishte i pamundur, pa realizuar më parë integrimin e qytetarëve në shoqërinë demokratike, pasi demokracia është në radhë të parë liri e të drejtave të njeriut, e përkatësisht dhe njohja e trashëgimisë së pronës. Po flitet shumë në shtypin e përditshëm dhe në atë viziv për abuzimet dhe korrupsionin e pushtetarëve që bëjnë në Bregun e Jonit. Këto ndryshe quhen: vjedhje, përkundrejt asaj krahine dhe duhet të marri fund sa më shpejt, vetëm kështu do të kufizohen abuzimet në tokat e Bregut, konfliktet dhe do të realizohet mbrojtja e të drejtave të njeriut, për të cilën flet e bërtet kryeministri ynë. Në këtë mesazh shprehet shqetësimi i lexuesve të thjeshtë e të shumtë, sidomos i banorëve të Bregut, problem i të cilëve ka një emërues të përbashkët: kthimi i pronave të të parëve duke rrëzuar ligjin 7501 dhe pajisja me Certifikatën e pronësisë për t’i dhënë krah zonës turistike në interes të tyre dhe të mbarë vendit tonë. Premtimet e pafundme nuk i shërbejnë më askujt. Në asnjë vend demokratik nuk ndodh që prona të mos njihet, e aq më tepër të shkojë tek pronari i paligjshëm. Kjo po nxit dhunën dhe vëllavrasjen, fenomen i dhimbshëm për ne shqiptarët. Kryeministri i vendit duhet të zbatojë të njëjtat standarde si në gjithë vendin edhe në Bregdet. Përse duhet të ketë tjetër standard për Bregun, përse duhen përdorur dy njësi matëse? Përse në pjesë të tjera të vendit nuk u zbatua ligji7501? E përse do të zbatohet vetëm në zonën e Bregut?! Përse duhet të presin me vite himarjotët për t’u bërë pronar të ligjshëm në pronat e tyre të ligjshme? Kujt i intereson kjo?

    Zotërinj pushtetarë!

    – Kjo është toka jonë, toka e të parëve, e cila u përket bijve tanë.

    – Himarjotët do ta gëzojnë vetë perlën e Rivierës shqiptare, Bregun e dallëndysheve!