Eduard Lir dhe Shqipëria

    1011
    Sigal

    Peizazhe shqiptare në veprën e një piktori të shquar anglez të shekullit të 18-të

    Eduard Lear lindi më 12 maj 1812 – 29 janar 1888, në Highgate Londër dhe ishte fëmija e 20-të i një agjenti burse, vdiq në San Remo, ishte piktor, poet dhe udhëpërshkrues anglez nga Britania e Madhe. I refuzuar nga e ëma, ai u rrit nga motra e vet Ann, që ishte 21 vjet më e madhe. Ai vuante nga epilepsia, të cilën Lir e quante “Djalli” dhe, që 6 vjeç, ishte i prirë për ndryshime të befta humori si dhe periudha depresioni që i quante “të frikshme”. I edukuar nga motrat Ann dhe Sara, dha shenja për prirje artistike që në moshë të re. Për shkak të dështimit të të atit në karrierë dhe pamundësisë së këtij për të mbajtur familjen Lir u detyrua të fitonte mjetet e jetesës që nga mesi i vitit 1820. Në 1848, Lir-i nisi një udhëtim përmes Greqisë për në Stamboll. Udhëtimi i tij mori një kthesë të papritur, kur ambasadori britanik në kryeqytetin osman arriti t’i siguronte dokumentet për të vazhduar përmes zonave të perandorisë që konsideroheshin “të egra”. Duke marrë rrugën përmes Selanikut dhe Manastirit, ai udhëtoi në Ohër, Strugë, Elbasan, Tiranë, Krujë, Lezhë dhe Shkodër. Pas disa ditësh u kthye në Tiranë dhe vazhdoi drejt jugut në Kavajë, Berat, Ardenicë, Apoloni, Vlorë, bregdetin e Himarës, Tepelenë, Gjirokastër dhe më tej në Janinë.

    100 piktura për Shqipërinë

    Shumë nga peizazhet dhe skicat që bëri gjatë udhëtimit regjistrojnë një dokumentim të përpiktë të Shqipërisë së mesit të shekullit XIX. Pas kthimit në Angli ai botoi “Ditarët e një peizazhisti në Shqipëri” (1851) Lir-i ishte tepër entuziast për peizazhet e jashtëzakonshme dhe kishte një sy e vesh të mprehtë për çka shihte e dëgjonte në udhëtimet e tij. Talenti origjinal si peizazhist, gjallëria e përshkrimeve në librat e udhëtimit dhe korrespondenca e këndshme e bënë Lir-in një nga udhëtarët më të dashur të shekullit XIX. Eduardi krijoi vepra madhore, ndër të cilat edhe mbi 100 peizazhe mbi Shqipërinë. Shumica e këtyre peizazheve janë akuarele dhe litografi. Këto punime janë botuar në shekullin e kaluar nën titullin Eduard Lear in Greece (Eduard Lir në Greqi). Ndërsa nga fundi i shekullit përshkrimet e bëra nga Eduardi nëpër Shqipëri janë botuar në një përmbledhje nën titullin Eduard Lear in Allbania: Journalls off a Landscape Painter in Albania and Illyria (Eduard Lir në Shqipëri: ditari i një piktori peizazhist në Shqipëri dhe Iliri). Po kjo vepër është përkthyer edhe në gjuhen shqipe

    “Shqipëria, sa e ngatërruar për të huajin”!…

    Fragment nga “Ditarët e një peizazhisti në Greqi dhe Shqipëri” të Eduard Lir, 1848

    Për turistin e pamësuar Shqipëria është një rebus nga më të ngatërruarit. Çfarëdo që ai ka mësuar për emërtimet e vjetra Epir, Molosët, Tesprotët etj. kalaqafet dhe ngatërrohet nga emrat e njësive administrative turke dhe pashallëqet; për më tepër, si kërcu përmbi samar, turistin e shkretë e hutojnë edhe më keq një takëm emrash autoktonë si Çamëria, Dibra etj. Dhe sapo ai nis të kuptojë potpurinë laramane që banon këto provinca – grekë, sllavë, shqiptarë, bullgarë ose vllahë, përsëri pëson një trullosje nga një listë tjetër nënndarjesh, lebër, mirditorë, himarjotë dhe toskë. Raca, fe dhe emërtime kombëtare duken të përcaktuara kaq keq ose kaq të korkolepsura, sa në fund turisti do të dorëzohej i dëshpëruar nga ky studim shashtisës, nëse nuk do i vinin në ndihmë shumë libra të shkëlqyer që janë botuar lidhur me këtë temë.

    EPITAFI I VARRIT TË EDUARD LIR DHE TOMORRI

    Gati 170 vjet më parë, piktori i madh anglez, Eduard Lir, duke vështruar malin e Tomorrit nga Qafa e Kërrabës, pasi ul paletën me anë të së cilës kish hedhur në telajo impresionin e çastit të pamjes që i dilte përpara, shkruan në ditarin e tij: “Ishte e vështirë t’i ktheje shpinën kësaj pamje malore të mrekullueshme, këtyre skutave e qosheve të kësaj bote të bukur, këtyre pamjeve prej të cilave asnjë shpirt piktori nuk lodhet kurrë”. Dhe vërtet piktura në vaj që realizoi Eduard Lir për Tomorrin nga ai impresion nga Kërraba, është një nga kryeveprat e tij. Poeti i shquar anglez, Alfred Tenison, mik i ngushtë i piktorit, i befasuar dhe i frymëzuar nga kjo pikturë, krijoi një poezi monumentale, katër vargjet e së cilës u vendosën në fund të tablosë, dhe më vonë si epitaf mbi varrin e Eduard Lirit: Tomorr e Athos, fron magjie,/ Vjen hije largët gjer te ne,/Një laps e një penel i bie,/ E ndiej si të isha vetë atje…Tomorri vërtet është një nga malet më të bukur të Shqipërisë, që i rri fushës së Myzeqesë dhe gjithë natyrës përreth si një monark i vërtet, sundimtar i fushës dhe i luginave të lumenjve të Osumit, Shkumbinit, Devollit e deri në Vjosë. Një detaj i tillë artistik nuk i ka shpëtuar vëzhguesit të kujdesshëm, poetit të mirënjohur Xhevahir Spahiu, kur shkruan: “Mjegulla u var, /mali s’duket më,/ fusha ka mbetur/ pa zot e pa  zë…