“Jam Shqiponjë e Tokës Labe”, jo vetëm në këngë, por edhe në të vërtetë!…

1059
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur vlonjate, Elefteria Dervishi

I këndon të gjitha këngët si të muzikës së lehtë, ashtu edhe populloret, por dëshirën më të madhe e ka të këndojë këngët popullore qytetare të Vlorës nga e ka origjinën. Është një këngëtare potente, plot dinamizëm që asnjëherë nuk tërhiqet. Jeta e saj në regjimin komunist ka kaluar një dramë të vërtetë, por ajo me punë dhe kurajo i ka kaluar të gjitha vështirësitë. Tashmë po përgatit albumin e saj të ri, që, sipas saj, do të ketë akumulimin e të gjithë eksperiencës së saj në vite.

Si e filluat rrugën e këngës dhe cila është kënga e parë që keni kënduar?

Kam filluar të këndoj që në moshë të vogël, për herë të parë kam kënduar para prindërve në Festën e Abetares!

Kush ju zbuloi si talent?

Mësuesi im i nderuar Bubush Osmani dhe më pas i madhi Reshat Osmani, të cilët më aktivizuan në festivalet e pionierëve.

Cili është klipi i parë juaji dhe ku e realizuat?

 Klipi im i parë ka qenë “Tundu-tundu Bejkë e Bardhë”, i cili është realizuar në Ben Art Studio

 Sa albume keni bërë dhe cili është albumi i parë?

Albumi im i parë është: Jam “Shqiponjë e Tokës Labe”, për të cilin punova me kompozitorin Mark Luli dhe Genci Malaj. Një ndihmëse të madhe më ka dhënë dhe miku im Artur Dhamo, të cilin dua ta përshëndes.  Sot këngëtarët janë me shumicë, por që të jesh vërtetë këngëtar është pak e vështirë sepse arti i muzikës është kthyer në biznes dhe jo të gjithë e kanë luksin të kenë aq lekë.

 Ju preferoni këngë qytetare, pse?

 Unë i këndoj të gjitha zhanret muzikore, por te kënga qytetare ndihem më mirë.

A jeni e kufizuar nga jeta private me këtë profesion?

Aspak, i kam punët të ndara.

 Në ideimin tuaj kush quhet njeri ideal?

Për mendimin tim nuk ekziston, që të njohësh një njeri duhet një jetë.

Kur e keni ndjerë veten me keq në profesionin tuaj?

Unë kërkoj gjithmonë nga vetja, asnjëherë nuk kënaqem, gjithmonë them “Ah, sikur të kthehesha dhe njëherë”!…

 Mendoni ta lini ndonjëherë këngën?

Për veten time kur të më lerë fryma do resht së kënduari.

 Cilat këngëtare me famë botërore janë idhull për ju?

 Më pëlqen shumë muzika greke Dhe për mendimin tim Mariza Ko dhe Marinela janë të pa arritshme, por së fundmi ndjek me kënaqësi Ana Visin. Nuk mund të themi që janë të vetmet, se ka plot…

Një përkufizim për dashurinë?

Dashuria është e bukur, po të dish të dashurosh.

Jeni supersticioze?

Më pëlqen të dëgjoj Horoskopin çdo mëngjes .

Marrëdhëniet me kuzhinën dhe kuzhina juaj e preferuar?

Jam një kuzhiniere shumë e mirë. Pëlqej kuzhinën tradicionale.

Aktualisht çfarë po bëni?

Kam një sallon bukurie në Fier.

Cilat janë problemet më pikante të femrës shqiptare sot?

Unë mendoj se ana ekonomike është ajo që i shqetëson më shumë femrat, në aspektin shoqëror sot janë më të lira.

 Mendimi juaj për bashkëjetesën?

Unë jam dakord për bashkëjetesën, sepse që të ndërtosh një familje të shëndoshë duhet ta njohësh mirë partnerin.

Ç’është familja për ju?

Gjithçka, kam dy djem të mrekullueshëm dhe një bashkëshort shok. Jetoj për familjen time.

Një ditë pune e zakonshme?

Në orën 9:00 më duhet të jem në sallon, sigurisht në pritje të klienteve të mia të dashura, deri në 13:00, kur shkëputem për pushimin e drekës dhe rikthehem në 16:30, natyrisht gjendem në punë deri sa të largohet klientja e fundit.

Ku preferoni t’i bëni pushimet?

Natyrisht si vlonjate më pëlqen bregdeti Jonian dhe nuk e ndërroj me asnjë vend të botës.

Marrëdhëniet me cigaren dhe pijet alkoolike?

 Udhëhiqem nga motoja: Duhani vret, edhe me alkoolin nuk i kam shumë mirë marrëdhëniet.

Çfarë bën kur nxehesh?

 I fus një tralala dhe jam “Ok”.

Veshja jua e preferuar?

 Më pëlqejnë veshjet klasike dhe sportive.

Çfarë vlerësoni tek një njeri dhe çfarë kritikoni?

 Vlerësoj sinqeritetin dhe kritikoj hipokrizinë.

Keni ndonjë peng në jetë?

Familja ime si shumë të tjera ka qenë e persekutuar dhe si e tillë, unë nuk mund të studioja atje ku doja. Peng më ka ngelur që nuk vazhdova një shkollë artesh.

 Kur ndiheni më mirë kur ju thonë jeni simpatik apo jeni inteligjente?

Pse jo më pëlqejnë të dyja, shkon më shumë kur thonë sa e mençur ajo bukuroshja, apo jo?

Cilat janë planet tuaja në sirtar në marrëdhënie me idetë profesionale?

Jam duke punuar për një album të ri për të cilin mendoj se do kohë të dali në treg . Ndërkohë, ky muaj ka qenë muaji i dasmave dhe kam qenë shumë e zënë te salloni.