Partizani-Tirana ndez kryeqytetin

595
Sigal

Derbi mungon që nga viti 2009. Të dyja skuadrat e kanë fituar secila nga 15 herë Kupën e Shqipërisë

Superderbi i kryeqytetit, Partizani-Tirana, i cili mungon që nga viti 2009, do të rikthehet sot në aksion në “Qemal Stafa” (19:00), kur të dyja skuadrat që së bashku kanë fituar 30 trofe në Kupën e Shqipërisë do të përballen në turin e parë eliminator të edicionit të 61-të të kompeticionit. Sfida pritet të ndiqet nga një numër rekord shikuesish, kjo dhe për faktin se nga viti 1947 dhe deri në vitin 2009, pra për gati 62 vjet me radhë ajo ka qenë ndeshja më e shumëpritur. Deklaratat nga të dyja kampet, përfshirë drejtuesit, trajnerët, futbollistët, dhe mesazhet në “Facebook” nga ana e tifozëve, e kanë ndezur para kohe derbin.  Ndeshja e fundit midis Partizanit dhe Tiranës është fiksuar, më 18 prill 2009, dhe ka qenë e vlefshme për sezonin 2008-2009. Ishte një barazim 2-2, por që nuk e ndihmoi dot Partizanin të shmangte “play-off”-in. Të kuqtë humbën 1-0 me Kastriotin dhe ranë në Kategorinë e Dytë.

SFONDI I SFIDËS

Tirana dhe Partizani e kanë fituar secila nga 15 herë Kupën e Shqipërisë, duke ndarë bashkërisht edhe rekordin e kompeticionit, por të dyja skuadrat e kryeqytetit, vijnë nga kategori të ndryshme të kampionatit shqiptar të futbollit: bardheblutë janë në Kategorinë Superiore (duke qenë e vetmja skuadër në Shqipëri, që nuk ka rënë një kategori më poshtë), ndërsa të kuqtë, pasi “shijuan” si rrallë herë dhe Kategorinë e Dytë, tani luajnë në Kategorinë e Parë. Të dy klubet kanë një histori të pasur kombëtare dhe ndërkombëtare, boll të kujtojmë se Partizani është ekipi i parë që është ndeshur në Kupën e Kampioneve (1963), ndërkohë që Tirana është skuadra që ka zhvilluar më shumë ndeshje në Europë, 74 takime. Problemet e shumta financiare e çuan Partizanin në Kategorinë e Parë (më pas edhe në të Dytën), ndërkohë që Tirana, aktualisht është një prej klubeve më të financuara në Shqipëri.

REKORDET BARDHEBLU

Tirana mban tre rekorde unike në vendin tonë, përsa u përket trofeve të fituara, që në total kapin shumën e 49 trofeve (rekord): 24 kampionate(rekord), 15 Kupa dhe 10 Superkupa të Shqipërisë (rekord). Tirana është fituesja e dy sezoneve të fundit të Kupës, por duke pasur në bankinë dy trajnerë të huaj: kroati Misho Kërsteviç (2011) dhe spanjolli Hulian Rubio (2012). Tani bardheblutë kanë në stol një ish-lojtar të tyre, Artur Lekbellon, që ka shansin të luftojë për trofeun e 16-të të kompeticionit, për të vendosur kështu primatin edhe në Kupën e Shqipërisë. Duke iu referuar vetëm Kupës së Shqipërisë, Tirana është fituesja e parë e kompeticionit – në vitin 1939, të zhvilluar me formulën e grumbullimit të pikëve, pra jo me një ndeshje finale, ndërkohë që bardheblutë janë dhe fituesit e fundit (2012). Tirana e ka fituar Kupën në këto vite: 1939, 1963, 1976, 1977, 1983, 1984, 1986, 1994, 1996, 1999, 2001, 2002, 2006, 2011 dhe 2012. Për herë të fundit, të kuqtë e kanë fituar trofeun në edicionin 2003-2004, kur mundën në finale 1-0 Dinamon. Trajner i Partizanit ishte Sulejman Mema.

PËRBALLJA E FUNDIT

Partizani dhe Tirana janë ndeshur për herë të fundit në Kupë midis tyre, në edicionin 2005-2006, pikërisht në çerekfinale, në dy ndeshje shumë të tensionuara dhe të pasur me gola dhe emocione, kur të dyja skuadrat ishin pjesë e Kategorisë Superiore. Tirana fitoi 3-2 në “Qemal Stafa” (më 15 mars 206), por me Partizanin si skuadër pritëse, dhe dy javë më pas, në ndeshjen e luajtur në “Selman Stërmasi” (29 mars 2006), gjithçka u mbyll në barazim 1-1. Bardheblutë kaluan në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 4-3.

 ______________________________________________________________________________________

“ULTRAS GUERRILS” KUNDËR “TIRONA FANATICS”

Ndeshja Partizani-Tirana nuk do të luhet vetëm në fushë, por dhe në tribuna. Madje atje spektakli pritet të jetë shumë i nxehtë. Tifogrupet e mirënjohura të dy skuadrave kryeqytetase, “Ultras Guerrils” të Partizanit, dhe “Tirona Fanatics” që mbështet Tiranën janë përgatitur prej kohësh për këtë derbi të munguar. Mbështetësit e Partizanit kanë përgatitur një flamur gjigant me logon e tyre, rreth 800 m2, ndërkohë që ata bardheblu kanë përgatitur një dekor të veçantë. Sigurisht, nuk do të mungojnë koret dhe këngët tradicionale. Prania e tifozëve të shumtë në dy kampet respektive i kanë dhënë jo vetëm bukuri seancave stërvitore, por ka rritur edhe adrenalinën e lojtarëve.

  ______________________________________________________________________________________

PARTIZANI DOMINON NË SFIDAT DIREKTE

Tirana (e themeluar në vitin 1920) dhe Partizani (i themeluar në vitin 1946) janë ndeshur 133 herë midis tyre në të dyja kompeticionet, me Partizanin që dominon dukshëm statistikat: 53 fitore për të kuqtë, 40 fitore për bardheblutë dhe 40 barazime. Secila nga skuadrat ka arritur nga një fitore me shifra të pabesueshme: Partizani fitoi 8-0 në vitin 1947, ndërsa Tirana triumfoi 7-3 në vitin 1985. Partizani ka shënuar edhe më shumë gola, madje 40 të tillë më shumë: 195 me 155.