Arlinda Morava: “Sopranoja lozonjare”, emër që më bën të ndihem mirë

712
Sigal

INTERVISTA/ Flet sopranoja Arlinda Morava “Sopranoja lozonjare” e Bukureshtit

Është quajtur “Sopranoja lozonjare” pasi rolet që ka luajtur, janë role shumë komike, lozonjare, si pjesët e Moxartit,  operetat e Shtrausit, apo rumunë  si Alexandru Petrescu që është më i miri apo tipik për pjesë lozonjaresh. Ditët e fundit ajo dha në TOB shfaqjen e parë me pjesë të përpunuara në kuadrin e 100-vjetorit të të marrëdhënieve bilaterale Shqipëri-Rumani. Ajo u surpriza nga pritja e publikut. Jo më shumë se një vit më parë ajo mori në Rumani çmimin VIP  me rolin e Papagenës tek “Flauti magjik” i Moxartit. Dhe pse të lindur dhe të rritur në Rumani dy djemtë e saj flasin shqip.

  Si lindi dashuria juaj për artin?

Ah, dashuria ime për artin lindi që kur isha fëmijë. Më pëlqente  të këndoja në shtëpi, por u angazhova më shumë në korin e kishës tek Shën Anoi, (San Antonio). Nëna ime më thoshte që e vogël do të bëj soprano, nga mënyra e tingujve që qaja apo nga zëri  që më dilte kur bërtisja..aaha..Çudi. Në vitet e rinisë shkova në Bukuresht dhe mbasi aty mbarova shumë mirë dy vitet e gjuhës rumune (isha me një bursë) mendova se si do ecte jeta ime, përse do të vazhdoja. Pra duhej marrë një vendim. Atëherë nëna ime më tha të vazhdoj për kanto. Duhej të konkurroja këtu në Bukuresht. E mirëprita.

 U përgatite për konkurrim dhe si?

Pasi vendosëm së bashku me nënën shkuam dhe takuam Nina Mulën, ku me të fillova të mësoj tre pjesë. Njëkohësisht ajo më ndihmoi dhe me të bijën, Adelinën, e cila është një pianiste shumë e mirë. Ndërsa një ndihmë të madhe më ka dhënë në solfezh dhe Çesk Zadeja. Ai më adresoi tek zonja Sula, përsëri për solfezh. Pra bëra një përgatitje me disa nga këngëtarët dhe krijuesit më të mirë të operistikës shqiptare.

 Konkursin e zhvilluat në Universitetin e Arteve të bukura në  Bukuresht? A kishte aty ndërhyrje, miq, apo konkurrim i ndershëm, korrekt/

Po. Aty konkurrova dhe fitova për kanto. Këto gjërat e dyta aty as mund të mendoheshin, as të shkojnë në mendje. S’ka mik në art, në kanto. Mik është zëri, është interpretimi. Mentalitete të tilla je shqiptar, mongol, çeçen, etj.. Më vlerësuan shkëlqyeshëm. Rumunët janë popull shumë paqësor, me kulturë të lashtë në operistikë. Ju e dini se, Rumania mbetet vendi që ka mbajtur më mirë emigrantët shqiptarë, apo aty janë botuar disa gazeta në shqip. Është vendi më shqiptardashës.

Koncertet e tua të para?

Kam luajtur qysh në kohën kur unë isha studente, kryesisht me pjesë të vogla, siç bëhet kudo kur je studente. Pasi mbarova universitetin shkova me një bursë në Zvicër, ku bëra dhe masterin dhe aty luajta në dy opera Rekueim të Moxartit. Kjo ishte premiera e parë. Fill mbasi mbarova masterin dhe dhashë këto pjesë, u ktheva në Rumani ku fillova të luaj pjesë operetash, komedi  muzikale, opera baroke, një tango,  shumë pjesë të stileve të ndryshme. Por të gjitha këto pjesë janë bazuar tek klasicizmi.

 Diku kam lexuar në një gazetë se ju kanë vendosur në Rumani një epitet të këndshëm lidhur me interpretimin e bukur…

(Qesh). Po më kanë quajtur “Sopranoja lozonjare” ngaqë rolet që kam, janë role shumë komike, lozonjare, si pjesët e Moxartit,  apo operetat e Shtrausit, apo rumunë  si Alexandru Petrescu që është më i miri apo tipik për pjesë lozonjaresh.

Kush është kompozitori më tipik rumun për pjesë operash që njihet dhe jashtë?

Është Xhorxh Enescu, që ka bërë shumë pjesë për instrumente, ndërsa kontemporan, është Alexandru Petrescu, por ka dhe të tjerë.

 Po të vijmë për premierat tuaja?

Shumicën e roleve të mia janë premierë, pasi jeta në skenë është jo aq shumë e madhe. Por nuk kam bërë një verifikim të saktë. Qoftë opera komike për fëmijë, qoftë opera, qoftë operetë, të gjitha janë premierë dhe s’i kam kushtuar atë rëndësi numrash, por jam kujdesur për cilësinë, për arritjen e rezultatit.  Janë shumë role.

 Cili ka qenë roli më i bukur, që ka pasur rezultatin më të madh në skenat rumune?

 Roli Papagenës tek “Flauti magjik” i Moxartit, ku mora çmimin VIP. Kjo në vitin 2012. Dua të theksoj se, edhe vetë opera mori këtë çmim. Me këtë rast u dhanë katër çmime speciale për artistët lirikë që interpretuan në këtë pjesë.

 Po jashtë Rumanisë?

Njëkohësisht kam marrë vendin e dytë në një konkurs të organizuar në Salzburg, për pjesët Moxartiane. Ishte një konkurs dinjitoz me pjesëmarrjen e shumë vendeve, kur Rumania kishte një pozicion shumë të mirë.

 Një vend i madh Rumania me 6 opera…

 Rumania ka një traditë 200-vjeçare në drejtim të operës, pra është një nga vendet me histori.  Po them atë çka njoh dhe lexoj, se rumunët janë muzikantët ndër më të mirët në botë pas rusëve. Ata kanë traditë shumë në opera mund të themi që është një ndër vendet më e dashuruar me operën sigurisht, pas Italisë, Anglisë apo Francës. Rumania të jep shumë shanse në fushën e muzikës. Janë artdashës, dashamirës që të vlerësojnë n.q.s ke merita. Kanë edukatë, me elegancë dinë të të respektojnë dhe nuk ka kurrfarë shenja racizmi.

 Keni një bashkëshort rumun, ndiheni e realizuar?

 Besoj se po. Kam një bashkëshort artist, i cili më kupton dhe më mbështet. Në shumë drejtime ai më del në krah. Ndihem një femër e respektuar që gjej mbështetje. Nuk e di si do të isha me një bashkëshort shqiptar…. (qesh).

 Të dy artistë, është më e lehtë jeta e mirëkuptimit?

Sigurisht, është e lehtë. Një artist e kupton artistin për vonesat, për daljet e shpeshta jashtë, për shoqërimin me meshkuj. N.q.s nuk do të ishte një bashkëshort artist, ahere duhej të kishe një bashkëshort liberal që të të kuptonte. Por kjo është shumë e vështirë. Duke kuptuar profesionin, duke qenë pjesë  e tij, bashkëshorti më kupton dhe më ndihmon. P.sh koncertet janë në orën  tetë deri në 10, pastaj zhveshja, veshja, largësia nga shtëpia bën që të shkosh në orën 12:00 atëherë patjetër që n.q.s nuk do të kishe një bashkëshort artist nuk do t’i kuptonte këto, po ashtu nuk do kuptonte stresin, daljen në publik.

 Ju këto ditë ishit në Shqipëri, ku dhatë një koncert të veçantë me këngë të përpunuara? Ky koncert u zhvillua në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve bilaterale Shqipëri-Rumani. Si u ndjetë?

  E mrekulluar. Do dilja para publikut të vendit tim. Isha shumë e emocionuar.  Unë vij për herë të parë në Tiranë, ku luajta në TOB e Tiranës, erdha me pjesë shqiptare të përpunuara klasike si “Perëndeshë e bukurisë”, “Kur në krua shkon”, “Trëndafili i çelur” dhe pjesë operete rumune. Salla ishte tejmbushur, jashtë çdo parashikimi. Jam gëzuar së tepërmi. Kjo tregon se publiku shqiptar për çdo ditë po e shton dashurinë për operën.

Kush i kishte përpunuar këto pjesë shqiptare?

I ka përpunuar mjeshtri i madh i operistikës rumune  Christian Alexandru Petrescu. Ka punuar me to shumë kohë dhe me shumë përgjegjësi.

 Kush e realizoi këtë aktivitet?

E realizoi Ambasada Rumune në bashkëpunim me violoçelisten, soliste, Klara Bregu, e cila është  dhe pedagoge në Universitetin e Arteve. Pra znj.Klara ishte ajo që mbuloi gjithçka në këtë aktivitet me orkestrën e Universitetit të Arteve, ku kishte shumë pedagogë, ku kryesonte Lorenc Radovani. Dua të falënderoj veç znj. Klara Bregu edhe pianisten e talentuar Klejda Bare që është dhe një pedagoge shumë e mirë.

 Kush ishte vështirësia në këtë koncert?

Ah, mua dy ditë përpara koncertit më zuri gripi. Isha në stres shumë të madh pasi zëri nuk është instrument që mund ta ndërrosh një pjesë. Por zoti më nderoi më dha fuqinë e duhur.

 Si veprohet në rastet kur sëmuret një këngëtar?

Atëherë n.q.s është recital, shtyhet shfaqja duke lajmëruar publikun. N.q.s ndodh në opera ti je gjithmonë e dubluar. Deri tani asnjëherë nuk e kam shtyrë shfaqjen.

Keni rreth 16 vjet në Rumani dhe keni dy djem. A e flasin ata gjuhën shqipe?

Po, e flasin të dy dhe mund të them se dhe im shoq komunikon shqip.

Si ndihesh në Tiranë?

Mos më fol më shumë. Ndjej mall.

 Në sa vende të botës keni dhënë shfaqje?

Thuajse në të gjithë Europën, në Katar, Dubai, në Japoni tre javë dhe së afërmi do shkoj në Kinë.

 Keni ndonjë peng?

Unë kam një zë lozonjar dhe do të doja të kisha një zë më të fortë për role më të plota. Doja të luaja Karmenin që s’do ta bëj kurrë.  Më pëlqen Toska, Otello, Vagneri…

   “SHQIPËRIA, TOKË LEGJENDË’ një koncert që u zhvillua në Rumani, ku përcollët krijimtarinë muzikore shqiptare, si u bë i mundur ky aktivitet ?

E ndërmora si sfidë personale, por isha e bindur se pa ndihmën e personaliteteve rumune,  atyre që kanë njohje ndaj kulturës shqiptare, nuk do ia dilja mbanë.  U organizua në Sallën e Koncerteve të Radio Rumanisë në Bukuresht, me rastin e festave të fundvitit. Në këtë koncert u interpretua “Moj e bukura more”, “Perëndeshë e bukurisë”, “Kur në krua shkon” dhe “Kur më vjen burri nga stani”. Të cilat u mirëpritën. Mund ët them se ishte një koncert i suksesshëm.