Dritëro Agolli: Planin e rakisë jo e kam realizuar, por e kam tejkaluar

558
Fuat Memelli
Ndër vizitat e para që bëra në Tiranë, ishte ajo te shtëpia e Dritëro Agollit. Vitin e kaluar, nuk e takova dot, pasi atë kohë nuk ishte mirë nga shëndeti. Si gjithmonë, Dritëroi e Sadia, të presin zemërhapur, ndaj aty të duket vetja si në shtëpinë tënde. Sa shumë miq e shokë, kanë pritur e përcjellë ata, njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme: shkrimtarë, poetë, intelektualë, fshatarë, punëtorë, politikanë, etj! Familja e tyre nuk ka “qibër”, ndaj njerëzit kanë dëshirë ta vizitojnë Dritëroin e Sadien, të shkëmbejnë ca fjalë me ta, të pinë një gotë raki, të bëjnë shaka, një fotografi… Sadia vuri përpara dy gota me raki, një për mua e një për Dritëroin. 

Atij ia kishte mbushur pak. – I bën dëm, thotë Sadia, prandaj e ka pakësuar mjaft. –E ka realizuar planin e rakisë Dritëroi, them unë. –Jo e kam realizuar, por e kam tejkaluar, thotë ai. -Paske lënë mustaqe dhe të shkokan, i them unë. – I lashë se kisha një puçërr poshtë hundës dhe më bezdiste. Thashë ta mbuloj puçrrën me mustaqe dhe ashtu bëra. Thirra edhe një berber që m’i rregulloi ca dhe tani jam mustaqeli, thotë me shaka Dritëroi. Ndër pyetjet e para që i bëra, ishte ajo për shëndetin. -Tani jam më mire, tha Dritëroi, por para 8 muajsh, theva këmbën dhe pata problem. Më kanë vendosur hekur. Kjo gjendje më bllokoi brenda. -Na ka bllokuar të dyve, ndërhyn Sadia, pasi unë ri gjithmonë me të. -Po ndonjë ashensor, a mendohet të vihet, të pallati juaj?-pyes unë. -Kohët e fundit është bërë një projekt dhe mund të vendoset. Janë disa familje që kanë kërkuar të bëhet. Ato mendohet edhe të paguajnë, pasi janë më mirë ekonomikisht. -Po shteti, a do kontribuojë?- pyes unë. –Shteti jo, nuk është ndier, thonë ata. Nuk është ndonjë investim i madh për shtetin, të kontribuonte për të vendosur një ashensor te shtëpia ku jeton shkrimtari ynë i shquar, që i ka dhënë a shumë letërsisë shqipe. -Po për ngritjen e shtëpisë tuaj muze, a ka ndonjë lajm të ri?- pyes unë. 

– Nuk ka ndonjë gjë të re, thonë ata. Dritëroi nuk ka edhe ndonjë merak të madh për ndërtimin e saj, thotë Sadia. Ndërhyn pastaj Dritëroi. -Në botë shtëpitë muze zakonisht bëhen pas vdekjes së personit. Unë kam parë në Rusi shtëpi të tilla dhe ato janë ndërtuar pas vdekjes figurave të shquara. Ai ka edhe një mendim tjetër për shtëpitë muze. – Ato duhet të jenë të thjeshta, ashtu si ka jetuar populli ynë, ashtu siç ka jetuar personi që i kushtohet. Lezetin muzeu e ka te shtëpia e vjetër, por ajo nuk ekziston. Shtëpinë tonë e mori shteti pas Çlirimit. Më pas aty u bënë ambiente për kooperativën dhe ajo u dëmtua. Në truallin tonë kanë ngritur shtëpi fshatarët kështu që kjo nuk realizohet. -Ne nuk mund t’ia prishim shtëpitë fshatarëve, thotë Sadia. Ajo që do bëhej diku gjetkë në Menkulas, ka mbetur në mes të rrugës. Të dy më folën pastaj për dokumentarin tim “Devolli-djepi që përkundi devollinjtë”. E kemi parë disa herë dhe na pëlqen shumë. 

Na pëlqejnë njerëzit punëtorë të Devollit, këngët e vallet, natyra e bukur e tij. -Vjeshta ka një bukuri të rrallë në Devoll, thotë Dritëroi. Më pëlqejnë shumë sidomos gjethet e qershive në atë stinë. Marrin një ngjyrë të kuqërremtë, që nuk e kanë gjethet e pemëve të tjera. Veç të jesh aty mes tyre! Klova minuta të tëra te çifti Agolli, të cilat ikën pa u kuptuar. Me që s’do jem këtu në muajin tetor kur ai ka ditëlindjen, i dhashë një dhuratë simbolike. Bëra edhe një foto e u largova, me dëshirën që kur të vij pas një viti në Shqipëri, t’i takoj prapë. Duke dalë nga shtëpia, po mendoja. Sivjet më 13 tetor, Dritëroi ka 85 – vjetorin e lindjes. Me përjashtim të Shoqatës “Devolli” që sivjet e ka shpallur “Vitin e Dritëroit” e organizoi edhe një veprimtari në fshatin e tij të lindjes, Menkulas, askush tjetër nuk është kujtuar. Mbi të gjitha nuk është kujtuar shteti, Ministria jonë e Kulturës si dhe struktura të tjera. Kjo është një ditëlindje jubilare dhe duhet të përkujtohet, ashtu siç e meriton Dritëroi. Me veprën e tij të pavdekshme, ai e ka thënë fjalën e vet, e ka ngritur “muzeun” e kujtesës së tij. Me thjeshtësinë që e karakterizon, ai nuk kërkon temenara, pasi “ngopet” me dashurinë e lexuesve dhe miqve të tij të shumtë, por shteti ynë ka obligime ndaj figurës dhe veprës së tij. “Rilindja”, e cila është në pushtet, ka edhe një obligim më tepër ndaj tij, pasi Dritëroi ka vënë gurë themeli te Partia Socialiste. 
Sigal