Dëbimi i dy diplomatëve rusë, reagon ambasada e SHBA në Tiranë

    129
    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar pas dëbimit të disa diplomatëve rusë si përgjigje ndaj helmimit të një ish-agjenti rus në Londër, ku përgjegjëse dyshohet pikërisht Rusia.
    Në krah të vendeve që kanë dëbuar diplomatët rusë është edhe Shqipëria e cila vendosi të shapllë ‘non grata’ Vladislav Filipov, atasheh ushtarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës ruse.
    Përmes një reagimi në Facebook, ambasada e SHBA i bën thirrje Rusisë të marrë përsipër përgjegjësinë për veprimet e saj.
    “Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Rusisë të marrë përsipër përgjegjësinë për veprimet e saj dhe t’i tregojë botës se është e aftë të përmbushë angazhimet dhe përgjegjësitë e saj ndërkombëtare si anëtare e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, në mbështetje të paqes dhe sigurisë kombëtare”- thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë.
    Kujtojmë se SHBA urdhëroi dëbimin e 60 diplomatëve rusë ndërsa Gjermania dhe Franca vendosën dëbimin e 4 diplomatëve rusë. Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk deklaroi se 14 shtete të BE-së kanë dëbuar nga vendet e tyre diplomatët rusë, pasi blloku e konsideron përgjegjëse Rusinë për helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, në Salisbury në Britani të Madhe.