Korrupsioni galopant, institucionet nuk gjejnë dot rrugën e pastrimit të parave

685
Është paradoks, që në Shqipëri të ketë shkallë shumë të lartë korrupsioni dhe ende para drejtësisë të mos shkojë asnjë zyrtar i lartë, në rangun e drejtorit të Përgjithshëm, ministër, kryeministër, aktualë dhe ish-drejtues të institucioneve të drejtësisë, që të gjykohen për korrupsion. Edhe pse ne kemi institucione kushtetuese, sikurse Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, sërish, kjo drejtori nuk ka mundur, deri më sot, që të gjejë gjurmët, rrugët e pastrimit të parave nga korrupsioni dhe inkriminimi i zyrtarëve dhe politikanëve tanë. Dhe, me gjithë këto, dje Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave raportoi në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, kur në fokus të diskutimit është pastrimi i parave. Drejtori i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arlind Gjokutaj deklaroi se gjatë vitit 2017 janë referuar 401 raste të dyshuara për pastrim parash dhe janë sekuestruar rreth 9 milionë euro. Domethënë, këto sekuestrime parash, janë bërë vetëm për disa persona që janë dënuar për aktivitete kriminale, por jo për korrupsion dhe për bashkëpunim të krimit me zyrtarë dhe segmente të caktuara të pushtetit. Kujtojmë, se ish-ministri i Brendshëm, Saimit Tahiri dhe disa drejtorë të drejtorive të policisë në Qarqe akuzohen për bashkëpunim me trafikantët ndërkombëtarë të drogës. As për këtë çështje kjo drejtori nuk ka mundur që të hetojë rrugët dhe bashkëpunimin e pastrimit të parave. “Viti 2017 ka qenë intensiv për institucionin tonë. Po bashkëpunojmë me Prokurorinë, Policinë dhe SHISH dhe ka elementë për të rregulluar. Kemi referuar 401 raste të dyshuara për pastrim parash. Gjatë vitit 2017 ka pasur 52 urdhra bllokimi për 11.2 milionë euro dhe janë sekuestruar rreth 9 milionë euro. Kemi bashkëpunim të drejtpërdrejtë me KPK, si dhe kemi shkëmbyer informacione me ndërkombëtarët në nivel Shërbimi Inteligjent. Kemi verifikuar rreth 7000 persona për aktivitet të dyshimtë për pastrim parash”- tha Gjokutaj. Gjokutaj i është përgjigjur edhe pyetjes së përfaqësueses së PS, Elona Gjebrea në lidhje me pretendimet për financimin rus të PD. “Nuk shprehem për çështje që janë në hetim dhe kjo çështje po hetohet nga Prokuroria”- tha Arlind Gjokutaj. Në komision nuk munguan as batutat, teksa deputeti i PD, Ervin Salianji tha, se grupi parlamentar i PS vlen më shumë se Reali i Madridit. Ervin Salianji: Si ka mundësi që grupi parlamentar Socialist vlen më shumë se Reali i Madridit,. Sipas llogaritjeve që kam bërë unë, duke parë pasuritë e deklaruara rezulton se vlejnë më shumë se Reali, i cili përllogaritet se vlen 44 milionë euro?!
Sigal