Bordistët e SHKURSH zbulojnë “punën sabotuese” të z. Mullalli

    65

    Në zbatim të detyrës së marrë, keni “zbuluar punën time sabotuese” dhe bëni publike drejtimet kryesore të saj. Pas kësaj “gjëme” që ndodhi, një i zgjedhuri juaj, me shaka më tha: “Me këto që ke bëre, mund të dënohesh rëndë, se ata janë gardë e vjetër”.

    Ju të tre e keni vendosur veten në rolin e zbuluesve dhe prokurorëve të SHKURSH. Para se të merrni vendimin, si gjyqtarë për “dënimin tim”, po ju jap shpjegimet që keni kërkuar.

    Keni “zbuluar” se, unë kam një mandat dhe mision për të sabotuar punën e shoqatave, por nuk dini kush fshihet pas meje dhe objektivat e kujt dua të realizoj.

    Në momentet e përgjumjes tuaj brenda “bunkerit”, shihni ëndrra të liga, me armiq. Unë nuk jam armiku juaj, ju më sulmoni vetëm se nuk mendoj si ju. Jini të qetë se, misionin dhe mandatin ma ka dhënë qenia ime ushtarak për 30 vjet dhe statusi im i sotëm si ushtarak në rezervë. Kush është prapa meje dhe objektivat e kujt dua të realizoj?! Këtë e gjeni po të dilni nga “bunkeri”, sepse përvoja që keni fituar si “investigues” nuk ju mjafton. Ju nuk mund të më diktoni, kë të takoj, si të bisedoj, si të mendoj, si të shkruaj dhe si të jap kontributin tim, si anëtar, i zgjedhur apo i pa angazhuar.

    Keni “zbuluar” se, qëllimet e mija dua t’i realizoj në bashkëpunim me “armikun e jashtëm” CIOR, se ju kam kërcënuar se po nuk reaguat, me një grup kolegësh do të vëmë në dijeni CIOR-in. “Bashkëpunim në grup”. Ju si bord “të diturish”, më sqaroni statutin e programin e CIOR, më jepni si paradhënie dhe përgjigjen e mundshme që do të na kthejë CIOR. Kushtetutën e CIOR, të ndryshuar në Bruksel në mbledhjen e dimrit në 5 shkurt të vitit 2010, nuk e keni lexuar dhe reflektuar ju në Statusin tuaj të vjetruar të vitit 2002. Sa jeni ju në pajtim më kushtetutën e CIOR, dhe me ligjet e shtetit tonë, do të jetë objekt i një shkrimi tjetër, ku do të bindeni se jeni në mospajtim me to, se kushtet kanë ndryshuar, po ju nuk i shihni. Ju nuk shikoni as pasaportat dhe librezat tuaja të pensionit. Keni harruar se ndërrimi i sportelit të pensionit, është një apel për të riparë pozicionin tuaj në SHKURSH. Nga misioni i CIOR dhe ligji i shërbimit ushtarak të FA, del se në shoqatën tuaj kanë vend kryesisht rezervistët, deri në moshën 50 vjeç etj.

    Ju keni “zbuluar” se, unë dua të fus shoqatat e ushtarakëve nën sqetullat dhe pelerinat e partive politike, me synim që ato të humbasin identitetin e tyre.

    Thelbi mendimeve të mia, ka qenë konstant. Nëse nuk konkurrojmë me kandidatë të pavarur dhe opsioni i krijimit të partisë së ushtarakëve është i pamundur, bashkëpunimi me një parti tjetër është “një e keqe e domosdoshme”. Për këtë duhet të bëhet një marrëveshje bashkëpunimi, duke ruajtur identitetin dhe mëvetësinë, duke braktisur bashkëpunimin pa kushte apo në kushte vasaliteti, bashkëpunimin me disa parti apo koalicione partish njëherësh, apo bashkëpunimin për interesa individuale. Për më tepër, jam shprehur që nuk duhet të gënjehemi nga partitë, të mos jemi më “numërorë të thjeshtë topi ” për partitë, të mos luajmë rolin e mbushësit të kutive të votimit për to dhe mos i hedhim votat tona në shumë xhepa të pakontrolluar dhe abuzivë. Partitë na duan të përçarë, që të marrin votat e pjesës tradicionale të tyre si një “llokmë qyli”, pa dhënë asgjë në këmbim të tyre, si ka ndodhur këto dy dekada. Do të jetë marrëzi dhe naivitet që dhe kësaj here, të keqpërdoremi prej partive etj. Nëse mundeni, gjeni ato mendime që tentojnë t’u “montojnë” shkrimeve të mija, këta tre bordistë investigues, që flasin për sqetulla apo pelerina partish, kur vetë kanë vite që janë poshtë tyre dhe djersa rrëzë sqetullave partiake, ju është bërë si ushqimi i përditshëm.

    Keni “zbuluar”, se unë dua që shoqatat të mos ekzistojnë më, duke i bërë ato pjesë të partive që drejtojnë ushtarakët, shokë të mijë. “Bashkëpunim në grup”.

    Në vazhdim të idesë që “bashkëpunimi me një parti është një e keqe e domosdoshme”, jam shprehur se një opsion interesant, mund të jetë negocimi dhe bashkëpunimi me një parti që drejtojnë ushtarakët. Koha e kufizuar e dikton këtë bashkëpunim dhe siguron modalitetin ligjor për të garuar me siglën e njërës prej tyre (nëse pranojnë ata), por me kandidatë të shoqatës. Për ju nuk ekziston askush tjetër, veç atyre që keni në “bunkerin” tuaj, ndaj dhe ushtarakët drejtues partish, shpejtoni t’i paragjykoni dhe etiketoni, si bashkëpunëtorë e shokë të mijë. Pse nuk pranoni as të bisedoni për këtë variant bashkëpunimi me kolegët tuaj ushtarakë drejtues partish, që besoj se ju hapin derën dhe zemrën pa trokitur fare. Kur këtë qëndrim e mbani ju, që nuk e keni problem të trokisni në çdo derë partie, për të marrë ndonjë “kockë personale”, ky është një qëndrim absurd.

    Meqë ju harroni, qëllimisht ( jo nga mosha), ju rikujtoj që në vitin 2011, për të realizuar të njëjtin qëllim, kam qenë në një “grup tjetër sabotues” së bashku me zotërinjtë z. Kroj dhe B. Mane. Ky është infiltrim dhe në udhëheqjen tuaj të lartë. Këtë nuk e zini me gojë, sepse e dini mirë që presidenti juaj i nderit z. Kroj dhe anëtarësia e SHKURSH, janë kundër jush, janë për ribashkimin e shoqatave dhe do t’ju nxjerrin përfundimisht dhe juve nga “bunkeri” i ndarjes.

    Morali juaj për raportin shoqatë – parti jo vetëm nuk ngjit, por është i pabesueshëm dhe absurd, sepse ju jeni anëtarë të një bordi, ku presidenti juaj ka qenë anëtar i asamblesë të PS dhe ka hapur mitingjet e saj. Kjo nuk është si ajo pelerina partiake që tentoni të ma vishni mua, por është një gunë leshi rozë, që i jep ngjyrën rozë, krejt shoqatës. Ku ishit ju bordistët “pluralistë”, në atë kohë? Pse nuk keni folur, pse kafshuat gjuhën dhe nuk kërkuat zbatimin e statutit? Juve vetëm për këtë shkak duhet të largoheni nga bordi i shoqatës, sepse jeni, jo vetëm servilë, por komprometoni, misionin dhe qëllimin e saj. Kur drejtuesi vesh kostumin politik rozë, automatikisht, mbyllen dyert e SHKURSH, për kolegët tanë me bindje të djathta. Nuk e kuptoni që në këtë mënyrë shoqata bëhet bisht i një partie të caktuar? Ky është raporti korrekt parti-shoqatë, që më jepni “leksion” mua? Pas këtij veprimi, a mundet që ju të më thoni së, unë nuk di të ndaj shoqatat nga partitë, se dua t’i fus ato nën sqetullën apo pelerinën e tyre, se dua që ato të humbasin identitetin dhe të mos ekzistojnë më, se nuk e di që vota dhe bindja politike e ushtarakëve është e ndryshme, se vota është e lirë, individuale dhe nuk diktohet etj. Vërtet jeni bordistë të “paparë”, të papërgjegjshëm dhe fodullë. Juve ju gënjen mendja dhe kujtoni se duke vegjetuar prej vitesh në ato karrige prej betoni, brenda “bunkerit” tuaj, keni ndonjë kulturë shtesë, politike, ligjore, drejtuese apo organizative në raport me ne të tjerët që nuk jemi të zgjedhur, jemi anëtarë të thjeshtë apo të paangazhuar.

    Ideja ime për krijimin e një partie të ushtarakëve për të garuar në zgjedhje me siglën e saj, ju duket opsion provokativ dhe i pamundur dhe kur këtë ide e ka thënë presidenti juaj dikur, ju është dukur joshëse, intriguese, e mundshme dhe e dobishme. Mesa duket ëndrrën e bukur, me shefin tuaj kryetar dhe me juve si drejtues të asaj partie, nuk e shihni më (ky është një ogur i mirë). A nuk e kuptoni se shefi juaj, në këtë prag zgjedhjesh të vonuara të SHKURSH, ju ka hedhur në tregun mediatik, për t’u djegur, sepse keni 7 vjet që po e asfiksoni SHKURSH dhe “misioni” juaj ka mbaruar dhe nuk i vleni me askujt!! Qëndrimi “në bunker” apo mosha ju ka mpirë, deri në atë masë sa, ushtarakët që janë jashtë bunkerit tuaj ju duken “armiq”. Ju, çuditërisht nuk ndjeni as shkëputjen e Degës së Laprakës, e cila nga momenti i bashkimit nuk është më pjesa  juaj, ajo po funksionon në mënyrë të pavarur, sepse nuk e gjen veten më brenda jush. Bashkimi u bë fakt në Laprakë dhe nga ai moment vendi im është në Degën e Ushtarakëve të Laprakës, por si të gjithë pa kartë anëtarësie. Bëhuni burra dhe pranojeni realitetin e bashkimit të ushtarakëve të Laprakës dhe na firmosni kartat e anëtarësisë me dy firma si komandanti dhe komisari dikur(deri sa te bashkoheni dhe ju, në qendër). Realiteti i gjendjes së ushtarakëve sot është i dhimbshëm. Lidershipi PD ka një urrejtje patologjike për ne. Kjo urrejtje e shprehur me gojë, është materializuar në praktikë duke e përkeqësuar gjendjen tonë dhe duke na vendosur në kushte diskriminuese, në kufijtë e mbijetesës. Sot shteti, më keq se në vitin 1996, po na shkel me këmbë dhe ne durojmë të përulur dhe të poshtëruar, duke gjetur dhe kohë të mburremi apo shajmë njëri-tjetrin. Është koha të heqim dorë nga llafet dhe të investojmë për ribashkimin e ushtarakëve. Bashkëpunimi dhe ribashkimi, nuk kanë asgjë të përbashkët me shkrirjen, asimilimin apo humbjen e identitetit të asnjë shoqate. Bashkimi institucional i shoqatave në një të vetme, çon në bashkimin e votave të ushtarakëve për interesat e tyre dhe hap rrugët për gjetjen e mbështetjes ligjore, për të na dhënë ne dhe familjeve tona, mundësinë që në vitin 2013 të kemi si alternativë zgjedhore Shoqatën e Ushtarakëve të Bashkuar dhe me votën tonë të çojmë përfaqësuesit e saj të drejtpërdrejtë në parlament. Shpresoj që ushtarakët, kudo që të ndodhen, të bëjnë presion maksimal, për ribashkimin tonë.