Beteja e Savrës dhe faza e re e ndërhyrjes osmane në trevat shqiptare

    146

    Në disfatën e forcave shqiptare në Savër gjeti vdekjen Balsha II, që ishte bërë shprehës i aspiratave për krijimin e një shteti të përqendruar shqiptar

    Niko FERRO

    Andrea LIKO

    Ardhja e ushtrisë osmane në tokat shqiptare përkonte me një situatë plot tensione, përçarjesh, grindjesh dhe luftërash “midis vedi”. Feudalët shqiptarë, për të ruajtur privilegjet, si dhe për të shtrirë sundimin përtej territoreve që kishin, ndesheshin egër me njëri-tjetrin. Ndonjë syresh,  duke kërkuar ndihmë nga jashtë, bëri një gabim që do i kushtonte rëndë Shqipërisë, për gati 500 vjet. Kuptohet, një gafë e tillë nuk mund të mos binte në sy për një perandori, e cila që në gjenezën e saj kishte synime ekspansioniste ndaj Perëndimit. Ndaj dhe e shfrytëzojë mjaft mirë  këtë dobësi tipike shqiptare.

    -Shkaku i luftës së Savrës

    Fuqizimi i Topiajve në Shqipërinë e Mesme dhe i Balshajve në Veri, çoi dora-dorës në ballafaqimin e në ndeshje frontale midis tyre. Me marrjen e Durrësit Karl Topia filloi të fuqizonte flotën e tij detare, sikundër vepronin në këto vite edhe Balshajt në Budua, Tivar e Ulqin, duke ngjallur kështu shqetësimin e Republikës së Venedikut që i njihte vetëm vetes të drejtën e sundimit të saj në Adriatik. Ndërkaq koha punonte për Balshajt. Nën udhëheqjen e Gjergjit I, Balshajt e shtrinë pushtetin e tyre deri në Prizren e Novobërdë në Veri. Madje, u  fuqizuan edhe në tregje të Shqipërisë së Mesme. Principata arriti kulmin e lulëzimit të saj nën Balshën II (1379-1385), i cili përfshiu në kufijtë e saj treva të gjera të Shqipërisë Jugore. Me shtrirjen e gjerë principata e Balshajve e kishte rrethuar e vënë në mes atë të Topiajve, e cila ishte bërë pengesë për njësimin e trevave të zotërimit të Balshajve në veçanti e atyre shqiptare në përgjithësi. Në këto rrethana, e vetmja zgjidhje ishte lufta; njëri nga rivalët duhej të mënjanohej. Një luftë e tillë, duket se u bë përderisa Durrësi në prill të vitit 1385 ishte në duart e Balshës II. Madje, ai e quajti veten dukë të Durrësit. Në këtë mënyrë zotërimet veriore dhe ato jugore të Balshajve u lidhën midis tyre me një vazhdimësi territoriale, pra me viset e Arbërisë së Mesme, duke krijuar në këtë mënyrë shtetin më të madh mesjetar arbëror. Pushteti suprem i Balshajve, në fakt duhet të jetë shtrirë edhe në një pjesë të viseve të sotme të Maqedonisë Perëndimore. Është fjala për Ohrin me rrethinë, që siç dihet, pas vitit 1380, ishte nën sundimin e princit të Arbrit, Karl Topisë. Pra ky i fundit, logjikisht u ndodh nën pushtetin suprem të Balshës II, i cili me sa duket, në funksionin të këtij realiteti të ri, edhe një herë ua vërtetoi tregtarëve raguzanë të gjitha privilegjet, të dhëna  me  parë  nga i vëllai i tij Gjergji I dhe ai vetë. Këto suksese të Balshajve shpejt ranë nën hijen e rrezikut osman. Rrjedhimisht në dhjetëditëshin e parë të gushtit të vitit 1385, Balsha II, përmes ambasadorit të tij njoftonte Republikën e Venedikut se osmanët sulmonin e shkretonin atdheun e tij për çdo ditë. Prandaj nëse nuk do t’i jepej ndihma sa më shpejt, zotërimet e tij do shpartalloheshin. Por Venediku për një sërë faktorësh politik, e la Balshën II të vetmuar përballë rrezikut osman. Në mungesë burimesh historike, zakonisht rënia e Kosturit dhe e Ohrit nën sundimin osman, lidhet me ekspeditën ushtarake osmane të vitit 1385. Një ushtri osmane prej 5000 vetash, arriti deri pranë Beratit. Balsha II, u njoftua për këtë inkursion. Bashkëpunëtorët e tij feudalë e këshilluan që t’i ikte konfrontimit me ushtrinë osmane deri sa të mblidhte në ushtri të madhe. Ndërsa ai, me nxitim dhe pa  përgatitjen e duhur, vetëm me 1000 kalorës  marshoi nga Durrësi dhe doli përpara armikut. Beteja u zhvillua më 18 shtator 1385,  në fushën e Savrës, pranë Lushnjës. Si rezultat i luftimeve të përgjakshme, u vranë shumë ushtarë nga të dyja palët. Në mesin e tyre qe edhe vetë Balsha II. Koka e tij u çua si trofe lufte  në Stamboll. Ata liruan Durrësin nga ushtria e Balshës në favor të Karl Topias, i cili i kishte  ftuar, duke pranuar edhe vasalitetin. Fitorja e betejës i dha mundësi ushtarëve osmanë që të pushtonin Beratin, më pas Krujën etj., të cilat i mbajtën përkohësisht derisa ua lëshoi zotëruesve të mëparshëm. Në lidhje me betejën e Savrës shtrohen këto pyetje: Pse nxitoi Balsha II të hidhej menjëherë në sulm kundër osmanëve, ku në dispozicion kishte vetëm 1000 kalorës? Kush i udhëhiqte osmanët? Më poshtë po paraqesim edhe një hartë të territorit të Lushnjës, dhe rrjedhën e vjetër të lumit Apsus-Seman. Në hartë paraqitet edhe këneta e Tërbufit. Mbështetur në burimet historike të sipërpërmendura, vërejmë se Balsha II me vetëm 1000 kalorës mund të ketë shfrytëzuar elementin befasi duke u rënë osmanëve nga pas ose nga anët; ai kishte dhe avantazhin e njohjes së territoreve. Por osmanët ndoshta mund ta kenë diktuar dhe kanë pritur të afrohej. Edhe kjo përsëri ngelet një hipotezë. Një tjetër problem mbeten kufijtë e fushës së Savrës në mesjetë, për të cilën realisht nuk kemi një ide të saktë ku fillonin dhe mbaronin. Ndërkaq nuk mohoj faktin se disa autorë kanë dhënë informacione të përgjithshme se ku mund të jetë zhvilluar beteja. P.sh Mauro Orbini (historian i cili ka jetuar në shek. XVI-XVII) shkruante se kjo betejë është zhvilluar pranë “fushës së Poponës”?, ndoshta shkenca e gjuhësisë mund të ndihmonte në zbërthimin e kësaj fjale?  Një tjetër autor përmendim Attilio Brunalti (në Revistën Nuova Antologia 1881 f,232) i cili e përshkruan fushën e Savrës si “I campi di Berath” (fushat e Beratit) ku u shfaqen për herë të parë ushtarët osman. Për t’iu rikthyer edhe një herë elementit befasi të Balshës, mendojmë se opsioni më i mirë për të kapur në befasi ushtrinë osmane përkon me një vend të ngushtë dhe ky vend përkon me “Urën e Kuçit” prej këtu mund të pengoje kalimin e ushtrisë osmane drejt Beratit. Ndoshta beteja mund të jetë zhvilluar diku aty pranë gjithsesi fjalën e fundit i ngelet arkeologjisë.

     Për t’i përgjigjur pyetjes se kush i printe osmanët, mësojmë nëpërmjet burimeve historike se,  udhëheqësi i ushtrisë ishte Timurtash Pasha, Bejlerbeu i Rumelisë. Në lidhje me figurën e Timurtash Pashës ekzistojnë pak të dhëna. Mendohet që ky të ketë lindur aty rreth vitit 1310, në Bursa. Mësojmë se ishte biri i Ali Begut, (një tjetër luftëtar i shquar i Perandorisë Osmane). Thuhet se ishte nga periferia e Bursës, (sot qytet turk). Për herë të parë Timurtash Pasha citohet gjatë sundimit të Sulltan Muratit I, ku në vitin 1363 nën komandën e tij pushtoi qytetin e Zagras, Yambolin (1365), e më pas Kizil Agaç. Në kronika të ndryshme emri i tij shënohet edhe si Murtasi, njëkohësisht ai mbante edhe pseudonimin “pushtuesi i qyteteve”. Fillimisht ai mbajti gradën komandant i ushtrisë osmane. Falë organizimit të mirë të ushtrisë dhe fitoreve të shumta, ai ra në sy të mirë tek Sulltani, i cili e shpërbleu me gradën gjeneral. Në vitin 1375 ai u bë Guvernator i Rumelisë. Fakti se si Timurtash Pasha arriti të emërohet në një post kaq të rëndësishëm, është vështirë të thuhet me saktësi.

    Inkursionet e osmanëve në viset e Shqipërisë së Jugut vazhduan me frekuencë më të dendur në vitet që pasuan, më 1381, 1382 e sidomos më 1384, kur ushtria osmane, e drejtuar nga vetë bejlerbeu i Rumelisë, Timurtashi, mbërriti deri në muret e Artës e u largua pasi mori me vete skllevër të shumtë nga zotërimet e Shpatajve. Ndërkaq osmanët zunë bazat e para të qëndrueshme në Maqedoninë Perëndimore, Përlep e Manastir. Duke u nisur prej këndej, në vitin 1383, Timurtashi goditi zotërimet e Karl Topisë, në veri të lumit Shkumbin, duke e shtrirë zonën e operacioneve ushtarake në Shqipërinë e Veriut. Disfata e forcave shqiptare në Savër, ku gjeti vdekjen Balsha II, që më mirë se cilido sundimtar tjetër shqiptar ishte bërë shprehës i aspiratave për krijimin e një shteti të përqendruar shqiptar, shënoi një fazë të re të ndërhyrjes osmane në trevat shqiptare. Duke filluar nga ajo kohë, nis pushtimi vërtetë i qëndrueshëm i tyre.