Bardhyl Saliaj e Luan Meta, dy nga njerëzit e mirë të Tepelenës

    745
    Sigal

    Edhe Tepelena e “ashpër” ka njerëz të butë, madje shumë të tillë. Natyrisht, nëse “gërmon”, gjithkujt  mund t’i zbulosh një “cen”, siç thuhet në gjuhën popullore. Por në rastin konkret, mendoj se kemi “zgjedhur” dy njerëz të mirë, për të cilët jam i bindur, se nuk do të ketë asnjë “mbledhje buzësh” prej tepelenasve kudo që janë. Këta janë intelektualët Bardhyl Saliaj e Luan Meta. Bardhyli dhe Luani, janë dy nga njerëzit e mirë të Tepelenës, që vazhdojnë të jetojnë e kontribuojnë atje, në Tepelenën e tyre të dashur. Opinioni i ka “certifikuar” me vlerësimin si njerëz paqësorë, punëtorë, dashamirës, kontribuues e humanë në sjellje e zemër, pjesë aktive dhe e pa bujë e komunitetit brenda të cilit gjenden. Edhe pse qëndrojnë përherë bashkë si në foton e shkrimit, menduam që profilet e tyre t’i përshkruajmë veç e veç, mbasi secili ka “bashkësitë”, por dhe veçantitë e veta…

     Bardhyl Saliaj, njeriu që përcjell edukatë, mendje e paqe tek të gjithë

     Ditën kur u ndodha në Tepelenë, kisha vendosur që të vetmen kafe në qytetin e Ali Pashë Beçishtit, ta pija me dy miqtë e mi, vëllezërit Mehmet e Maliq Muçi. Mirëpo dëshira ime nuk u plotësua, mbasi ata më propozuan diçka tjetër: “Kafen do ta pimë, por edhe me një shok tjetër, me një tepelenas më të nderuar se ne, dy vëllezërit”. Ashtu u bë. Na çoi tek Pallati i Kulturës i qytetit, në një kafene verore, me shërbim poshtë hijes së një rrapi me degë të zgjeruara e të varura në formën e një tende natyrale të stërmadhe. Poshtë atij rrapi, në një tavolinë pinte kafe “shoku dhe miku i mirë” i dy vëllezërve Muçi, personazhi ynë Bardhyl Saliaj. Ishte së bashku me bashkëshorten e tij Lulëzimen dhe me kreun e bashkisë Tepelenë Tërmet Peçin. Natyra e qetë, fjala e shtruar, mirësjellja qytetare e shkallës sipërore, vlerësimi për bashkëbiseduesit, kultura e lartë e Bardhylit, më bënë shumë përshtypje tek ky burrë me pamje engjëllore. Kjo ishte pikënisja, për të shkruar për të në gazetë. Madje, këtë dëshirë ma nxitën dhe dy vëllezërit Muçi. Tepelenasit e njohin Bardhylin dhe fisin e tij me “rrënjë e dhëmballë”. Po përmendim, ato që thonë, që dinë e vlerësojnë tepelenasit për punën dhe jetën e tij. Bardhyli edhe pse në moshë të tejkaluar pune, vazhdon e kontribuon në bashkinë e Tepelenës, si këshilltar. Nuk punon për “rrogë”, por për ndjesi, për përkushtimin ndaj zgjidhjeve që kërkojnë njerëzit, që qeverisja lokale të jetë sa më eficente. Ndihet mirë kur njerëzit “i hapin zemrën”, i qajnë hallet, i kërkojnë mbështetje. E konsideron vlerësim, kur kreu i bashkisë Tërmet Peçi, nëpunësit e pushtetit lokal, specialistët i kërkojnë mendime për problemet administrative e organizative që lindin. Bardhyl Saliaj ka përvojë mbi 40 vjeçare si drejtues politik, administrativ e pushteti lokal, deri përpara vitit 1993, kur ish-politika dhe ç’qeverisja e “ekonomisë zero” e largoi nga puna për spastrim politik e jo për paaftësi. Bardhyli e ka nisur jetën e tij mes vështirësish të shumta, por me këmbënguljen për t’u bërë i zoti për vete, i nderuar për familjen, i vlefshëm dhe i respektuar për shoqërinë. Përherë ka qenë drejtues i aftë, i respektuar në zonat dhe ndërmarrjet ekonomike ku ka drejtuar. Në vitet 1969-1972, nisi dhe vazhdoi punën si kryetar kooperative në Izvor, ku edhe tokën baltovinë, argjil e shtuf të kësaj zone e tjetërsoi në tokë buke e pemëtore. Në vitet 1972-1997, drejtoi në zonën malore të Progonatit prej të cilës u largua me rezultate të larta në punë dhe me dashurinë e madhe të progonatasve e të krejt banorëve të 5 fshatrave të Kurveleshit. Në vitet 1977-1983, u caktua në kooperativën Dukaj, të cilës me drejtimin e tij eficent 6 vjeçar i “dhuroi” civilizim, ekonomi të stabilizuar e harmoni komunitare. Deri në vitin 1990, mbi 6 vjet punoi si drejtor i Parkut të Mallrave në Memaliaj, ku dhe mbahet mend e vlerësohet për zemër të madhe, për drejtim të suksesshëm në punën e këtij sektori jetik, që kishte lidhje me transportin e qymyrgurit në mbarë vendin. Ishte viti 1991, kur iu besua sektori i Alb-Turizmit në Tepelenë, për t’u larguar nga puna, prej pushtetit të vitit 1992. Prej 3 vitesh, Bardhyli punon këshilltar në bashkinë e Tepelenës. Tashmë është duke jetuar kënaqësinë për vitet e punës së tij, duke shijuar respektin e tepelenasve, të njerëzve me të cilët ka punuar e jeton. Por këto vite, Bardhyli së bashku me zonjën e tij Lulzimen, këtë bijë familjeje fisnike nga Malasi i Tepelenës, po jeton edhe duke u “çlodhur” shpirtërisht me mbarësinë e familjeve të tre fëmijëve të tij Qazimit, Ilirit e Djanës, që jetojnë larg Shqipërisë.

    Luan Meta, qytetar e familjar model, intelektual që “flet” dhe me poezi

    Kur Bardhylit i kërkova fotografi për gazetën, ai më dha një fotografi, ku kishte dalë së bashku (siç më tha) me një mikun e tij të mirë. Krahë tij në foto, ishte Luan Meta, një profesor i njohur, kualitativ, i përkushtuar dhe i nderuar në Tepelenë, Memaliaj e disa zona ku ka punuar. E kam njohur dhe unë “profesor” Luanin, mbasi së bashku me të në një lagje, shkollë e rrugica në Memaliaj, kemi kaluar fëmijërinë dhe rininë tonë, por dhe disa vite punë në minierë. Më ka mbetur në kujtesë si njeri korrekt, skrupuloz në punët dhe angazhimet që merrte përsipër. Ai është lindur në qytetin Memaliaj, djalë i dy prindërve të nderuar punëtorësh Fahrije e Ismail Meta, të cilëve për mbi 30 vjet u ka “kërcitur kurrizi” gjatë punës mbi e nëntokë në minierë, për të rritur e shkolluar Luanin dhe tre fëmijët e tjerë. Luan Meta ua përligji denjësisht këtë sakrificë prindërve, duke u bërë një profesor i zoti e dinjitoz, një qytetar e familjar model. Për shkak të “motiveve të mbrapshta” të sistemit të deri vitit 1990, Luan Meta provoi disa vite punë nëntokë në minierë, së bashku me aktorin Agron Llakaj, futbollistin Foto Strakosha, me poetët Vasil Vasili, Sadik Bejko, Sejmen Gjokoli, Petrit Ruka e Ilirian Zhupa. Pas krijimit të familjes, Luani vendoset me punë e jetesë në Tepelenë në disa pozicione si drejtor i Pallatit të Kulturës, si drejtor i Shkollës së mesme “Abaz Shehu”, si specialist kulture në bashkinë e Tepelenës e tashmë si mësues, profesion që e do shumë dhe i përkushtohet shpirtërisht e profesionalisht. Ka kryer studimet e larta universitare në Gjirokastër, në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe. Në Tepelenë i thonë “profesor” për shkak të profesionit, por së pari me sa kuptuam, këtë ia thonë për shkak të sjelljes, mendimit që përcjell në mjedisin shoqëror e intelektual, të afrimitetit që krijon, të shembullit që jep. Është njeri, që nuk vuan nga “sëmundja” e ndasive të njerëzve sipas bindjeve politike e pozicioneve publike. Për sytë, mendjen dhe zemrën e Luanit, tepelenasit, kolegët, fqinjët, zyrtarët, politikanët, rojet, hamejtë, bujqërit, taksistët, kamerierët, barinjtë, policët, biznesmenët e deri tek lypsarët janë të barabartë në të drejtën e tyre, sipas modelit dhe interesave të tyre. Ai i respekton të gjithë. Madje jetën që e rrethon ai e “gatuan” edhe poezi. Është autor i disa librave poetikë, redaktor, recensent, konsulent i librave poetik e prozaikë të miqve të tij krijues të njohur tepelenas si Çerçiz Myftari, Vasil Vasili, Pertef Liçaj, Izet Çulli, Timo Bushi, Veledin Durmishi, Xhezo Canaj etj. Nëse Luan Meta e konsideron vetën një “grimcë kontribuuese” në Tepelenë”, vetë tepelenasit thonë, se Luan Meta bën pjesë në atë “pjesë” qytetarësh, profesionistësh e intelektualësh, për të cilët shoqëria ka patur dhe ka nevojë t’i ketë pikë referimi të nevojshme të mendimit dhe punëve.