Banorët e Ishmit 2 javë pa ujë të pijshëm, s’funksionon Ujësjellësi i ri

482
Sigal

Protestuesit: Mungesa e ujit dhe shpeshherë e energjisë po na rikthen në mesjetë. Flet Kryetari i Komunës, Sulejman Ibrahimi

Në Komunën e Ishmit mbi 3500 banorë të të katër fshatrave kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm prej disa kohësh. Për shkak të gjendjes së rëndë që kanë lidhur me këto kushte shumë të vështira jetese që u janë krijuar, ditën e enjte ata janë mbledhur dhe kanë protestuar duke kërkuar që të riparohet Ujësjellësi dhe të bëhet funksional për të zgjidhur problemet e popullsisë. Kanë qenë banorë të 4 – 5 fshatrave të kësaj zone. Mungesën e ujit sipas autoriteteve të Komunës e vuajnë Lalëzi, Biza, Draçi, Fushë-Draci dhe Shetaj që ndodhet edhe në pikën më ekstreme të këtij rajoni. Ata janë tashmë krejtësisht pa ujë. Mungesa e ujit dhe shpesh e energjisë elektrike, janë shprehur disa banorë sikur na ka rikthyer në mesjetë. Mos funksionimi i Ujësjellësit ka pasur impakt në jetën e fshatit. Deputeti Gazmir Bizhga thotë se pas kaq vitesh ata i janë kthyer ngarkesave të ujit të pijshëm me kafshë barre dhe plotësimit të nevojave me puse. Sipas kontaktit telefonik me Bizhgën pas protestës fshatarët e Ishmit kanë shprehur shqetësimin për mos vënien në eficencë të Ujësjellësit, për të cilin ka qenë vënë në dispozicion një sasi lekësh si investim prej 320 milionë lekësh të vjetra.

Dyshimet e banorëve

Banorët kanë deklaruar se, ka mbi 2 javë që nuk u ka shkuar pikë uji në banesa dhe se duhet ndërhyrë që Ujësjellësi të rivihet në funksion, pasi ndërtimi i Ujësjellësit të ri ka rezultuar i dështuar. Dyshojnë për cilësi të dobët dhe allishverishe në këtë investim. Ndërkohë që atyre nuk u është përgjigjur edhe Ujësjellësi i Durrësit. Ata kanë thënë se Ujësjellësi nuk është marrë në dorëzim nga organet lokale. Kryeplaku i fshatit Draç ka tërhequr vëmendjen se është e turpshme që një zonë turistike me mjaft emër siç njihet kjo zonë, të lihet në këtë gjendje. Dhe se edhe pak muaj na ndajnë nga sezoni turistik dhe nga kjo dëmi do të jetë mjaft i madh, pasi turizëm pa ujë nuk mund të ketë. Ndërkohë që Ujësjellësi i vjetër i ndërtuar në vitet ‘80 nga ndërmarrjet e qytetit të Durrësit, NSHMN dhe ORMN, ka qenë mjaft funksional dhe me një konstruksion tubash me diametër 108 mm. Sa që duken edhe me sy të lirë vende-vende në rrugën e vjetër e të lënë pas dore tashmë. Ujësjellësi i ri me këtë investim shumë milionësh është ndërtuar, por pasi janë bërë provat e ujit, ka rezultuar se ka defekte dhe se, sipas banoreve, tubacionet e ujit nuk janë në linjë niveli për të çuar ujin nga depo në destinacionin e kërkuar. Shtrirja e rrjetit të Ujësjellësit që duhej për t’u shërbyer më mirë banorëve të zonës. Nga banorët mësohet se faji hidhet nga njëra portë në tjetrën.

Ibrahimi: “Është abuzuar me fondet, tubacionet u çanë që javën e parë”

Kryetari i Komunës së Ishmit, Sulejman Ibrahimi , thotë se gjendja e Ujësjellësit është shumë e keqe. Pavarësisht se janë investuar 320 milionë lekë tubacionet janë shumë të dobëta si material dhe kanë filluar të çahen në çdo metër. Nuk zgjatën më shumë se një javë. Kështu që, këtë vit nuk do të kenë ujë. Për këtë sezon turistik dihet se sa i rëndësishëm është uji. Ka mundësi që nuk ndërhyhet në Ujësjellës për arsye politike. Sipas tyre, banorët thonë se duan ujin që u mungon. Le ta zgjidhë Ujësjellësi. Po Ujësjellësi ka heshtur deri tani për të zgjidhur ketë hall jetik të mijëra banorëve të 5 fshatrave të Ishmit, të cilët jetojnë në ekstremin verior të rrethit të Durrësit…