Ilirjan Sulkja:Nis edicioni i 17-të i Maratonës Rinore në Elbasan, ja risitë

618
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Ilirjan Sulkja, drejtor i teatrit “Skampa” në Elbasan

Ka nisur edicioni i 17-të i Maratonës Rinore në Elbasan. Këtë vit do të ketë më shumë çmime dhe më shumë surpriza. Në një intervistë për “Telegraf”, drejtori i teatrit “Skampa”, Ilirjan Sulkja tregon për risitë e këtij viti, shkollat që do të marrin pjesë, si do të bëhet ndarja e çmimeve dhe si janë përzgjedhur anëtarët e jurisë.

Ka nisur edicioni i 17-të i Maratonës Rinore, ç’mund të na thoni për këtë event?

Ashtu si çdo vit ka nisur në qytetin e Elbasanit edicioni i 17-të i Maratonës Rinore, me udhëheqës artistik, Edmond Rrapi dhe Producent drejtorin e teatrit “Skampa”.

Sa shkolla marrin pjesë në këtë maratonë?

Në edicionin e përvitshëm marrin pjesë 7 shkolla së bashku me universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Maratona do të zgjasë rreth 11 net së bashku me dy gjysmë finale dhe natën finale.

Cila është e veçanta e këtij viti?

E veçanta e këtij edicioni është se për të parin vit marrin pjesë dhe të gjitha shkollat 9-vjeçare të qytetit (vetëm nxënësit e klasave të 8-ta dhe 9-ta). Dhe për herë të parë dhe top-modelja më e mirë do të marri pjesë tek “Miss Shqipëria” që organizohet nga Petri Bozo.

Si janë përzgjedhur anëtarët e jurisë për edicionin e 17-të?

Juria përbëhet nga shtatë anëtarë nga gjini të ndryshme të artit (këngë, koreografi, aktrim, etj.). Bashkudhëtare në këtë aktivitet është Bashkia Elbasanit, Organizata Joqeveritare etj., por ky aktivitet zhvillohet nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë Elbasan, z.Qazim Sejdini. Çmimet do të ndahen në natën finale, ku do të jetë prezent dhe Kryetari i Bashkisë z.Qazim Sejdini.

Si do të bëhet ndarja e çmimeve?

Çmimet do të ndahen për këngën e lehtë dhe atë popullore, vallen popullore më të mirë, kërcimi modern më i mirë, humori më i mirë, top -modelja e parë, prezantuesi më i mirë, etj.. Te gjithë fituesit e natës finale do të marrin dhurata nga AMC, Marina Spoza, OJF PÇ dhe top-modelja më e mirë merr pjesë tek “Miss Shqipëria” që organizohet nga Petri Bozo.