Avokati i Popullit, 16 rekomandime për rikthimin e drejtësisë për pronat

    439
    Rekomandimet e Avokatit të Popullit për pronat kanë të bëjnë me:
    1. Marrjen e masave të menjëhershme që mundësojnë shqyrtimin në një afat sa më të shpejt të kërkesave të administruara për njohjen me të drejtë kthimi apo kompesimi të pasurive të paluajtshme.
    2. Miratimin sa më parë të jetë e mundur i listës së pronave që vihen në dispozicion fizikë, sipas shkronjave “a” dhe “b” të nenit 11 të Ligjit Nr.9583, datë 17.07.2006, si dhe mënyrat e vendosjes së këtij fondi në dispozicion të AKKP”. 
    3. Marrja e masave për evidentimin e të gjithë vendimeve administrative dhe gjyqësore të dhëna prej vitit 1990, e deri më sot, sipas të cilave është vendosur për njohjen, fitimin e të drejtës së pronësisë së paluajtshme apo një të drejte reale mbi atë, si dhe dërgimin e tyre për regjistrim pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme përkatëse. 
    a). Për pronat e paluajtshme të zëna me objekte shtetërore, ka ndodhur që subjekteve të shpronësuara nuk u është dhënë mundësia e ushtrimit të së drejtës së parablerjes mbi këto objekte kur ato janë privatizuar. 
    b). Lidhur me krijimin e një mekanizimi të ri efikas për kompesimin e subjekteve të shpronesuara gjatë regjimit komunist, si dhe transformimit dhe rolit të AKKP-së, në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave pronarëve të shpronësuar
    4. Nxjerrjen rregullisht të aktit nënligjor për kompesimin financiar të të shpronësuarve për çdo vit në bazë të Ligjit nr.10 239, datë 25.02.2010 “Për krijimin e fondit special të kompesimit të pronave”.
    5. Publikimin e fondit të kompesimit fizik sipas V.K.M. nr. 1077, datë 18.06.2008 “Për krijimin e fondit të kompesimit fizik nga fondi pyjor dhe kullosor”.
    6. Publikimin e fondit të kompesimit fizik sipas V.K.M. nr. 868, datë 18.06.2008 “Për krijimin e fondit të kompesimit fizik nga fondi i tokës bujqësore”.
    7. Krijimi i databases dhe pozicionimit hartografik të pronave për të cilat disponohen nga AQSH, Kadastrat, (sot – ZAMT) në Qarqe, Hipotekat (sot – ZVRPP), të dhëna pronësie para zbatimit të Ligjit “Mbi reformën agrare”, Viti 1946.
    8. Përfundimin e procesit të regjistrimit fillestar sistematik të pronave ne ato zona kadastrale ku është vendosur per njohjen dhe kthimin/kompesimin e pasurive të paluajtshme. (Pasi pengohet pajisja me kartele pasurie si dhe harte treguese e pasurise së paluajtshme e të interesuarve qe kane përfituar sipas Ligjit “Për kthimin dhe kompesimin e pronës”).
    9. Rritjen e shkallës së koordinimit midis institucioneve që trajtojnë çështjet e pronësisë
    10. Përfundimin e kthimit dhe kompesimit të pronave, të legalizimit dhe atij të vlerësimit të titujve të pronësisë brenda afateve ligjore.
    11. Përfundimin sa më pare të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme dhe dixhitalizimin e të dhënave.
    12. Futjen në sistemin e regjistrimit të tokave të ndara në pronësi familjeve bujqësore në shumë zona të vendit, nëpërmjet sigurimit të fondeve financiare dhe burimeve njerëzore për Zyrën Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
    13. Ngritja e komisioneve të veçanta dhe nxjerrja e akteve ligjore dhe nënligjore për zgjidhjen përfundimtare të pronësisë se tokës bujqësore, të marrë në përdorim nga subjektet përfituese, si ish punonjës të Kooperativave dhe Ndëmarrjeve Bujqësore.
    14. Rishikimin e modaliteteve për kompesimin në mënyrë që të reflektojnë udhëzimet e dhëna nga GJEDNJ për çështjet e pronësisë.
    15. Kompesimi, siç parashikohet nga Ligji nr.9235, datë 29.07.12004, “Për kthimin dhe kompesimin e pronës”, të ndryshuar, të mos kryhet kryesisht në të holla, por të shihet me përparësi përdorimin e metodave alternative të kompesimit.
    16. Llogaritjen e numrit të përgjithshëm të vendimeve administrative që njohin të drejtën e pronësisë, me të drejtë kompesimi, me qëllim llogaritjen e shumës së përgjithshme të kompesimit.
    ****
    Ilir Vata/Ligji 7501, kushtetuta e neodiktaturës për pronat
    Politika pos diktaturës ka mbajtur në pozitë ligjin ogurzi 7501 si për t’i vënë damkën shtetit së është i ngjashëm me atë të diktaturës si dhe për të treguar se ligjet e shtetit zbatohen vetëm në gjysmën e territorit të vendit, pasi Veriu e ka shpërfillur këtë ligj. Ditë më parë ndërsa diskutohej projektligji për pronat, grupet e interesit kundërshtuan me forcë këtë projektligj për menyrën sesi qeveria ka zgjedhur t’i jap fund mbylljes së këti procesi, që në fak është një proces antikushtetues dhe bie ndesh me ligjet e saj. Kushtetuta e RSH garanton të drejtën e pronës si një nga të drejtat themelore të njeriut e pikërisht në neni 41, pika 1-5, neni 42 pika 1-2, neni 43 paragrafi i parë, si më poshte; Neni 41: 1. E drejta e pronës private është e garantuar. 2. Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil. 3. Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë. 4. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë. 5. Për mosmarrëveshjet lidhur me masën e shpërblimit mund të bëhet ankim në gjykatë. Neni 42: 1. Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor. 2. Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj. Neni 43: Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, përveçse kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe. Mbi këtë parambul ligjore siç është kushtetata në krye të hirarkisë së ligjeve dhe mbështetur dhe nga konventa ndërkombëtare e të Drejtave të Njëriut dhe institucionet e tjera ligjore, shteti shqiptarë ngërdhesh paligjshmërinë në mënyrën më të pështirë duke përligjur të drejtën e pronës 25 vite pas rënies së diktaturës. Ligji 7501 është një ngërë i madh në zgjidhjen e problemit të pronave dhe ai u la nga regjimi diktatorial dhe ish- presidenti i fundit komunist Alia, u pasua nga Berisha, Nano dhe po trashëgohet si një ogur i keq për t’i vënë damkën se Shqipëria mbetet enden një vend gjysëm-komunist përsa i përket pronave një nga liritë bazë të qytetarëve. Ky ligj famkeq është nyja e zezë e shteti demokratik, mohimi i të drejtës së pronës, mundësia e vjedhjes së pronave të tjetrit, mundësia e shtetit për të qenë pronari më i madhe i tokave, tamam një shtet me tipare të pastra diktatoriale. Egzistenca e këtij Ligji, jo vetëm shpronëson pranarët e ligjshëm, pra i ka shpronësuar në një nga mënyrat e vjetra të diktaturës duke e marrë pronën me dhunë të ligjshme, por garanton vijueshmërinë e vjedhjes së tokës nga pushtetarët e ndyshëm e në qeveri të ndyeshme dhe më keq akoma sa të jetë ky ligj invesitorët e huaj do t’i rrinë tangent Shqipërisë. Kryeministri premtoi një program të ri për trajtimin e tokës në fshat, por si?! Derisa ligji 7501 e ka kryer efektin e tij ligjor duke pajisur punonjësit e koprativave dhe NB-ve me 2200 m tokë për frymë, pse duhet të jetë në fuqi? Çdo ligj i padrejtë duhet rrëzuar thuhet në një postulat të vjetër të SHBA. Në kohë të ndryshme madje që nga koha e Bizantit dhe më vonë në kohë të Perandorisë Osmane në Shqipëri territore të ndryeshme të vendit nuk u janë bindur legjislacioneve të tyre por kanë përdorur “Të drejtës zakonore”. Edhe ligji 7501, një ligj i padrejtë, shpikje e diktatorit komunist Alia funksionon vetëm në Shqipërinë e Mesme dhe në Jug, pasi Veriu e ka konsideruar të padrejtë dhe nuk i është bindur.
    Kundërshtimi i opozitës
    Edhe opozita e ka kundërshtuar projektligjin për pronat duke pohuar se “Projektligji Rama për moskompensimin e pronarëve është dhunim i hapur dhe i papranueshem i të drejtave legjitime të pronarëve. Ai bie në kundërshtim me detyrimet e Shqipërisë para Këshillit të Europës dhe është në kundërshtim të plotë me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. PD do ta kundërshtojë deri në fund këtë projektligj. Ne jemi në krah të pronarëve”, ka thënë lideri opozitar por nuk përmend thelbin e ligjit 7501. Basha, harron se në qeverisjen e PD, ligji 7501 ka qënë kushtetuta e demokratëve që kanë propoganduar në emër të pronarëve dhe të përndjekurve thjesht për t’u marrë votat, por në të vërtetë ashtu si presidenti i fundit i diktaturës Alia, ka vepruar Berisha, dhe trashgimtarët e tjerë të politikës dhe me të njëjtën forcë komuniste po sfilon edhe sot. Pushtetarët që përdhosin kushtetutën duhet të kallëzohen penalisht dhe për këtë ligji është në pozitë të përballet me cilin do shtetas që me dhe pa dashje shkelën ligjet e kushtetutës, por këtu qëndron problemi se në Shqipëri ligjet janë të mira në kuptimin formal dhe nuk zbatohen ato kanë efekte vetëm tek të dobtit dhe qytetarët e thjeshtë. Kjo është shenja e një shteti anarkik, ku posti politik blihet, ku gjykata dhe drejtësia blihet, ku ligji nuk funksionon për çdo qytetar, apo me keq kur vepron në gjysmën e teritorit të vendit tregon se Shqipëria nga diktatura ra në neodiktaturë anarkike dhe vazhdon në këtë gjendje stanjacioni për 25 vjet, për të vetmin fakt se trashëgimtarët e diktaturës duan të bëjnë demokraci me mjete diktatoriale dhe format e saj. Nuk mund të ketë një projektligj që bie ndësh me kushtetutën, një ligj si 7501 që sfidon hirarkinë më të lartë të shtetit, që është antikushtetues, mundësia e vjedhjes së tokës dhe damka që verteton se në Shqipëri format e diktaturës janë prezent dhe po mbajnë peng të ardhmen e shqiptarëve.
    Çuditë “ligjore” me pronat e shqiptarëve
    Llukan Saqellari
    Som
    Çuditë “ligjore” me pronat s’kanë të sosur e të rrëfyer. Thuhet se tani u erdhi fundi. Por një plak i mençur nga anët tona pat thënë: “për hair fundja”! Ndaj dua të denoncoj para Komisionit të Reformës për Pronat dy çudi që s’i lan as lumi e as përroi. Nuk jam jurist e nuk di të flas me terma juridike të kokolëpsura, po besoj se shumica e lexuesve do të më kuptojnë. I ndjejnë në kurriz pasojat e tyre, ligje a VKM qofshin.
    Njëra çudi flet për 300 metër truall që i takon çdo familje që banon në fshat a qytet qoftë. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) nuk të njeh më shumë se kaq! Para disa vjetësh kaloi një regjistrim dhe fotografim i përgjithshëm ku gjithë ato familje me banim në fshat u regjistruan. Regjistrimi u bë me tendër që kushtoi qidra miliona. Dhe regjistruesit kaluan si “prifti me kusi”. Kë gjetën e regjistruan e gjatë punës që e bënë shpejt e shpejt lanë familje pa regjistuar, vendosën kufij që sot nuk i përgjigjen të vërtetës, u ndryshuan drejtimin rrugëve sidomos në fshatra. Po nuk harruan të darovitin ata që do të firmosnin “vërtetësinë” e regjistrimit dhe vrapuan të merrnin milionat! Sa familje mbetën pa u regjistruar! Po zgjidhja u gjet. U vu shënimi “truall shteti”. Shumë familje nuk u njohën me këtë regjistrim. Pasojat e sotme janë alarmante. Shembujt vijën nga disa komuna në Gjirokastër, ku pronarët e vërtetë të trojeve të trashëguara po sorollaten ZRPP se këto lista sot janë baza e regjistrimit, e marrjes së certifikatës së Pronësisë. Edhe artikullshkruesi, pronar i ligjshëm i truallit e shtëpisë, denbabaden, banor prej 13 vjet në fshat, prezent edhe në kohën e regjistrimit, nuk njihet nga ZRPP. Paçka se ka paguar faturën e certifikatës para tre vjetësh, po atë ende nuk ia kanë dhënë! Persona, pasardhës të pronarëve të dikurshem vijnë në fshat me dokumenta në duar, kryesisht të vitit 1946, po ç;të shohin: Truallin e tyre të trashëguar e ka zënë ose komshiu, ose figuron pronë shtetërore dhe rropaten zyrave të ZRPP pa kryer dot punë. Shumë pronarë legjitimë nuk u gjenden prezent për shkak të lëvizjeve demografike. Tani kthehen me dëshirën e mirë të ringrënë shtëpizën e gjyshit a babait. Vijnë me premtimin e pambajtur se “dokumenti më i vjetër i pronësisë, rrëzon më të riun”.
    Rasti i dytë
    Çudia tjetër është ajo që mohon “pronën fshatçe”. Nëpunësit e administratës, madje dhe gjyqtarë nuk e kanë idenë e pronës fshatçe ndaj e mohojnë. Brezi i tyre nuk e ka jetuar. Nuk e njeh dhe shteti këtë lloj pronësie dhe thotë se “fshatrat nuk janë subjekte juridike”. Kjo e drejtë i njihet vetëm Komunës ose Bashkisë. Për rrjedhim kullotat janë shitur prej tyre! Përkthyer në gjuhën popullore “kanë ushqyer korrupsionin”. Le t’u bëjë shteti një llogari të thjeshtë “sa hektarë kullota u ka dhënë dhe sa të ardhura janë derdhur në llogaritë përkatëse”. Ndryshe do qe, po të ishte fshati subjekt juridik. E njëjta ndodh edhe me Kishat, që kjo e drejtë u është dhënë Mitropolive! Kësaj i thone “dhëntë e dhitë e Zeres, nami i Hasan Qerres”. E vërteta e sotme: Në shumë fshatra kullotave malore nuk njihen prej 23 vjetësh kufijtë e pronësisë. E gjithë prona është bërë “ciflig” i kopeve të bagëtisë. E thënë ndryshe aty sundon “Perandoria e dhive” Aty ka informalitet financiar në bashkëpunim me administratën shtetërore. Lind pyetja: Kush e kokolepsi kaq keq të drejtën e pronës, cila qeverri nxori ligje që bien ndesh me Kushtetutën? Para ca vitesh doli ligji që u jepte Komunave pyjet dhe kullotat, kur në shumë zona pylli, korieja e kullota kishte pronar me emër. Dokumentacioni i kohës së Zogut e vërteton një të vërtete të tillë, por edhe regjistrimet e vitit 1946 -1947 e vërtetojnë këtë të vërtetë. Pse u krijuan gjithë ato barriera penguese? Pse vetëm 300 m. truall si në qytet dhe në fshat, si atje ku është përfituar nga Reforma Agrare dhe atje ku është truall i trashëguar brez pas brezi ose nuk është aplikuar Refroma Agrare? Këtu fshihet djallëzia! Këtu u çopitën politikanët e qeveritarët që sot posedojnë 600 e më shumë metra katrore. Drejtësia për pronat është kokolepsur me qëllim të keq, për t’i vjedhur pronarët e vërtetë. Që të vejë në vend kjo e drejtë, duhen gjetur fajtorët. Cilët deputetë i miratuan këto ligje të shtrembra, cili ministër, cili kryeministër i paraqiti në Kuvend? Vetëm kështu do të gjykohet e kaluara e hidhur me pronat, vetëm kështu do të përgjigjen qeveritarët gjer më një e do të nxënë mend pasardhësit e tyre!
    Sigal