AUSTRALI/ Kërkohen emigrantë të kualifikuar

    1339
    Sigal

    AUSTRALI/ Të veçantat e Emigracionit në Australi

    Shqiptarët më të predispozuar dhe më të kërkuar

     Kohët e fundit, vihet re se shtetet e zhvilluara, po përmirësojnë ndjeshëm politikat emigratore. Këto politika konsistojnë në një drejtim, luftën kundër emigracionit klandestin dhe thithjen e emigrantëve të kualifikuar nëpërmjet lotarisë. Promotor i kësaj politike rezultative ka qenë SHBA. Autoritetet australiane ashtu si ato Kanadeze dhe Amerikane, kërkojnë punonjës të kualifikuar, me qëllimin për të jetuar dhe punuar në Australi, në këtë kontinent-shtet ishullor  shumë të zhvilluar. Fillesat e ndryshimeve për mënyrën e organizimit të emigrimit në kontinentin ishull, e kanë zanafillën prej vitit 2004, ku autoritetet kanë paracaktuar dhënien e 72.100 vizave.  Qysh atëherë dhe në vijimësi  emigrantët që plotësojnë kushtet nga të katër anët e botës  kanë në dispozicion rreth 150 mijë vende pune në gjithë gjeografinë ishullore, të cilat reklamohen çdo javë. Përpos sa më lart, qeveria australiane kishte  parashikuar për periudhën 2003-2006, rreth 200 mijë viza për këtë kategori të veçantë (në 2007 ky numër u rrit). Kjo iniciativë e qeverisë australiane është specifikisht e hartuar për të gjetur individë të cilët zotërojnë aftësinë dhe trajnimin e mjaftueshëm, për të mbushur kërkesat për forcë punëtore, për të cilat aktualisht ka shumë nevojë ekonomia e vendit. Autoritetet njoftojnë se ndërkaq niveli i papunësisë është në nivelin më të ulët të  10 -vjeçarit të fundit, dhe nga ana tjetër, është vërejtur se 89% e atyre që kanë fituar vizën australiane, e gjejnë vendin e punës brenda 6 muajve nga mbërritja në Australi, dhe pjesa tjetër edhe për pak muaj akoma (ndoshta në këtë drejtim janë më përpara dhe se Amerika dhe Kanadaja).Sipas procedurave të publikuara (apo njoftimeve), çdo aplikant mund të kualifikohet për të fituar të drejtën e pakufizuar të punësimit, për vete dhe partnerin në Australi, nëse është profesionist i kualifikuar, biznesmen ose student që ndërkaq po studion në një shkollë australiane.

    Çfarë kërkohet
    Lista e Punësimit të Kualifikuar, SOL, është hartuar nga qeveria australiane për të zgjidhur çështjen e mungesës së punonjësve të kualifikuar në vend, duke tërhequr emigrantë të cilët plotësojnë kushtet e nevojshme si dhe që kanë përvojën e duhur të punës. Lista e vendeve të punës është renditur alfabetikisht, sipas edhe Klasifikimit Standard të Punësimit në Australi, një lloj “fjalori” për çdo grup të mëposhtëm pune: Menaxherë dhe administratorë; Profesionistë zanati; Tregtarë e biznesmenë dhe profile të lidhura me to etj. Vende të caktuara pune kërkojnë një nivel më të lartë të zotërimit të anglishtes, sesa ai “mjaftueshëm”. Ndërkaq, kriteret bazë për marrjen e vizës në këto kategori, parashikojnë moshën, treguesin e kualifikimit në profesionin përkatës dhe përvojat e fundit në profesion. Përveç kritereve bazë, duhet gjithashtu që aplikanti të arrijë në numër të caktuar pikësh në testin përkatës. Në numrat në vazhdim, do të botojmë kriteret e hollësishme, kostot e aplikimit etj.
    Kushtet që duhet të plotësojnë emigrantët
    Aplikanti për emigracion në Australi si punonjës i kualifikuar, një kategori për të cilin shteti australian ka nevojë, duhet së pari të plotësojë të gjitha kushtet bazë, për të vazhduar më tej procedurën e aplikimit.
    Mosha
    Aplikanti, i cili pretendon të arrijë të fitojë të drejtën e emigrimit në Australi duhet të jetë nën moshën 45 vjeç, pikërisht më momentin kur dorëzon procedurën e aplikimit.
    Gjuha angleze
    Kërkohet një aftësi e mjaftueshme për komunikim në gjuhën angleze, për të punuar në Australi. Kjo është kategoria e njohur si “vocational english”. Ndërkaq, një nivel më i lartë kërkohet për disa profesione të caktuara, ku vetë anglishtja është pjesë e formimit profesional. Kur aplikon, ky informacion të bëhet i ditur edhe nga autoriteti përkatës i pranimit. Rrjedhimisht, aplikanti inkurajohet të testojë njohuritë e tij gjuhësore para se të nisë procedurat.

    Arsim-Kualifikim
    Aplikanti duhet të ketë mbaruar një nivel arsimor më lart se shkolla e mesme, si universiteti ose certifikatat-diplomat e njohura të barasvlershme, ndërkohë që për disa lloje punësh, pranohet edhe përvoja e mirë dhe e provuar e punës në sektorin përkatës. Kualifikimi profesional dhe aftësitë, konfirmohen nga autoriteti i pranimit, si të përshtatshme për profesionin me të cilin keni aplikuar. Kujdes: Nëse profesioni juaj nuk është në Listën e Punësimit të Kualifikuar, SOL, nuk mund të aplikoni.
    Përvoja e freskët e punës
    Kjo kërkesë është e veçuar nga kërkesa për provimin e aftësisë suaj profesionale para autoriteteve të pranimit. Kështu, nëse profesioni juaj në listën SOL vlen 60 pikë, ju duhet të keni marrë rrogë në këtë profesion për të paktën 12 nga 18 muajt e fundit, menjëherë para aplikimit. Nëse profesioni juaj vlen 40-50 pikë, kontakti juaj me punëdhënësin dhe pagën, është i nevojshëm për 2 nga 3 vitet e fundit para se të aplikoni. Për disa profesione, kërkohet një periudhë më e gjatë pune dhe përvoje, si p.sh. Menaxher. Përjashtim nga kushti i përvojës paraprake të viteve të punës, përbën rasti kur plotësoni kushtin e 2 viteve studime në Australi, dhe kjo më pak se 6 muaj para aplikimit për vizë.

    Verifikimi i aftësive profesionale
    Para aplikimit, aftësitë profesionale duhet të testohen nga autoriteti përkatës australian, sipas profesionit për të cilin synoni të aplikoni. Kujdes: Ky autoritet nuk është agjenci punësimi, por vetëm provon aftësinë tuaj për qëllim emigrimi.
    Profesionet më të kërkuara
    Disa prej profesioneve më të kërkuara në Listën e Punësimit të Kualifikuar, SOL, sipas kërkesave të autoriteteve australiane të emigracionit, janë të renditura si më poshtë, bashkë me pikët përkatëse që fitojnë këto profesione në aplikimin e çdo kandidati për emigrant të ligjshëm në Australi.
    Profesioni Pikët
    Kujdestare fëmijësh 50
    Sekretare kompanie 50
    Financier 60
    Inxhinier projektues ndërtimi 50
    Menaxher mjedisi, parqesh
    dhe kujdesi të tokës 50
    Menaxher shitjesh 50
    Teknologji informacioni 50
    Administrator Sportiv 50
    Drejtues prodhimi 50
    Menaxher furnizim dhe
    shpërndarje mallrash 50
    Llogaritar 60
    Ekspert kontabël 50
    Akupunturist 50
    Specialist bujqësie 50
    Arkitekt 50
    Biokimist 50
    Supervizor-teknik ndërtimi 50
    Specialistë kompjuteri:
    -Systems designer, systems programmer
    software designer etj. 60
    Laborant dentar 60
    Dentist 60
    Dietolog 60
    Inxhinier minierash 50
    Historian 50
    Gazetar dhe profesione të lidhura 50
    Ekonomist toke 50
    Përkthyes 60
    Oficer zbulimi 60
    Biolog ujërash 60

    Sqarim: Për problemet e emigracionit gazeta Telegraf do t;ju informojë çdo të hënë dhe të premte. Ju mund të dërgoni pyetjet tuaja në adresën elektronike të gazetës “Telegraf” dhe në adresën: [email protected]