Arrestohet kapiten, transportonte 48 ton cigare kontrabandë. Reagon PD

    348
    Sigal

    Anti-Kontrabanda në Portin e Vlorës bllokon anijen “Era-1”. Reagon PD: Mungojnë 10 milion dollarë nga zhdoganimi i cigareve

    Arrestohet kapiteni ukrainas i anijes “Era-1”, e cila transportonte 48 ton cigare kontrabandë. Mësohet se urdhër-arresti për kapitenin Volodomir Demakov është lëshuar mbrëmjen e së shtunës rreth orës 23:30, ndërsa 6 pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit do të hetohen në gjendje të lirë.  48 ton cigare, me vlerë rreth 10 milionë dollarë u sekuestruan nga dogana e Durrësit në një operacion dyditor në bashkëpunim edhe me autoritetet e tjera portuale. Ngarkesa me cigare të firmave të ndryshme ishte nisur nga porti verior i Qipros dhe kishte destinacion Malin e Zi. Anija transportuese “Era 1”, me pronar ukrainas nga Krimeja dhe 6 anëtarë të ekuipazhit, po nga i njëjti vend u bllokua nga policia kufitare deri në përfundim të hetimeve të nisura nga autoritetet shqiptare.

    Pas sekuestrimit të ngarkesës ka reaguar edhe avokati i kontaktuar nga kompania pritëse e mallit, i cili deklaroi se malli është me dokumente të rregullta dhe dokumentet origjinale i ka agjenti doganor pritës i mallit. “Ne do t’i tregojmë dokumentet origjinale, dogana pretendon se nuk ka dokumente të ngarkesës origjinale. Sipas kompanisë së mallit dokumentacioni origjinal gjendet në Mal të Zi, aty ku i pret agjenti doganor. Malli është me dokumente të rregullta, u nis nga porti verior i Qipros”, – pohoi avokati.

    Anija tregtare me flamur të Tanzanisë u ndalua nga Anti-Kontrabanda në Portin e Vlorës mbrëmjen e së premtes. Anija ishte nisur nga Greqia dhe sipas dokumenteve, destinacion ishte Mali i Zi. Anija ndodhej prej datës 14 në Portin e Vlorës, pasi kishte kërkuar ankorim për shkak të kushteve të këqija të motit. Por me përmirësimin e motit anija me flamurin e Tanzanisë ka tentuar të largohet nga porti i Vlorës pa iu nënshtruar lejes përkatëse, sipas procedurës për të lundruar në ujërat shqiptare. Në orët e mbrëmjes së të premtes anija u ankorua në Portin e Durrësit, ku iu nënshtrua kontrolleve të nevojshme.

     

    Reagon PD: Ramës e Spiropalit u mungojnë 220 tonë cigare

     Partia Demokratike i cilëson si shifra dramatike në rënien e zhdoganimit të cigareve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Koordinatorja për mediat, Silvi Bardhi, tha se “Kryeministri Rama dhe Drejtoresha e Doganave duhet të kthehen nga bota e çudirave dhe të përballen me shifrat reale”.

    “Partia Demokratike e përshëndet aksionin e djeshëm të punonjësve të doganës që ndaluan cigaret që dyshohet se janë kontrabandë. Por përpara se të vetëshpallen si heronj dhe heroina të doganave shqiptare, Kryeministri dhe Drejtoresha e Doganave, duhet të sqarojnë opinionin publik në lidhje me të dhënat dramatike që vijnë në fushën e zhdoganimit për sa i përket cigareve. Për periudhën janar-prill të 2014, rezulton se janë zhdoganuar 220 tonë më pak cigare se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Sigurisht se nuk ka rënë konsumi i cigares në vend. Këto të dhëna tregojnë se është rritur kontrabanda dhe evazioni. Edi Rama dhe Elisa duhet të kthehen nga bota e çudirave dhe të përballen me shifrat reale. Ku kanë shkuar 220 tonë cigare në tre muaj, krahasuar me të njëjtën periudhë me vitin e kaluar? Ku kanë shkuar të paktën 10 milionë dollarë që është vetëm efekti financiar i zhdoganimit?”, deklaroi Bardhi.