Altin Goxhaj: Emigrantët përballen me abuzimet e Dollapit

    359
    Sigal

    CEZ përgjatë gjysmës së dytë të korrikut dhe në fillim të këtij muaji ka ndërprerë energjinë ndaj abonentëve, të cilët paguajnë rregullisht faturat e tyre nëpërmjet bankave tregtare, ndër to edhe emigrantë, të cilët ndërsa vijnë me pushime në vendin e tyre, përballen me abuzimin e pamatë të CEZ. Ndërprerja e energjisë ka qenë e panjoftuar duke shkaktuar dëme të konsiderueshme te konsumatorët. Ky abuzim ndaj konsumatorëve e veçanërisht ndaj emigrantëve është denoncuar nga Kryetari i Zyrës në Mbrojtje të Konsumatorit, Altin Goxhaj. “Përgjatë gjysmës së dytë të muajit Korrik dhe gjysmës së parë të Gushtit kemi një rritje të numrit të ankesave në krahasim me muajin Qershor dhe Maj. Ankesat vijnë nga të gjithë qytetet e Shqipërisë dhe ka shumë qytetarë që vijnë për pushime nga emigracioni që pretendojnë për mbifaturime dhe gjoba dhe kamata të paarsyetuara dhe jashtë çdo mundësie për të qenë objektive”, shprehet për “Telegraf” Altin Goxhaj. Ankesat e tyre të shumta, të depozituara si pranë qendrave të kujdesit ndaj klientit, ashtu edhe në ZMK, nuk kanë marrë një përgjigje. Konsumatorët në bazë të kontratës që kanë lidhur me kompaninë “CEZ Shpërndarje” mund të padisin në gjykatë këtë të fundit për shkaktim dëmi dhe ndërprerje të energjisë të panjoftuar. Ata kanë të drejtën e dëmshpërblimit dhe ndërprerjen e marrëdhënieve financiare me kompaninë deri në zgjidhje të problemit. Kompania me administrim të përkohshëm vazhdon të përdorë dy standarde ndaj konsumatorëve dhe institucionet mbikëqyrëse nuk marrin asnjë masë për përmirësimin e kësaj situate.