Berat, shteron uji i lumit Osum, fekalet qelbin qytetin

562
Sigal

Ish-kuadri Avdullla Veliaj: “Nga era e rëndë po largohen edhe turistët”. Banorët: “Fajin e ka bashkia që s’bënë pastrimin”

Rritja e temperaturave ka sjell edhe shterimin e ujit të lumit Osum. Një fenomen i tillë ka sjell probleme të tjera, atë të nxjerrjes në sipërfaqe të ujërave të zeza. Në këtë lumë shkarkohen të gjitha fekalet e qytetit. Situata është e rëndë, sepse era po bëhet e padurueshme për banorët, por edhe për kalimtarët që kalojnë gjatë shëtitores dhe Urës së Varur. Qytetarët kërkojnë nga bashkia që të bëhet pastrimi i lumit, një procedurë që bëhet çdo vit për të mos shkaktuar këtë situatë. Madje, edhe bizneset, hotelet dhe lokalet buzë lumit Osum kanë shënuar një rënie të të ardhurave të tyre, vetëm fal erës së rëndë, pasi për të qëndruar aty duhet të vendosësh kundragaz.

Situata

Prej dy muajsh me temperatura të larta edhe uji i lumit Osum ka rënë nga niveli. Kjo ka bërë që të gjitha fekalet që shkarkohen nga kanalet e ujërave të zeza të qytetit të dalin në sipërfaqe, ku si rrjedhojë era e rëndë e tyre është përhapur në të gjithë zonën ku kalon lumi. Më problematike është vendi, ku njerëzit kalojnë mbi Urën e Varur për të shkuar nga qyteti në lagjen muzeale “Goricë”. Ata janë të detyruar të zënë hundët me dorë për të mos ndjerë erën e rëndë të fekaleve, të cilat kanë mbetur në sipërfaqen e shtratit të lumit, pikërisht nga ana e qytetit. Intelektuali dhe ish-kuadër, Avdullla Veliaj, u shpreh për gazetën “Telegraf”, se kjo situatë ka ardhur si pasojë e neglizhencës së drejtuesve, pasi gjendja mund të evitohej. “Është absurd që një qytet me tradita kulturore dhe muzeale, të katandiset në këtë mënyrë. Është e pamundur të kalosh mbi Urën e Varur, e cila shërben për të lidhur qytetin me lagjen muzeale të “Goricës” dhe fshatrat e kësaj ane. Në orët e mbrëmjes, ku njerëzit dalin për shëtitjen e mbrëmjes janë të detyruar që të zënë hundët me dorë, pasi era e rëndë e ujërave të zeza, nuk durohet. Është bërë që për të kaluar këtë urë lidhëse, të vendosesh kundragazin, që t’i shpëtosh erës së rëndë të fekaleve, që kanë qelbur qytetin. Bashkia duhet që të pastrojë me traktor shtratin e lumit si gjithmonë që në këtë stinë të shmang erën e rëndë. Por këtë vit bashkia as që po kujtohet fare”, ka thënë Veliaj. Banorët janë shprehur se duhet të merren masa, aq më pak që tani Beratit është një qytet, që është futur në UNESCO dhe si i tillë ai vizitohet nga një numër i madh turistësh të huajë dhe vendas. Por kur këta turistë shikojnë këtë gjendje të tillë largohen. Që një qytet me tradita të kulturës dhe muzeal, të katandiset në këtë gjendje është skandaloze. Dihet se në lagjen “Goricë” dhe në periferitë e saj ka hotele, ku prenotohen shumë nga turistët, për vetë pozicionin që ata kanë rrëzë malit Partizan, apo në kurorën me pisha të qytetit, ku turistët gjejnë kënaqësinë.