Alternativat e shoqërisë shqiptare përballë krizës ekonomike

    444
    Sigal

    Shqipëria është një shoqëri në krizë. Kjo vazhdon prej shumë vitesh, por në mënyrë të veçantë më e prekshme kjo është bërë vitet e fundit dhe, sidomos, kur është bërë evidente kriza globale. Pavarësisht deklaratave euforike të Kryeministrit Berisha, kriza në këtë vend është ulur këmbëkryq dhe, nëse nuk punohet për mos thellimin e saj, vendi do të shkojë drejt greminës. Ashtu sikurse po shkon Greqia fqinje, ndonëse është anëtare e BE-së. Ne si qytetarë të këtij vendi kemi për detyrë jo vetëm të shohim në sy realitetin, jo vetëm të konstatojmë, por edhe të punojmë për ta kapërcyer krizën. Por, si? Kjo është një pyetje që ka brenda saj shumë përgjigje.

    Krizë ekonomike në shkencë quhet periudha e zhvillimit më negativ të ekonomisë e të treguesve të tjerë makroekonomikë të një vendi (p.sh. niveli i çmimeve, punësimit, flukset e kapitalit, etj.,).

    Historia e zhvillimit të shoqërisë njerëzore është para se gjithash histori e zhvillimit të prodhimit. Domosdoshmëria e ekzistencës se njerëzve, sigurimit dhe zhvillimin të shoqërisë varet nga mënyra e prodhimit, e cila në vetvete varet nga uniteti i forcave prodhuese dhe i marrëdhënieve në prodhim. “Kriza globale është krizë e sistemit kapitalist, i cili kërkon që këtë fature ta paguajnë vendet e varfra. Sipas politikaneve ekonomiste shprehje e kësaj  krize është pabarazia e zhvillimit mes “kapitalizmit të zhvilluar i qendrës” dhe “periferisë” e “gjysme periferisë se pazhvilluar ” (ku përfshihen edhe vendet që braktisën rrugën socialiste dhe u futen në tutelën e kapitalit të qendrës). Në qendër është kapitalizmi ekskluzivisht i zhvilluar, me treg të brendshëm dinamik dhe ekonomi kombëtare të integruar.  Parashikimi i ekonomisë është i zymtë. Prodhimi vendas ka rënie të ndjeshme. Raporti Eksport-import në % ka rënie. Nuk arrihet mbulimi i importeve nga eksportet. Prodhimi industrial është i papërfillshëm. Kursi i këmbimit (US / EUR) për lëvizjen e çmimeve me pakicë nuk ka stabilitet. Tendencat e rritjes së papunësisë dhe të tkurrjes së fondeve në investime janë në rritje. Në këto rrethana duhet konkluduar drejt.

    E para: Ta njohim situatën mirë, të marrim masa sa nuk është vonë para se ta çojmë në humnerë këtë vend të qeverisjes skandaloze siç ndodhi më 1992 kur ndryshoi sistemi dhe 1997 me firmat piramidale, dhe sot në prag të katastrofës që ka shkaktuar kriza globale.

    E dyta: Arsyeja pse ekonomia është kaq e varfër është se bashkësia ndërkombëtare nuk ka investuar asgjë në Shqipëri për një periudhë shumë të gjatë, plus kësaj në duart e faktorit të jashtëm është pothuajse copa më e majme e ekonomisë edhe e pasurisë kombëtare. Debati mbi këtë çështje mund të jetë i pafund, dhe përfitimi është problematik, për shkak të realiteteve të zymta ekonomike dhe të kalimit nga: sistemi i dëmtuar, i pakontrolluar, i kapitalit spekulativ, i ekonomisë së tregut në një sistem efikas të tregut. Kjo mund të jetë një mënyrë e mirë për të kuptuar nëse merren parasysh të gjithë faktorët relevant që kishin një ndikim të rëndësishëm në ketë proces.

    Shqipëria ka kaluar nëpër tre periudha të rëndësishme dekadat e fundit:

    I. Periudhën fillestare, d.m.th gjatë viteve tetëdhjetë-nëntëdhjete, para tre dekadave ku situata në proceset dhe ecurinë e ekonomisë ndryshon nga këto të dy dekadat në tranzicion. Periudha e  viteve tetëdhjetë, duhet të shihet si një pjesë e rëndësishme ku dominoi politika mbi marrëdhëniet në prodhim, ku shteti i cili mbështeste edhe prodhimin kishte monopolin e një partie, e cila eliminoi pronën private, dhe krijoi pronën e përbashkët publike, dhe arriti që edhe dheun, gurin ta përpunonte e të nxirrte minerale të pasura, flori, ujin e lumenjve nëpërmjet digave të njëpasnjëshme e ktheu në dritë, që intensifikoi bujqësinë, ku krijoi konvejerin e gjelbër për të gjitha stinët e deri te shëndetësia falas, shkollim të detyruar, një prestigj të lartë kudo në botë. Pas braktisjes së tij nuk ka mbetur asgjë.

    II. Periudha e dytë (pas viteve nëntëdhjetë) karakterizohet nga fillimi i procesit të privatizimit, e pleksur nga paragjykimet e caktuara ideologjike, që mori emrin e “transformimit të pronësisë”. Në fillim të kësaj dekade pati një gamë modeste të dukshme, siç ishte krijimi i një numri të madh të mikro-ndërmarrjeve, të cilat më vonë u privuan nga kërkesa për të gjeneruar të ardhura me qira nëpërmjet evazionit fiskal, gjë që çoi falimentimin e një numri të madh të tyre, megjithatë, ka pasur ndryshime të rëndësishme të tjera. Dikush mund të thotë se tranzicioni u realizua në një masë më të madhe se sa donte qeveria. Pas sanksioneve ekonomike të imponuara nga ndërkombëtarët, jeta ekonomike ishte e mbushur me “transaksione gri”, u shpall falimentimi i të gjitha ndërmarrjeve ekonomike shtetërore e ato gjysmë shtetërore në tërësi, me qellim që të shiteshin nën koston reale. Ky ishte kaosi ekonomik dhe fundi i sistemit socialist.

    III. Periudha e tretë është periudha e tranzicionit pas vitit 1993-2012. Karakteristika kryesore e kësaj periudhe është: Një koalicion qeverisës në pushtet dhe partitë opozitare që mbrojnë kapitalizmin; mafiozë e gangsterë me veprimtari të dyfishtë shtetërore dhe private; institucione fetare që nxisin urrejtje e ndarje, sidomos ekspansioni i kishës ortodokse greke në jug; media e vënë në shërbim të së keqes; inteligjencë e kthyer në një avokate të së keqes; institucione të huaja bankare; ushtri, polici e simpatizantë të sëmurë partie në mbrojtje të regjimit. Qeverisjet si primare shpallën shitjet e privatizimin e përshpejtuar, ku të ardhurat që i përkisnin shoqërisë dhe shtetit në tranzicion, pushteti ekzekutiv me partitë e opozitës, arritën një konsensus për lejimin e hyrjes së investimeve të kapitalit spekulativ gjoja në emër të zhvillimit për të dalë nga gjendja e depresionit në të cilën u fut Shqipëria pas viteve nëntëdhjetë. Prandaj, nuk është për t’u habitur që nuk ka ndonjë ndryshim të madh për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik në Shqipëri. Kështu, kjo periudhë duhet të konsiderohet një dështim dhe pasojat nuk do të zhduken vetë ose dikush tjetër do të vije e t’i rivendosë. Shqipëria e dorëzoi vetë pavarësinë ekonomike, politike dhe shtetërore. Këtu nuk është fjala vetëm për 345 km katror hapësirë detare por për më shumë. Kemi bërë shumë hapa prapa, drejtohemi nga të paaftët dhe kemi paaftësinë e zhvillimit – duke pritur sfidat e pashmangshme më të mëdha, shumë më të rënda në horizontin tonë të zymtë. Nuk ecet më me parullat si kjo: Po nuk u miratua ligji për shfuqizimin e disa ligjeve për krijimin e hapësirave boshe, ligji për homoseksualët, shtëpitë publike, plehrat, ndotjen e ajrit, ndotjen akustike, ose po nuk the se gjithçka që ishte para nesh nuk ishte e mirë, nuk ka pranim në BE. Ka ardhur koha të mendohemi, individualisht dhe kolektivisht, për të folur qartë në lidhje me aktorët e tranzicionit të përgjithshëm të qeverisë sonë pasi nuk kanë vizion të qartë të asaj se ekonomia shqiptare është në gërshërë të madhe dhe duhet të kontribuojmë se çfarë dhe si duhet të punojmë për t’i larguar nga pushteti e qeveria njerëzit e paaftë që të zhduket paaftësia. Pas vitit 1992-1993 lufta për pushtet midis dy krahëve politike dhe fraksioneve brenda koalicionit qeverisës, e kanë thelluar akoma më shumë këtë humnerë. Qeveria për të ruajtur stabilitetin politik bëri lojë politike me privatizimet, ku paratë nga privatizimi i përdori dhe po i përdor kryesisht për të blerë paqen sociale, për të garantuar prosperitetin pa siguri, për të ruajtur stabilitetin politik, që pushteti të jetë gjithmonë në duart “tona”. Është e çuditshme por është realitet. Asnjë ministër nuk bën dot deklaratë se për sa kohë ne duhet të dalim nga kjo situatë e vështirë, jemi një ndër vendet më problematike në botë. Jetojmë në Europë dhe askush nuk ka dëgjuar asgjë rreth tranzicionit në Poloni, Hungari, Çekosllovaki, në vende të tjera të Evropës Qendrore … që kanë tejkaluar periudhën e tranzicionit. Më e rëndësishmja  tek ne është se, do të mbështesim qeverinë në mënyrë që brezat e ardhshëm të vazhdojnë të marrin hua në FMN dhe në vende të tjera jashtë vendit, që të mbajnë pushtetin.

    _______________________________________

    PËRCAKTIM PËR SISTEMET SHOQËRORE

    Kapitalizmi      – Ti ke dy lopë, e shet njërën dhe blen një dem.

    Fashizmi          – Ti ke dy lopë, qeveria t’i merr të dyja dhe ta shet qumështin.

    Nazizmi           – Ti ke dy lopë, qeveria t’i merr të dyja dhe të vret ty.

    Socializmi        – Ti ke dy lopë dhe njërën ia jep fqinjit.

    Komunizmi     – Ti ke dy lopë, qeveria t’i merr të dyja dhe ty të jep qumësht me racion.

    Burokratizmi   – Ti ke dy lopë, qeveria t’i merr të dyja, e vret njërën, e mjel tjetrën dhe pastaj derdh qumështin.

    Globalizmi       -Ti ke dy lopë, shteti të merr tokën, kullotën, nuk të lë të tregtosh nënproduktet e qumështit.