Tentativë grabitjeje tek Rruga e Kavajës, në shënjestër argjendaria

501
Sigal

TIRANË/ Kamera e sigurisë filmon ngjarjen. Adoleshenti trembet nga alarmi, largohet pa marrë asgjë

Ka qenë një tentativë grabitjeje, ajo e ndodhur ditën e djeshme tek një argjendari në Rrugën e Kavajës. Kamera e sigurisë e vendosur brenda argjendarisë ka regjistruar gjithçka. Referuar këtyre pamjeve të filmuara nga kamerat e sigurisë, policia sqaron se, personi që tentoi të grabisë argjendarinë, dyshohet se është një adoleshent rreth moshës 15-16 vjeç, i veshur me pantallona të shkurtra, bluzë blu dhe me kapele të zezë. Uniformat blu theksojnë se veshja e tij mund të dallohet qartë edhe në pamjet e videos së regjistruar, e cila do të ndihmojnë në kapjen e tij. Gjithashtu, policia dyshon se ai ka kërcënuar shitësen e argjendarisë me një armë lodër. Sipas policisë, grabitësi i ka kërkuar kësaj të fundit lekët, nën kërcënimin e armës lodër, por shitësja që bëri rezistencë i ra menjëherë alarmit, gjë që e ka trembur grabitësin dhe ka bërë që ai të largohet me vrap pa shkaktuar asnjë të lënduar. Policia vazhdon hetimet për identifikimin dhe kapjen e tij. Sipas dëshmive të para, adoleshenti i vetëm i përfshirë në këtë ngjarje nuk ka mundur të marrë asgjë, as lekët që ka tentuar dhe as florinj, të cilët mund t’i shiste tek matrapazët. Sipas shitëses ai ishte i vogël në moshë, pasi dukej nga zëri. Hetimet e para hedhin dritë për një grup adoleshentësh që janë të inkriminuar në vjedhjet e shtetasve në rrugë. Në këtë rast ai ka vepruar i vetëm kur ka hyrë në argjendari, por kjo s’do të thotë që ai të mos jetë ndihmuar nga shokët e tij për t’u arratisur dhe fshehur nga policia, e cila është vënë në ndjekje të tij. Argjendaria e vënë të shënjestër është afër Poliklinikës numër 9. Lidhur me këtë ngjarje rrethanat, e të cilës janë ende të dyshimta nga ana e policisë kanë nisur hetimet ndërsa po merren dëshmitë e rastit.