Akademiku Rexhep Qosja, nderi i Labërisë dhe gjithë Shqipërisë

    433
    Sigal

    Reagim i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, ndaj z. Hivzi Islami, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Prishtinës

    Këto ditë u njohëm me 55 pyetje të Akademikut kosovar  z. Hivzi Islami, botuar në të përditshmen që i shkon për shtat, gazetës “55” dhe si motrave të saj antikombëtare, me frymën e tyre ekstremiste për të ndotur figurën e Akademikut Rexhep Qosja, një mision ky, që e kanë marrë përsipër shërbëtorët sllavo-shovinist serb. Kur lexon “55”-në pyetjet e formuluara me aq vrer, cinizëm dhe nihilizëm të pashoq, befasohesh se si është e mundur që të ketë “intelektualë”, e për më tepër ndonjë që mban autorësinë e kryeakademikut të Kosovës, me gjuhë aq të pistë, sa që do ta kishin zili edhe rrugaçëria më ordinere për vokabularin e pasur. Lajthitje të tilla mesjetare, nuk mund të gjesh kurrkund, jo vetëm në fjalorin e një intelektuali, por as të një njeriu të zakonshëm, me kulturën më minimale që të lëshojë shpifje, gënjeshtra, baltosje aq të ndyra, që si kap dot imagjinata dhe që janë aftësi dhe meritë e njerëzve me defiçencë morale, psikike  dhe intelektuale. Me 55 pyetjet e tija monstruoze, zoti  Islami provoi se sa e aftë është një Akademi  të prodhojë një fjalor me fjalë aq të pista, kur ka në krye një “korife të tillë”, që vetëm mjeshtëria e tij akademike mund t’i zbuloi dhe t’i arkivojë shumëtogëshin e fjalëve të turpshme, që ndotin çdo ambient shoqëror, pa folur më për atë intelektual. Bagazhi i fjalorit Tuaj banal, ka shokuar jo vetëm intelektualët me integritet, por mbarë opinionin e shëndosh shqiptar, që kërkon të integrohemi mes nesh jo nëpërmjet  sharjeve dhe fyerje ndërmjet vëllezërve të një gjaku, por nëpërmjet kulturës, artit, shkencës, që na afrojnë tradicionalisht, si degë të një trungu. Dhe udhërrëfyesit e këtij bashkimi do jenë institucionet shkencore, kulturore e artistike, të prirura nga një moral mbarëkombëtar, që e përfaqësojnë korifenjtë e letrave shqipe. Seneka, i riu, thotë se: “Shumë njerëz gënjejnë që të mashtrojnë të tjerët, sepse janë të gënjyer vetë”.  Shpifja, fyerja, baltosja e kolegut, është ves i poshtërimit, ves i përbuzjes, ves i skllevërve, spiunëve, maskarenjve, mëkatarëve. Njeriu i mençur në rast konfliktesh, duhet të thërrasë në ndihmë forcën e arsyes, pastërtinë e shpirtit dhe urtësinë njerëzore, që të mos e njollosë kurrë veten duke rënë në kënetën e qelbur të njerëzve të sëmur. Duke lodruar në 55 pyetjet tuaja poshtëruese, aty gjen shterpësi mendore, mangësi shpirtërore dhe dobësi karakteriale. Njeriu i lig, di të akuzojë me ligësinë e tij të tjerët, pa përdorur limit. Kjo ndodh shpesh kur individë egoistë, me aftësi të kufizuara intelektuale, kanë xhelozinë që i mundon dhe i skllavëron deri në cinizëm, se nuk arrijnë dot në lartësitë e dijeve dhe krijimtarisë të kolegëve të tyre.  Akademiku Rexhep Qosja, është krenaria e kombit Shqiptar. Me mbi 30 veprat e tij të botuara, ai është maja e piramidës së dijes, historiografisë, filozofisë, gjuhësisë dhe publicistikës bashkëkohore. Rexhep Qosja, është Qytetar i Nderi  Vlorës së flamurit, i Gjirokastrës së dijes, i Tepelenës së Ali Pashës dhe i disa kryeqendrave të Labërisë. Labëria, kjo trevë me një të kaluar historike të lavdishme, që ka luftuar jo vetëm për çlirimin e Shqipërisë, por edhe të Kosovës, e ka Akademikun Rexhep Qosja, Kryetar Nderi të Shoqatës kulturore Atdhetare “Labëria”. Kujtesa e një intelektuali,  për të formuluar  me mjeshtëri 55 pyetje poshtëruese, është  çengeli për të varur ligësitë e mendjes dhe të shpirtit, për të denigruar personalitete që i bëjnë nder kombit. Në këtë vështrim, ju zoti  Islami, nuk keni fyer një individ të zakonshëm, por edhe trevën e Labërisë dhe më gjerë, që e ka nderuar me shumë tituj dhe emërtesa për kontributin e tij jo vetëm krijuese, por edhe patriotik. Noli i madh ka thënë se: “Kur lëngon Shqipëria, zgjohet Labëria”. Labëria, ka ditur të mbajë qëndrime të mençura në momentet më kritike dhe të vështira që ka kaluar populli Shqiptar dhe ka ditur dhe di të bëj vlerësime për figura që i japin shkëlqim kombit. E një nga këta personalitete të shquara të kombit Shqiptar, një Rilindës i kohës sonë, është pamëdyshje  Akademiku Rexhep Qosja. Shqipëria dhe Kosova, më shumë se kurrë sot, kanë nevojë të promovojnë vlerat e tyre si komb dhe figurat e shquara që duan të na i poshtërojnë apo përvetësojnë qarqe të caktuara shoviniste, që ne duhet ti marrim në mbrojtje nga sulmet e të tjerëve dhe jo ti baltosim vetë. Gjuha e pistë e përdorur pa kursim, duke goditur me 55 fishekët e tu të helmatisur ndaj Rexhep Qoses, do ti kishin zili edhe Rankoviçët e Milosheviçët  e Serbisë dhe po të ishte gjallë edhe Napolon Zerva, i Greqisë. Misioni që keni marrë përsipër nëpërmjet atyre pyetjeve ,është në konvergjencë me shumë rryma antishqiptare për rreth nesh, që kërkojnë të  baltosin identitetin e kombit tonë. Zoti Islami, kthehuni në shtratin e arsyes intelektuale,  të dashurisë njerëzore dhe të sedrës kombëtare, për tu larguar nga fryma e urrejtjes dhe për të vendosur urat e miqësisë vëllazërore. Labëria, i do gjithë bijtë e shqipes, kudo që janë, pa bërë dallime. Edhe për ju rezervojmë respekt, po të ndryshosh timonin e startit që ke nisur, sepse po të vazhdosh rrugën do biesh në humnerë dhe nuk do ngrihesh dot më, sado që të ndihmojnë miqtë e tu që të frymëzojnë e inspirojnë, qofshin në Kosovë apo në Shqipëri. Qartësisht, duhet kuptuar dhe nuk duhet harruar, se të kërkosh të cenosh nderin e tjetrit, do të thotë, të kesh prekur nderin tënd me të njëjtin çmim. Akademiku Rexhep Qosja, është një personalitet i shquar në panteonin e shqiptarëve që kanë bërë epokë, me dijet, kulturën, letërsinë, shkencën, publicistikën dhe qëndrimin e tij koherent në të gjitha  momentet më kritike që ka kaluar kombi ynë, përmes një historie të trazuar.  Në artikullin e zotit Islami, ishin 55 shigjeta të helmatisura drejtuar Akademikut Rexhep Qosja, pa menduar, se ato do ti kthehen në trupin e tij dhe s’ ka mburojë që ti ndalojë. Me ato 55 pyetje që villnin veç  vrer, zbulohet qartazi: karakteri, kultura, morali, mençuria, personaliteti dhe identiteti i shkruesit. Shqiptarët nuk të njihnin, por fatkeqësisht, njohën një njeri që nuk duan ta besojnë se ai është në krye të institucionit më të lartë të dijes, shkencës dhe kulturës, Kryeakademiku i Kosovës.  Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, përshëndet dhe solidarizohet me reagimin e 37 akademikëve shqiptarë, duke evidentuar dhe nxjerrë në pah vlerat intelektuale, morale, shkencore dhe patriotike të akademikut Rexhep Qosja dhe tërheqjen e vëmendjes që bën kjo elitë intelektuale e komunitetit shkencor dhe kulturor, për një gjuhë komunikimi të kulturuar dhe të kultivuar në parametra demokratikë. Frymën e atij shkrimi dhe zjarrin që ka ndezur në mbarë opinionin shqiptar, shoqata “Labëria” e konsideron një paturpësi intelektuale që zgjon shpirtin e përbuzësit dhe moleps qenien e tij në cilësinë e drejtuesit të institucionit më të lartë të kulturës dhe shkencës. Pavarësisht, ku e ka burimin, apo nga e merr ushqimin, te prostitucioni politik e intelektual, matanë apo më këtë anë të kufirit, përgjegjësia bie mbi autorin që përfaqëson institucionin më të lartë të dijes së një shteti. Njerëzit e mirë dallohen nga njerëzit e këqij, se të parët bëjnë vepra të dobishme për shoqërinë, për ta çuar përpara, ndërsa të dytët, bëjnë  vepra të dëmshme, që e pengojnë dhe e frenojnë zhvillimin e shoqërisë drejt përparimit. Le të kujtojmë thënien e Zhan Zhak Rusoit, se: “Çdo ligësi, është rezultat i dobësisë”.

    SHOQATA KULTURORE ATDHETARE “LABËRIA”