“Bebi Skafisti” një roman modern që trondit letërsinë shqiptare

792
Sigal

Shtëpia Botuese “TOENA” sapo ka nxjerrë në qarkullin romani “Bebi Skafisti” të shkrimtarit Çlirim Hoxha. Një roman i jashtëzakonshëm që u njeh me ngjarjet e Vlorës gjatë kohës së trafiqeve të mëdha në vitet 1990-2000. Nëpër faqet e tij do të mësoni ato që nuk i keni ditur kurrë. Libri lexohet rrjedhshëm dhe të mban të gozhduar nga faqja në faqe. Romani denoncon lidhjet e policisë me trafikantët e qenieve njerëzore. Bebi skafisti nuk është një emër njeriu, por një djalosh 14 vjeçar, të cilit iu besua të drejtonte një gomone oqeanike, dhe mediet italiane do ta quanin “Bebi Skafisti”. Ishte koha kur trafikantët u ndien të rrezikuar nga ashpërsia e luftës së Guarda di Financës italiane ndaj trafikut dhe vendosën tua besonin adoleshentëve drejtimin e gomoneve. Romani e çon lexuesin në episode dhe skena të panjohura, ku intrigat dhe prapaskenat ja lenë vendin njëra-tjetrës. Lexuesi do të udhëtoi mbi Kanalin e Otrantos me një gomone misterioze nëpër dimensione që nuk na përkasin, ku tragjeditë, dashuritë, joshja dhe pendesa janë pjesë e dhimbjes shqiptare të epokës tonë. Nuk do të zhgënjeheni asnjë çast dhe të 370 faqet e tij do ti lexoni me një frymë. Romani është një botim luksoz i Shtëpisë Botuese “TOENA” i 6-ti që shkrimtari Çlirim Hoxha boton me sukses tek “TOENA” dhe fill pas romanit të suksesshëm “Ditari i një murgeshe” botuar në 2010. Romani “Bebi Skafisti” e pa dritën e botimit fillimisht në qytetin e Vlorës, ku u prit mjaftë mirë nga lexuesit e shumtë, të cilët qëndruan në radhë për ta pasur në dorë atë. Është e vështirë sot të shikosh lexues që presin në radhë për të blerë një libër, por Bebi Skafisti është një roman drithërues, i pa imagjinuar nga askush. Ky libër është pjesë e historisë dhe tragjedisë shqiptare post-komuniste, por dokumenton me fakte atë çka ndodhi në këto vite, duke u lënë brezave një pasuri letrare që duhet lexuar dhe studiuar me vëmendje. Ky roman luksoz është një pasuri kulturore-artistike dhe historike për çdo bibliotekë publike, shkollore dhe familjare. Romani “Bebi Skafisti” denoncon, dashuron, integron, tregon dhe e shpie lexuesin për pak çaste edhe thellë në historinë e të parëve tanë. Denoncimi që autori i bënë ngjarjeve të epokës së trafiqeve të mëdha përmes letërsisë të një stili modern, është një risi dhe e pasuron letërsinë shqiptare postkomuniste me një stilistike që dallon nga paraardhësit e tij të realizmit socialist. Rrjedhshmëria në të shkruar, filozofia e analizimit të situatave, ndërthurja dhe zhbirimi i botës së trafiqeve, i japin librit të Çlirim Hoxhës garancinë e suksesit të merituar. Çlirim Hoxha është sot një romancier perëndimor, që ka botuar deri tani 6 romane, njëri më interesant se tjetri dhe që kanë ngjallur interesin dhe vëmendjen e lexuesve shqiptar e më gjerë. Redaktimin e romanin “Bebi Skafisti” e ka bërë Nelson Qirjaku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, recensën Irena Goce (Agaraj) dhe kopertina e Dhimitër Latit ka në qendër një pikturë të Drinalda Culaj.