Abuzimi me çmimet dhe trafikimi i medikamenteve në farmaci

    424
    Sigal

    Kontrolli i ISKSH-së zbulon shkeljet e shumta në shëndetësi

    Instituti i Sigurimeve e Kujdesit Shëndetësor, duket se ka vendosur të punojë seriozisht, duke treguar se po reagon pozitivisht ndaj problemeve që ka ngritur vazhdimisht edhe gazeta “Telegraf”. Ky institucion,  ka kryer një sërë inspektimesh në poliklinikat dhe farmacitë e Durrësit, duke zbuluar dhe  verifikuar  shkelje.  Sipas burimeve zyrtare, mësohet se brenda këtij muaji pritet të dalë raporti përcjellës drejt MSH në lidhje me të gjitha verifikimet e kryera  dhe masat e marra. Specialistët e ISKSH-së Durrës, kanë kryer inspektime të vazhdueshme për një periudhë 2 mujore dhe pas përpunimit të materialeve dhe verifikimit të të gjitha rasteve, ka hartuar një raport të plotë lidhur me situatën aktuale  në subjektet private, klinikat e farmacitë që kanë kontratë me ISKSH-në dhe ato pa kontrata të gjetura me shkeljet. Raporti i hartuar dhe që pret publikimin nga ky institucion, tregon se shumë farmaci abuzonin me çmimet dhe trafikimin e medikamenteve, kurse shumë mjekë të poliklinikave u gjendën me shkelje të ndryshme, duke nisur që nga mosrespektimi i orareve të punës, shënimit të vizitave në kartela etj.  ISKSH-ja Durrës synon dënimin ligjor të abuzimeve  në farmaci dhe poliklinika. E njëjta skemë përdoret edhe për farmacitë, ku ISKSH-ja ka kontratë dhe si e tillë shpërndan barnat e rimbursueshme për të gjithë të siguruarit. Kontrollet  konsistojnë në vlerësimin e punës që është bërë për kujdesin ndaj pacientëve, vizitat e kryera, paraqitjen e mjekëve në punë, regjistrimin e banorëve tek mjeku i lagjes etj. Në bazë të arritjeve në punë, mjekët do të marrin shpërblimet përkatëse, që mund të jetë deri në një pagë shtesë. Nga ana tjetër do të merren edhe masat penalizuese për të gjithë personelin mjekësor që kanë abuzuar me punën. I gjithë kontrolli është përqendruar në rastet e zbatimit të skemës së re, që është pjesë e reformës në shëndetësi.Pokështu, i rëndësishëm është edhe zbatimi i plotësimit të formularëve ditor nga mjekët.  Mjekët në poliklinika duhet të plotësojnë një formular ditor në fund të përfundimit të ditës së punës. Këta formularë duhet të plotësohen nga  mjekët  dhe duhet të kenë të detajuar aktivitetin e përditshëm shëndetësor, numrin e vizitave dhe procedurat mjekësore që janë ndjekur për çdo pacient. Formulari duhet të dorëzohet në drejtorinë përkatëse të poliklinikës.  Mjekët marrin shpërblime në bazë të punës së kryer, nga të ardhurat dytësore që kanë siguruar gjatë muajve që kanë punuar. Sipas rregullores, mjekët nuk mund të marrin më shumë se dy paga shpërblim gjatë punës së bërë për gjithë vitin. Ndërkohë që në rast shkeljesh janë parashikuar masat penalizuese të ndryshme. Nëse mjekët kanë abuzuar me punën, masat e marra nga ISKSH-ja fillojnë që nga vendosja e gjobave dhe deri në pezullim nga puna. Pritet të bëhen të ditura të gjitha rezultatet përfundimtare që janë kryer në të gjitha qendrat shëndetësore, pasi  specialistët kanë gjetur shpesh raste abuzimeshatje, nga kontrollet e ushtruara më parë, ku ka marrë masa penalizuese ndaj personelit abuzues.

    Kontrollet zbulojnë shkelje të vjetra

    ISKSH-ja ka evidentuar abuzime në aktivitetin e mjekut të përgjithshëm dhe të familjes, ku janë konstatuar shkelje të detyrimeve kontraktuale, pasaktësi në dokumentimin e aktivitetit profesional të mjekut, pasaktësi në regjistrimin e banorëve që mbulojnë me shërbim shëndetësor, duke shkelur parimin e zgjedhjes së lirë të mjekut, domethënë duke regjistruar të njëjtët banorë nga mjekë të ndryshëm, dhe kjo është verifikuar në disa qendra shëndetësore. Në poliklinika është vërejtur edhe fenomeni i marrjes së parave të qytetarëve të siguruar, duke i kërkuar para në dorë dhe pa prerë faturën e detyrueshme për kryerjen e vizitës. Në qendra shëndetësore, një mjeku, përveç mungesave të shprehura në punë në ambientet e pikës shëndetësore, i janë gjendur  sasi barnash. Në zbatim të kontratës në fuqi, një  mjeku të qendrës shëndetësore në një lagje periferike të Durrësit iu dha masa disiplinore “paralajmërim për pushim nga puna”. Abuzime janë kryer edhe në kartelën personale të pacientit, e cila u paraqit me shumë mangësi, ku të vërejtura janë në rastet kur nuk plotësohen të dhënat e domosdoshme sipas praktikës së njohur mjekësore, nuk plotësohet saktë ecuria e sëmundjes, diagnostikimit, ekzaminimet, konsultat dhe mjekimi. Diagnozat nuk mbështeten me ekzaminime, nuk argumentohet në kartelë arsyeja e dërgimit të të sëmurit te mjeku specialist, por edhe  gjithë vizitat e kryera. Nuk zbatohet praktika  mjekësore për përshkrimin në kartelën personale të treguesve kryesorë të vendosjes së diagnozës dhe mjekimit, nuk respektohet sistemi për rekomandimet te mjeku specialist në spital, si dhe shkelje të kufizimit të listës dhe protokollet e përdorimit të barnave.