Nëpunësit e shtetit tallen me shtresat në nevojë. U tregojnë kompjuterin

    377
    Sigal

    Ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në vendin tonë pas rrëzimit të sistemit të kaluar, natyrisht që kanë ndryshuar edhe jetën e qytetarëve shqiptarë në aspektin social, ekonomik, psikologjik, apo edhe në drejtime të tjera të jetës së tyre. Dhe këto ndryshime nuk mund të themi se janë kapur në kohën e duhur nga të gjithë, nuk mund të themi se me to janë ambientuar të gjithë qytetarët. Në këtë mes, duket se ka një aspekt ku këto ndryshime ecin si me frena dore, kjo jo për fajin e qytetarëve, por se këto shtresa të popullsisë shpesh nuk kategorizohen sipas moshave e profesioneve, duke i futur të gjithë këta qytetarë në një “thes” kur është fjala për marrëdhënie apo bashkëpunim me institucionet shtetërore apo private në standarde ndryshe nga 22 vite më parë. Cili është aspekti? Le të themi se ka vite që qytetarët shqiptarë ndodhen nën trysninë e indiferencës zyrtare në institucionet e ndryshme shtetërore e private, kryesisht në ato që kanë më shumë kontakte me ta. Ka vite që këta qytetarë enden nëpër këto institucione për të kërkuar të drejtat e tyre, për të kërkuar pronat e tyre, për një vizë jashtë vendit, për një gjobë të rrugores apo edhe për një certifikatë të thjeshtë, por që shpesh për shpërblim marrin një përgjigje të thatë e paksa fyese “… shikoje në kompjuter, do komunikoni në faqen tonë elektronike!!!”, etj, etj. Dhe çfarë ndodh me ta kur nga këto institucione orientohen vetëm tek elektronika? Të themi së pari se në shumatorën e qytetarëve që enden nëpër këto institucione ka në mosha e profesione të ndryshme, mes të cilëve janë edhe ata që nuk kanë lidhje me kompjuterin, nuk kanë moshën e mundësinë që ta njohin këtë marrëdhënie në shqip apo edhe në gjuhë të huaj. Kjo kategori që mund të përbëjë përqindjen më të madhe të shtresave të popullsisë sonë, nuk e ka kompjuterin si mjet, nuk di ta përdorë atë, ose nuk di një gjuhë të huaj që të përkthejë ato dokumente që i duhen t’i marrë nëpërmjet elektronikës. Nga ana tjetër, dihet edhe fakti se jashtë institucioneve ka shumë njerëz të tjerë që privatisht i dinë këto marrëdhënie me elektronikën dhe aty mund të adresohen të gjithë këta nevojtarë, por në kushtet e ekonomisë së një tregu të çakorduar, pa pagesë nuk mund të ndihmohen realisht shtresat në nevojë për shërbimin e tyre që mund t’u ofrojnë. E kësisoj, në këto kushte, kjo nuk mund të thuhet se është zgjidhja e vetme për t’u shërbyer qytetarëve me standardet e kohës, duke i sorollatur ata nëpër dyer e sportele sikur të ishin studentë të elektronikës! Se, nuk mund ta fyesh një të moshuar që fëmijët i ka në emigracion duke i treguar atij kompjuterin, uebsajtin e ambasadës apo të institucionit, kur vetë ai apo ajo, as edhe në ëndërr nuk mund të arrijë që t’i verë në përdorim këto mjete e gjuhët e huaja. Kjo pjesë e shoqërisë sonë është vitale, është jetë dhe histori që duhet respektuar edhe pse ato nuk janë afër elektronikës e gjuhëve të huaja. Kësisoj, nuk duhet të fyhet e të braktiset një brez që këto vuajtje shpirtërore e psikologjike nuk i meriton. Integrimi i tyre ne standardet evropiane nuk mund të bëhet vetëm nga kompjuteri.