7501-shi, ka marrë deri më sot 7501 jetë njerëzish të pafajshëm

    469
    Sigal

     FORUM/ Efektet e ligjit 7501: Flasin Prof. Ago Nezha, Hasan Halili,  Mustafa Dedenika, Kleanthi Llogoni

    Ligji 7501 ka më shumë se 22 vjet që po diskutohet në mbarë shoqërinë shqiptare. Për ‘të, vlerësimet janë nga më të ndryshmet dhe nga më befasueset. Aktualisht në parlamentin shqiptar ka deputetë apo dhe ish- ministra që e kundërshtojnë këtë ligj, kur deri dje ishin ata që këmbëngulnin për zbatimin e tij. Politikanët tanë bëjnë lojën e të paditurit, të harresës, të kalimit të kohës, të mos qasjes së sotme për këtë ligj dhe ja kalojnë topin njëri- tjetrit sa djathtas-majtas. Por vlen për t’u përmendur deklarata e fundit e ish- Kryeministrit Sali Berisha, që doli me tezën se gjoja është bërë një gabim me ligjin 7501, por nuk jep asnjë version se si dhe a mund të korrigjohet ky ligj. Për këtë ligj ende lihen pa u zgjidhur shumë pyetje? A duhet vazhduar me këtë ligj? A duhet zëvendësuar ky ligj dhe me çfarë ligji duhet zëvendësuar? Çfarë rrëmuje ka sjellë në pronësinë mbi tokën ky ligj dhe a përkrahet nga ndërkombëtarët? Për këto shpjegime le tua lëmë fjalën specialistëve…

    Prof. Dr. Ago Nezha

    Ligjin 7501 dhe Ligjin e heqjes së dënimit me vdekje, unë i kam quajtur dy fatkeqësitë shqiptare, që kanë shkatërruar marrëdhëniet njerëzore dhe kanë cenuar të drejtën shoqërore për të jetuar të lirë në një shoqëri demokratike. Ky ligj, ishte një kompromis konjunkturash për efekte elektorale, ku si e Majta ashtu edhe e Djathta, e votuan unanimisht në Parlamentin e parë pluralist. I vetmi deputet që doli në kundërshtim me ligjin dhe votoi kundra ishte shkrimtari i madh Dritëro Agolli. Për këtë qëndrim refuzues ndaj ligjit, ka edhe një episod me Namik Doklen, që i tha: O Dritëro, si votove kundra ligjit, kur ti je dhe anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste?! Dritëroi i madh, i tha: Bjena socializmin se do votoj unë pro, tashti jemi në kapitalizëm”. Filozofia e këtij qëndrimi është fare e qartë, nuk mund të ndërtojmë shoqërinë kapitaliste në një demokraci liberale, me metoda komuniste.  Në fillimet e demokracisë, në Programin e Partisë Demokratike, ishte sanksionuar që toka të shkonte te pronari legjitim. Mirëpo kur Berisha testoi opinionin në zonat rurale dhe pa tendencën që fshatarët në pjesën dërmuese të tyre nuk trashëgonin tokë dhe ishin të prirur për të implementuar ligji 7501, ndërroi kurs, duke u pajtuar me këtë ligj vrastar që shkel të drejtat e njeriut. Pra, ky ligj u kthye në një shou elektoral. Dëmet që i ka sjellë ky ligj shoqërisë shqiptare, janë të pallogaritshme dhe të parikoperueshme. Ky ligj vepron me dy standarde, ndryshe në fshat dhe ndryshe në qytet. Në qytet ju njoh prona pronarit, madje në mënyrë të dhunshme dhe aspak humane u sollën pushtetarët e qeverisë “Berisha” me banorë që ishin strehuar nga shteti. Është i njohur fakti se, qytetarët që banonin prej 70 vjetësh në shtëpi me pronar, u nxorën në rrugë dhe i lanë në qiell të hapur, në mëshirë të fatit. Po të marrim në konsideratë edhe faktin që këta pronarë, kanë marrë shtëpi nga shteti, që është kontribut i shoqërisë, atëherë del në pah, denigrimi ekstrem që ju bëhet pronarëve në zonat rurale. Politikanët tanë bëjnë lojën e strucit dhe ja kalojnë topin njëri- tjetrit sa djathtas-majtas. Ironia më e fundit është ajo e klounit Sali Berisha, që doli me tezën se gjoja është bërë një gabim me ligjin 7501, por nuk jep asnjë version se si dhe a mund të korrigjohet ky ligj. Ka pasur tagrin si parti e ashtuquajtur e djathtë dhe pushtetin e presidencën për më shumë se një dekadë nën demokraci dhe megjithë kontestimet  e bëra në mënyrë permanente nga pronarët e bregdetit, ai për asnjë rast nuk ka denjuar t’i marrë në konsideratë kërkesat, peticionet dhe protestat e një komuniteti që i është mohuar një e drejtë themelore e individit. Madje, janë tallur duke përsëritur ritualin grotesk, se do i shpërblejnë pronarët legjitim.

    Hasan Halili

    Problemet e pronës në Shqipëri, kanë mbetur  të pakuptuara nga shumica e njerëzve në Shqipëri, se në perandorinë romake kanë qenë pak krahinat që kane ruajtur identitetin e pronës private si rajoni i Dukatit, Himarës ,Lumit të Vlorës, Mirditës etj., (por edhe këto të padokumentuara), praktik, e cila vazhdoi edhe në Perandorinë Bizantine. Me ardhjen e Perandorisë Osmane  çdo gjë, toka uji, ajri, deti, ishin pronë e Sulltanit, por territoret që e kishin traditën e pronës private nuk u prekën (kujto Venomet e krahinës së Himarës  që e shtriu territorin e saj, për këto interesa deri në Lekël të Tepelenës). Me lëvizjen e Tanzimatit në vitet 1850  u instalua prona private dhe filloi dokumentimi i saj, dokumente që i janë falur arkivit të shtetit, por që nuk publikohen për interesa të atyre që vazhdojnë të zhvatin pronën e të tjerëve. Sistemi i centralizuar ua shpërndau dhe pas dhjetë vjetësh ua kolektivizoi tokën pa dallim, duke ruajtur një kadastër të mirë për kohën. Kështu e gjeti 1991 pronësinë mbi tokën bujqësore, që i referohej Kushtetutës së vitit 1976, e  cila çuditërisht nuk u abrogua me paketën e ligjeve kushtetuese të miratuar në prill të vitit 1991. Nga ky moment e deri më sot vjen vërdallë problemi i pronësisë duke mos vajtur prona tek i zoti që e ka patur të legjitimuar, por që bëhet më parë pronar ai që ka zaptuar tokën e tjetrit, se sa ai që e ka të vetën. Në korrik të vitit 1991, vazhdoi për një javë debati për ndarjen e tokës bujqësore dhe ne që ishim jashtë tij shikuam me habi se si  krahu i majtë që kishte 175 deputet kërkonte me shumë argumente dhënien e tokës në përdorim dhe jo në pronësi. Ndërsa krahu i djathtë që ishte me 75 deputetë, pas një letre të paidentifikuar që erdhi nga lozhat e Kuvendit, të kërkonte dhënien e tokës së ish -Kooperativave në pronësi private duke injoruar me një të rënë të lapsit pronat  private. Në këtë periudhë  që unë u ngarkova të bëja detyrën e përgjegjësit të bujqësisë në Fier, synova që të zbatohej ligji,  por ajo që u takonte pronarëve sipas këtij  ligji ta merrnin në territorin e tyre, gjë që në përgjithësi u realizua atje ku komisionet ishin të përgjegjshëm, ndërsa në zona të tjera  u anashkalua kjo procedurë. Zona veriore me një traditë shumë konservatore të pronës, si dhe pa asnjë konflikt për këtë qëllim  mori pronën e vet duke respektuar nenin 5 të ligjit 7501 që thotë: “Komisioni i tokave cakton sasinë dhe vendin, ku e merr tokën banori i fshatit”, veprim, i cili u mbështet në ligj edhe në zakon. Më është kërkuar atëherë që të jepja llogari pse ishte punuar me dy standarde në ndarjen e tokave dhe kur unë u kujtova këtë nen të ligjit, të gjithë heshtën. Një përpjekje të madhe kemi bërë me deputetin e Lezhës Tonin Alimëhilli  për pronësinë e kullotave dhe pas shume kundërshtish, përfundimisht u ra dakord që pyjet dhe kullotat të shkojnë tek pronari, por që ende nuk jepen me justifikimin absurd nëse ju që e  doni “nuk keni dokumente ” , po atëherë shtrohet pyetja, unë nuk kam dokumente, kjo pronë e kujt është?  Përgjigja naive e Shtetit, po të na jap dokumentet shteti – por edhe ai nuk i ka. Sot situata është  një lëmsh i vështirë për t’u zgjidhur, por ç’do gjë ka zgjidhje në rast se ekziston vullneti politik. Ndoshta po qe se grumbullohen specialist me përvojë  mund t’i japin zgjidhje sipas zonave dhe rasteve dhe të mos e lëmë Shqipërinë në një ngërç të tillë që ka prapavijë jo të mirë për interesat e shqiptarëve.

     

    Z. MUSTAFA  DEDENIKA, KRYETARI I  SHOQATËS   KULTURORE  ATDHETARE  “DUKATI” 

    Ligji 7501 dhe heqja e dënimit me vdekje shoqata i ka quajtur dhe i quan fatkeqësia e këtij kombi që s’do gjejë qetësi për një kohë shumë të gjatë  Shoqata “Dukati”, ka qenë vazhdimisht aktive, duke kombinuar punën dhe kapacitetet intelektuale kudo ku janë. Unë si kryetar i saj, dua të theksoj se kam atakuar disa herë këtë problem në instancat qendrore, duke shkuar me grup përfaqësuesish të shoqatës. Megjithëse, më akuzojnë disa kryetar dhe ish- kryetar degësh, se kam qenë indiferent për qëndrimin ndaj pronës, gjë që s’është e vërtetë. Mjafton t’ju sjell disa shembuj konkret. Për çështjen e pronave të Dukatit kemi dërguar disa peticione, strukturave të larta shtetërore, si, kryeministrave të qeverive përkatëse, presidentëve, kryeparlamentarëve dhe krahas këtyre kemi marrë takime me Ministrin e Mjedisit, të Bujqësisë, të Ministrit të Pushtetit vendor, të Ministrit të drejtësisë, ku në përbërjen e grupit kam qenë edhe unë ose kam deleguar zotërinjtë Hasan Halili, Ago Nezha dhe juristi Mislli Çeloaliaj, ish kryeplakun Hamdi Jazo. Kam marrë pjesë në takimet e pleqësisë së Dukatit, ku kanë qenë të zgjedhur edhe Ago Nezha dhe Xhemil Vela nga Tirana. Më vonë jam tërhequr se s’kam qenë dakord me ekstremizmat sado që jam më i persekutuari në çështjen e pronësisë.. Ligji 7501 ka tentuar të prishë harmoninë e komunitetit, se shumë bashkëfshatarë, që kanë punuar kuadro në ushtri, miniera, gjeologji,  dikastere e institucione  të tjera të shtetit para viteve ‘90 e s’kanë përfituar asnjë metër tokë.  Sqarojmë se: 800 familjet që përmenden në shkrimin që bëjnë disa autorë dukatas është abuzivë. Përse e them këtë? Shoqata në vitin 2003 porositi degët që të bëjnë evidentimin e familjeve që jetojnë në territorin ku vepron shoqata, qëllimi ishte, për të patur adresat dhe të komunikohej me ta në rast nevoje ose gëzimi. Shumë nga këta që kanë ardhur në qytet sipas listave që disponon shoqata, janë trajtuar sipas ligjit 7501. Shtojmë se prona është ajo e trashëguar nga gjyshi ose babai, shtimi më vonë i familjeve kanë pronësi vetëm në ato të trashëguara.

    Kleanthi Llogoni-agronom-

    Në vitet e demokracisë u prishën të gjitha ndërmarrjet. Një ndër to ishte dhe Ndërmarrja e Lushnjës, e cila u prish me aksion. Nga ata me goditje të përqendruar. Aksioni filloi me të errur. Në fillim tek magazinat. Burra, gra, pleq, kalamaj, komunistë, ballistë, romë, lloj-lloj robi. Brenda 2 orëve u hoqën edhe tjegullat e çatisë. Pastaj stallët, lopë, viça, dele, kafshë pune etj., dhe më pas zyrat dhe në fund shtëpia e kulturës, tavolina, librat, revistat, gazetat të gjitha u grisën ose u dogjën. Ngeli vetëm toka. Ajo u nda më  7501-in. Nuk e di ku e gjetën atë ligj, I cili vetëm ligj për tokën nuk është. Iku edhe gjysma e banorëve të tjerë nga zonat rurale, me gjithë dele e lopë. Sektorët e fermave sot janë një llahtar. Tokat nuk punohen kur do të ujisësh s’ka pikë uji. Kur duhej kullimi nuk hiqej dot uji. Në vitet 2000 kemi punuar disa kohë me projektin e menaxhimit ujitjes. Na asistonin edhe disa të  huaj. Do formonim e konsolidonim shoqatat e ujit. Një ditë ishin mbi kodrat mbi Golem dhe poshtë shtrihej Tërbufi i tharë nga vapa. Sa gramë merr Franca për hektarë? Rreth 60 kv/ha thanë ata   pasi u konstatuan me njëri-tjetrin. I thashë djalit që përkthente: Kjo fushë e madhe ka qenë kënetë. U tha. U përfituan 8000 ha tokë u ngrit i gjithë sistemi kullues e ujitës me ekskavatorë e hidroforë dhe me hidrovate. Merrej 60 kv/ha grurë dhe 100 kv/ha misër. Si Franca inxhinieri francez tundi kokën e tha: Kam bredhur në shumë vende të  botës por ajo që kam parë këtu në Lushnjë për sistemin e ujitjes, nuk ma kanë zënë sytë gjëkundi. Një rezervuar gjigant uji…me gjysmë milioni metër kub ujë, me një rrjet të dendur kanalesh si kapilarë e që e çojnë e që e çojnë ujin në 30000 ha tokë. Dihej kjo me rrjedhje të lirë, pa asnjë shpenzim. Një mrekulli  hidroteknike. Si i kemi prishur të gjitha  këto?