Ambasada Britanike, ndryshime në procedurat e aplikimit për vizë

492
Sigal

NJOFTIM/Kriteret në dhënien e vizave dhe koha e nevojshme për procedim do të mbetet e pandryshuar

Duke filluar nga data 19 mars 2014, Ambasada Britanike do të ndryshojë procedurat e aplikimit për viza, për në Mbretërinë e Bashkuar. Në të ardhmen, aplikimet për vizë nuk do të pranohen më nga ambasada. Për rrjedhojë, aplikimet për vizë, do të pranohen tek Qendra e Aplikimit për Vizë, nga “Teleperformance Ltd”, një partner tregtar i Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, pranë një zyre të caktuar në Tiranë. Aplikimet dhe dokumentacioni i nevojshëm, do të dërgohen më pas pranë një qendre rajonale, në Ambasadën Britanike, në Varshavë, për procedim të mëtejshëm. Kriteret në dhënien e vizave do të mbeten të njëjta. Personeli i Qendrës së Aplikimit për Vizë, nuk ka asnjë rol në vendimmarrjen që lidhet me aplikimet për vizë. Procedura të ngjashme po hyjnë në fuqi dhe në Ambasadat Britanike në Europën Qendrore dhe Lindore, si edhe më gjerë. Qendra e Aplikimit për Vizë e Mbretërisë së Bashkuar, do të jetë në këtë adresë: Qendra Tregtare Europiane (ETC), kati i 12, Bulevardi Bajram Curri, Tiranë. Qendra e Aplikimit për Vizë, do të jetë e hapur nga ora 08:30 në orën 15:30, nga e Hëna në të Premte, me përjashtim të festave zyrtare. Për përdorimin e Qendrës së Aplikimit për Vizë, në Tiranë, do të ketë një pagesë prej 59.00 GBP. Kjo është një pagesë shtesë, përveç tarifës së Vizës dhe do të jetë e pagueshme në Euro, sipas kursit të Këmbimit Valutor Konsullor. Kjo pagesë mbulon shpenzimet e ofruara nga shërbimi i ri i aplikimit. Aplikantët duhet të regjistrohen në faqen e internetit të Teleperformancës, pasi të kenë prenotuar një takim, dhe të paguajnë tarifën e caktuar që lidhet me takimin, si edhe çdo shërbim tjetër shtesë që kërkohet. Një regjistrim paraprak me Teleperformancën, do të mundësojë, gjithashtu, një procedim të shpejtë të aplikimit tuaj. Aplikimet e përfunduara, do të dërgohen pranë Qendrës së Vendimmarrjes në Varshavë, për procedim. Koha e nevojshme për procedim do të mbetet e pandryshuar. Për informacione të mëtejshme mbi procesin e aplikimit dhe kohën e procedimit, duhet të vizitoni faqen e internetit “Vizat & Emigracioni në MB”. Gjithashtu, do të ofrohet një gamë shërbimesh të tjera. Ato janë si më poshtë:

 -Shërbimi Premium Lounge do të mundësohet përkundrejt një pagese prej 89.00 GBP, e pagueshme në Euro. Ju duhet të paguani on-line me një kartë krediti/debiti. Për më shumë informacion vizitoni faqen e internetit të Teleperformancës.

-Shërbimi prioritar do të mundësohet përkundrejt një pagese prej 100.00 GBP, të pagueshme në Euro. Ju duhet të paguani on-line me një kartë krediti/debiti. Ky shërbim mundëson që aplikimi juaj të shqyrtohet në mënyrë të përshpejtuar nga Qendra e Vendimmarrjes, në Varshavë, dhe marrjen e një vendimi nga 3 deri në 5 ditë pune. Kjo pagesë është një shtesë përkundrejt pagesës tuaj për vizë dhe nuk është e rimbursueshme.

-Shërbimi i kthimit me postë – mundëson dërgimin e vendimit me postë në adresën e përzgjedhur prej jush në vend të paraqitjes tuaj në Qendrën e Aplikimit për Vizë, për ta tërhequr atë. Shërbimi i kthimit me Postë, mundësohet përkundrejt një pagese prej 7.95 GBP, të pagueshme në Euro, on-line me një karte krediti ose me anë të një karte debiti pranë Qendrës së Aplikimit për Vizë. Teleperformanca do të procedojë për kthimin e pasaportës në ditën e marrjes së vendimit nga Qendra e Vendimmarrjes në Varshavë. Koha e nevojshme, për dorëzimin e pasaportës aplikantëve, do të jetë nga 1 deri në 3 ditë pune në varësi të zonës së banimit. Kjo është një pagesë shtesë, përkundrejt tarifës së aplikimit, për vizë dhe nuk është e rimbursueshme. Informacione të mëtejshme mbi të gjitha shërbimet, duke përfshirë edhe kriteret e duhura për vizë, mund të gjenden në faqen e internetit të Teleperformancës, pasi të jeni regjistruar. Ju lutemi të merrni në konsideratë faktin që faqja e internetit të Teleperformancës për Shqipërinë është në përditësim dhe do të mundësohet së shpejti.