Robert Haxhi: Midis nesh ka dy botë!

519
Sigal

Sot ka plasur e përplasur,
Midis nesh paska dy botë!
Në një anë janë tradhtarë
Dhe në tjetrën patriotë!

Në një anë janë gjithë të mirët
Dhe në tjetrën gjithë të liqtë,
Ata që me djersë të ballit,
U pasuruan nga fiqtë!

Në një anë janë gjithë ata,
Që betohen për flamur,
Janë ata që për Atdheun,
U bënë kockë edhe lëkurë!

Në një anë janë gjithë ata
Që nuk vodhën një qindarkë,
Me të gjithë shpirtin luftuan
Nga mëngjesi gjer në darkë.

Në një anë të vetmen anë
Jan ata me plot parime
Pjesa tjetër janë ata
Që kan bërë e bëjnë krime

Në një anë të gjithë ata,
Oh, sa shumë e duan shtetin!
Ata që kurrën e kurrës,
S’ abuzuan me pushtetin!

Qenkan ngjallur baballarët,
Prapë e zezë bëhet e bardha,
Po patjetër, domosdo,
Nënë dardhë do bjeri dardha!

Në një anë janë gjithë ata,
Që të denden e të ngopen
Dhe në tjetrën janë ata,
Ata që s’duan Evropën.

Në një anë janë gjithë ata,
Që vunë shtetin në binarë,
Që e mbollën cep më cep,
Me sheqer e me panxharë!

Janë ata që dinë të rrahin,
Pastaj shkrehen duke qarë,
Para gjithë botës ankohen,
Na kanë rrahur na kanë vrarë!

Shajnë, se pala tjetër nxin,
Nxin më shumë se shpirti tyre,
Dil moj nënë edhe dëgjo,
Dil dëgjo se ka qyfyre!

Dil shiko se ç‘ke gatuar,
Nga fara që vetë ke mbjellë,
Djemtë e tu syrin e dhembur,
Po ta nxjerrin sa ma thellë!

Pastaj do të vijë Evropa,
Me kulaç dhe me kërbaç!
Dhe diçka, po të ka mbetur,
Do ta marrë për Haraç!

Po, po, Evropa do vijë,
Veshur me rroba Armani.
Do na lus e do na thotë: 
-Amani, Shqipo, Amani!

Dhe Evropa do bjerë vdekur,
Do bjerë vdekur, ç’t’u them tjetër?!
Do vazhdojë Evrop’ e “Re
Do qaj me avaz të vjetër!

Do të qajë e do të qajë,
Do të qajë e do lëngojë,
Për ne nuk do pijë e hajë,
Dhe s’do vërë asgjë në gojë!

Do të qajë e do vajtojë,
E gjithë kjo Evropë me quka,
Dhe nga meraku për ne,
Nuk do t’i zëri vend buka!

Pastaj me Evropën bashkë,
Do të qajë dhe Amerika,
Do të qajnë do ulërasin,
Me një zë, po në dy gryka!

Do të qajnë e do vajtojnë, 
Do të qajnë e do të qeshin,
Dhe ashtu të mallëngjyer,
Me dhimbje do na ngjeshin…!!!