Paparaci/ Robert Haxhi: E rrah gjoksin sa jam i ri

453
Sigal

Po më fal, o perëndi!
Prapë më ngjan vetja i zoti,
Nis me veten zë e zihem,
Zë e zihem kot së koti.

E rrah gjoksin si i ri,
Paçka moti shkoi e vate,
I them vetes djemtë tani
Qenkan larg zotërisë sate!

Ndofta mendja m’u burgos,
Si një zog i zënë në çark,
Kjo rini nga koha time, 
Duket larg e sa më larg!


Hëna më nuk është e plotë,
Sa shumë nata e ka ndukur,
Koha time, dhe pse larg
Prapë më duket më e bukur!

Dhe tani, për atë zot!
Më ka ngel një zjarr gjysmak
Dhe për këngën e pranverës,
Zemra ime prapë merr flakë.

Zemra ime dallgëzon,
Dallgëzon me aq sa mund,
Dhe pse kënga e rinisë,
Pak nga pak na u përhumb.

Por pranvera prapë më ndez,
Me aromë të trëndelinës,
Ndofta kënga na u vodh,
Nëpër sqep të gjeraqinës.

Po më fal, o Perëndi!
Mbase gjuha foli shpejt,
Po nga malli më beso,
Më beso e gjykomë drejt.

Më beso e gjykomë drejt,
Mos u bëra i bezdisur,
Kënga jonë që iku, humbi
Ndofta s’ka më për t’ia nisur.

Se rinia vjen dhe ikën,
Vjen dhe ikën si dhe dje,
Ç’ është kështu, o zoti im,
Zemra time prapë e re?!


Ndaj dy kupa, them t’i kthej.
Të dy mbushur me maraz,
Një për mua dhe për ty,
Një për kohën që lamë pas!!!