Batoni prej betoni

759
Sigal

Batoni nuk di anglisht thotë Berati, por kjo nuk e pengon atë të hyjë në sallonet e politikës së madhe botnore, ku e paraqesin herë si këshilltar, herë si anëtar i delegacionit, herë si truprojë, herë nuk e paraqesin hiç.

Në televizion Batonin e na e tregojnë për gazetar që i rri afër, ngjit Ed’ Ramës. Një burrë që i rri ngjit një tjetri është vëllam, shok për kokë ose…

Batoni, tek rri në kafiqe shalëhapur me pantolla të shkurtra ngjyrë protokall ia mbush mendjen gjindjes se zgjidhja e Ballkanit varet, sa nga ky njeri shalëshqyer sikur me qenë gjimnast në qilimin e garës. Por, atij aq i bën, se ka folur me ambasadorin amerikan, ani se nuk mbllaçit inglish, ka komunikuar dora vetë me zotin Palmer, s’ka gjë që nuk e shkrep në gjuhën e tij, me zotin Pompeo flet, por më rrallë, me gjasë me alfabetin mors dhe e ka ujë me këshilltarin e Presidentit të SHBA, zotin Bolton, jo ai që këndon “To love somebody”, sepse këngën nuk e merr vesh, por zotit John ia njeh gjuhën teknike.

Batoni ka gjetur zgjidhjen si Arkimedi, kur doli rrugëve gollomesh dhe thërriste “Eureka!”. Zgjidhja e Batonit ka bekimin e Amerikës. Këtë thotë ai njeri sa në televizor, sa në kafiqe, sa në berberhanë, kudo që i japin zë. Por, kur e kundërshtojnë që kjo është një ide serbomadhe, që ia ka ënda Rusisë, ai të përmend ambasadorin, Palmerin, këshilltarin, vetë Donald Trump-in. Nuk ia thotë njeri atë punën e anglishtes, se të ndjek nga pas zëri bariton i Edi Ramës: “Sa i modh je vlla!”. Kaq mjafton që të kuptohet se Batoni ka të drejtë.

A nuk kishte të drejtë Batoni, kur shpalli që të vriten koalicionet në vitin 2017?

A nuk kishte të drejtë Batoni që bifteku “Skanderbeg” nuk e ka krroqen e vezës, aq të madhe sa bifteku “Krajl Nikolla”?

A nuk kishte të drejtë që të vritej “partia e çamëve”? Për ça duhen këta çamët?

A nuk kishte të drejtë Batoni, kur thotë që tava e kosit bëhet me kos?

A nuk kishte të drejtë për idenë që të shkarkohet Ilir Meta?

A nuk kishte të drejtë Batoni që kima me vezë e ka marrë emrin nga Kim Kardashian?

A nuk kishte të drejtë Batoni, kur të gjithë të hynë në burg, përveç atij burrit?

A nuk kishte të drejtë Batoni, kur dihet që flija e ka emrin kështu, se diçka duhet bërë fli?

A nuk kishte të drejtë Batoni që Zoran Zaev bën thashetheme në telefon?

Sepse, Batoni ka përherë të drejtë, por dikush t’i çojë të ndenjurat t’i japë një bardhak ujë, se i ka ngel fjala në fyt si shukat e gjelit të detit që ia presin kryt’ për Vit’ të Ri.

P.S. Ky shkrim është fiction. Përputhja me persona të vërtetë është krejt e rastësishme./ 27.al