Safo Marko, historia e dhimbshme e një familjeje artistësh

461

Pardje u përcoll për në banesën e fundit, pranë varrit të të shoqit, shkrimtarit të njohur Petro Marko dhe djalit, poetit Jamarbër Marko, piktorja Safo Marko, krijimtaria e së cilës zë një vend të rëndësishëm në historinë e artit shqiptar si dhe në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Safo Marko u nda nga jeta mbrëmjen e 26 gushtit në moshën 87 -vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë e të gjatë.

***

Nuk ka shqiptar të moshës mbi 40 vjeç të mos mbaj mend kur ka qenë fëmijë ilustrimet e librave të këndimit, revistave “Yllka”, “Fatosi”, gazetës “Pionieri” e dhjetëra libra të tjerë jashtëshkollorë të kohës për fëmijë. Vizatimet e saj nxisnin imagjinatën fëminore dhe shërbenin për të kuptuar më mirë atë që shkruhej në ata libra dhe ato revista. Krijimtaria e periudhës së parë e Safos është nga më të njohurat në fushën e ilustrimit në botimet letrare dhe akademike. Ajo është një nga artistet e njohura shqiptare, me edukim autodidakt në pikturë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Krijimtaria e saj ndahet në dy periudha. Krijimtaria e periudhës së parë është ajo që thamë më lartë dhe me vepra nga më të njohurat në fushën e ilustrimit në botimet letrare, akademike dhe shkollareske, që e bëri atë shumë të njohur në mjedisin artistik shqiptar, por edhe jashtë. Veç ilustrimit ajo në këtë kohë u mor edhe me gjini të tjera të pikturës si me posterin tematik, me panot dekorative dhe tematike, me teknikat e gdhendjes e të shtypit në bardhezi dhe me ngjyra, vizatimit dhe pikturës. Janë mbi 20 vepra të saj të vendosura në fondin e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Periudha e dytë e krijimtarisë së saj, për shkaqe madhore është më pak produktive, por sidoqoftë me vepra cilësore, me krijimtari në rritje të natyrshme dhe emocionale me kah figurativ, frymë lirike dhe me subjekt njerëzor. E tillë ka qenë, p.sh, ekspozita e fundit e saj me 40 punime e hapur në vitin 2008 dhe që mbetet edhe aktiviteti i saj i fundit kulturor dhe publik. Në këto piktura të mbajtura në shtëpi,  larg syve të publikut, të bie në sy ngrohtësia dhe imazhi i ndrojtur i femrës, koloriti i Jugut, sidomos ai i Dhërmiut të Petros.

Kalvar i gjatë vuajtjesh i familjes Marko

Jeta e artistes Safo Marko, si e gjithë familjes Marko ka qenë e vështirë, plot vuajtje e mundime. Një familjeje që për vite të tëra iu mohua liria e burrit të shtëpisë, bashkëshortja që duhet të merrte përsipër të mbante fëmijët, pasi   janë bërë legjendë burgimet, internimet dhe heqja e të drejtës së krijimtarisë të luftëtarit internacionalist të Spanjës dhe një prej penave më të spikatura si në periudhën e Zogut dhe në atë të realizmit socialist të intelektualit të ri, por me zë të fuqishëm, Petro Marko. Por Safoja do të mbante edhe peshën e burgosjes dhe më vonë të shkatërrimit shpirtëror të djalit të saj, poetit Jamarbër Marko. E detyruar për bukën e gojës ajo punoi e pavlerësuar, me honorarë të vogla. Megjithëse erdhi demokracia, kjo familje nuk pa një ditë të bardhë. Pas dy vdekjeve të mëdha, vajza e Safos, Arianita për të mbajtur familjen u detyrua që prej 11 vjetësh të lërë punën e saj si grafiste. Një jetë plot dhimbje, vuajtje. Një jetë që nuk e meritonin ta kishin të tillë këta njerëz të mirë me shpirt artisti dhe me vlera për Shqipërinë.

___________________________________________________________

SAFO MARKO: JA LIDHJA IME ME PETRO MARKON!…

Safo Marko, bashkëshortja e shkrimtarit Petro Marko, u lind në Selanik në 28 mars 1925. Ajo rridhte nga një familje shqiptare. Megjithëse Petro Marko më se një herë e ka treguar bukur dashurinë e tyre, këtë radhë po botojmë kujtimet e vetë Safos për lidhjen bashkëshortore të çiftit Marko: Kur erdhi Petro tek shtëpia ime, nëna, e cila vinte nga një familje shqiptare që kishte jetuar në Turqi, një familje, ku përziheshin sferat më të larta të shoqërisë, ajo më tha: “Ky se si më ngjan, si shebender”. – Çfarë do të thotë kjo? – i thashë nënës sime. “Më ngjan si një ambasador”. Kjo pasi, Petro i solli nënës sime mjaft dhurata, sheqer e kafe amerikane që ia kishin sjellë njerëzit nga jashtë. “Ai nuk është si një fshatar, por është një shebender”, – tha ajo. Ashtu erdhi e i dashur përherë ishte me familjen. Petro ishte vetëm e u lidh shumë me mua. Gjeti mbështetje të madhe tek familja jonë. Petrua ishte fisnik si me të gjithë, edhe në familje, mua m’i plotësonte të gjitha dëshirat; më respektonte shumë, më puthte kokën në rrugë, në një kohë që burrat shqiptarë ishin më të ftohtë se kurrë me gratë e tyre në publik. Unë s’u bëra kurrë një grua shtëpie. Unë punoja, kisha fëmijët, kisha nënën; ai më merrte kudo që shkonte me vete. Unë e njoha Petron të lirë gazetar, ai më tha do bëhesh gruaja ime dhe unë pranova. Petron e burgosnin gjithë kohës. Kjo është koha që më ka vrarë më shumë. E mbajta Petron në burg me ndihmën e nënës. Jeta jonë familjare ka qenë e bukur, e harmonishme, por edhe e dhimbshme, me fate që nuk ia dëshiroj askujt.