Studimi për Beratin dhe Përmetin, tri alternativa zhvillimi për secilin, nga trashëgimia tek eko-turizmi

764
Sigal

Berati dhe Përmeti kanë secili nga tri alternativa për zhvillimin, dhe në fokus janë pikat më të forta. Konsulenti i kontraktuar në kuadër të projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik i mbështetur nga Banka Botërore ka përfudnuar tashmë studimin për këto dy qytete duke dhënë edhe zgjidhjet alternative si dhe ndërhyrjet në investime që mund të bëhen në secilën zonë për të rritur vlerën. Për Beratin ndër tri alternativat e dhëna është edhe ajo e trashëgimisë kulturore e lidhur me të faktin se qytetit është në listën e UNESCO. Por cilat janë në detaj këto alternativa?

E para, e sheh qytetin si qendër administrative rajonale dhe qendër e aktiviteteve e shërbimeve kulturore;

E dyta, e sheh Beratin si një qytet “të gjelbër dhe blu”, miqësor ndaj mjedisit dhe të shëndetshëm;

E treta, si alternativë zhvillimi bazohet në faktin se Berati të trajtohet jo vetëm si një qytet i trashëgimisë kulturore, por dhe qendër rajonale e turizmit.

Të tria alternativat bazohen në vizionin e forcimit të rolit të Beratit si qytet i trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe krijimin e një mjedisi urban vibrant, që mundëson zhvillimin ekonomik bazuar në kulturë dhe turizëm. Për secilën prej alternativave propozohen edhe paketa të ndërhyrjeve përmirësuese në infrastrukturën e qytetit. Kështu, do të përmirësohet; lidhja dhe lëvizshmëria mes lagjeve historike Mangalem dhe Gorricë, me zonën përgjatë lumit Osum dhe hapësirat urbane rrotull Pallatit të Kulturës, Bibliotekës së Qytetit dhe shesheve.

“Alternativat për Përmetin janë po ashtu tre. E para, sugjeron orientimin e qytetit në një qendër rajonale të tregtisë dhe agro-biznesit. Duke pasur parasysh pasuritë natyrore të Përmetit, alternativa e dytë propozon zhvillimin e Përmetit si një qendër eko-turizmi për turizmin malor dhe kulturor. Ndërsa alternativa e tretë e zhvillimit e vë theksin në trashëgiminë kulturore dhe turizmin, si nxitësit kryesor të një zhvillimi gjithëpërfshirës e të qëndrueshëm. Vizioni i zhvillimit të Përmetit për shfrytëzimin e potencialit të qytetit si një qendër rajonale dhe turistike, miqësore me mjedisin dhe që ofron cilësi të lartë të jetësës është në thelb të të tria alternativave për zhvillim. Edhe për Përmetin propozimet për drejtimin e zhvillimit të qytetit, shoqërohen me paketa investimesh, që kanë si synim:

  • Rigjallërimin e zonave të braktisura dhe transformimin e tyre në qendra të aktiviteteve sportive, kulturore e artizanale;
  • Rehabilitimin e pamjeve panoramike të rrugëve të qytetit modern;
  • Rehabilitimin e zonës Guri i Qytetit; zhvillimin e një shtegu këmbësor në bregun lindor të Vjosës, ndërhyrje në lagjen historike dhe përmirësimin e aksesit për në Kishën e Leusës” konfirmohet nga insitucionet.

Detajet e para të studimit i dha Fondi Shqiptar i Zhvillimit të martën e kësaj jave duke nënvizuar se alternativat do të konsultohen edhe me grupet e intersit si Ministria e Infrastruktures dhe Energjitikes, Ministria e Kulturës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkitë e Beratit dhe Përmetit që janë përfitues të drejtpërdrejtë. Në bashkëpunim me ta do të përzgjidhet alternativa me impaktin më të lartë në zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve. Pas përmbylljes së kësaj faze Fondi bën me dije se do të kalohet në etapën e radhës, që është propozimi i paketave të investimeve konkrete bazuar në një analizë të detajuar teknike, ekonomike dhe sociale.