Dalin emrat, kush janë 4 të fortët e Shkodrës të arrestuar. Para, makina e armë nën sekuestro

555
Sigal

Një ditë pas arrestimit të 4 personave në Shkodër, në sajë të operacionit ‘Forca e ligjit’ për shkatërrimin e bandave kriminale, Policia e Shtetit ka zbuluar identitetin e tyre.

Bëhet fjalë për shtetasit Ilir Bajri, Emrah Plaku, Astmer Bilali, Erogen Brajoviç. Ndërkohë një person është shpallur në kërkim.

NJOFTIMI I POLICISE
“Forca e Ligjit” në veprim, goditen disa pjestarë të grupeve kriminale në Shkodër.

Pas një hetimi intensiv disa mujor mbi veprimtarinë e grupeve kriminale në qarkun Shkodër, zhvilluar këto hetime në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”, si dhe në funksion të hetimeve të ngjarjeve të fundit kriminale të ndodhura në këtë qytet, Policia e Shtetit, përkatësisht Drejtoria Vendore e Policisë, Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme, Forcat speciale RENEA, FNSH, Trupat e posaçme operacionale në bashkëpunim me Organin e Prokurorisë, kanë arritur të ndalojnë dje në qytetin e Shkodrës disa elementë me rrezikshmëri shoqërore të lartë, anëtarë të grupeve kriminale aktive në këtë territor, por edhe me gjërë.

Veprimtaria hetimore disa mujore e Policisë së Shtetit e zhvilluar në këtë kuadër ka konsistuar në përgjimin, ndjekjen dhe gjurmimin e këtyre elementeve kriminal si dhe mbledhjen e të dhënave në rruge operative me qellim evidentimin sa me të plotë dhe sa me të qartë të veprimtarisë kriminale të personave të dyshuar për kryerjen e kësaj veprimtarie. Bazuar në 19 urdhra kontrolli të miratuar me vendim gjykate Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në 20 banesa e lokale tregetare të perdorura prej personave të dyshuar si anëtarët të grupeve kriminale.

Operacioni nisi dje rreth orës 02:30 të mëngjesit.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan 4 persona, 1 është në kërkim.

Të arrestuar janë:
• Ilir Rustemi (Bajri), 42 vjeç, lindur e banues në Dobraç, Shkodër;

• Emrah Plaku, 22 vjeç, lindur e banues në Shkodër;

• Astmer Bilali, 29 vjeç, lindur e banues në Shkodër;

• Erogen Brajoviç, 36 vjeç, lindur e banues në Shkodër;

Gjithashtu janë sekuestruar armë, municione, mjete të blinduara dhe sende të tjera të poseduara në mënyrë të paligjshme.

Konkretisht janë sekuestruar:
• 3 armë zjarri, (2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë);
• 6 mjete të blinduara;
• rreth 800 fishekë;
• 1 armë e ftohtë
• 10.500 euro;
• 3 makina lojërash fati;
• njësi kompjuterike, DVR, CD dhe USB;
• telefona celularë dhe karta telefonike;
• 2 veshje antiplumb.

“Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet përkatëse proceduriale me këtë rast për të zbardhur rolin dhe aktivitetin anti-ligjor të të dyshuarve dhe disa personave të tjerë të lidhur me ta. Ne deshirojme të falenderojmë shumë perzemersisht qytetarët e Shkodrës për mbeshtetjen që na japin cdo ditë në ushtrimin e detyrës sonë të vështirë dhe vecanerisht për qetësinë dhe mbeshtetjen që na dhanë gjatë këtij operacioni. Ne i sigurojmë qytetarët e Shkodrës dhe gjithë Shqiperisë se do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të garantuar qetësi, rend e siguri për ta duke goditur me ashpërsin e forës së ligjit cdo individ të përfshirë në aktivitet kriminal. Operacioni “Forca e Ligjit” vazhdon”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.