Skandali, dy Ardianët e Bankës së Shqipërisë, njeri që s’e ruante, tjetri që e “rruante”

784
Sigal

Nuk është aq e vështirë për shembull, të vjedhësh një bankë depozitash, nga ato që gjenden me porta të hapura buzë trotuarëve e rrugëve dhe me roje policë privat pleq, pijanecë, rryshfetxhinj të rëndomtë, apo invalidë të cilët edhe bukën e hanë ulur tek karriket e klientëve! Por që të vjedhësh thesarin brenda në Bankën Shhqiptare, që ligjërisht është “hermetike”, kjo me sa kam lexuar e dëgjuar, nuk ka ndodhur askund në botë, që nga koha e Al Kapones, kur dyert e bankave ishin ende me zinxhirë e brava dollapi buke fshati. Por ja që ndodhi në Shqipëri, ku një hajdut me pamje pastori kishe, pa maskë, pa automatikë, pa zhurmë, përlau thesarin e shtetit në Bankën e Shtetit, duke u shoqëruar me përshëndetje nga rojet dhe shefat, sa herë që dilte me “thesin në krahë”

Çfarë kontrollonte Ardiani guvernator?

Se sa vlerë financiare është vjedhur nga Adriani hajdut, në bankën e drejtuar nga Adriani guvernator, kjo ende nuk dihet akoma. Por zëra nga brenda bankës thonë, se është vjedhur aq shumë, sikur nga thesari të nxirrej kashtë e jo lekë. Një punonjës i bankës, thuhet se ka konfirmuar se janë vjedhur aq kartëmonedha prerje nga ato që mbajnë deputetët e ministrat në portofole, sa zyra e Fullanit mund të mbushej cep më cep, deri në tavan. Adriani hajdut, që i ka nxjerrë pjesë-pjesë nga banka, siç nxirrnin dikur traktet njësitet guerile në filmat shqiptarë pasi asgjësonin rojet, ka deklaruar në prokurori, se në Bankën e Shqipërisë në sektorin e depozitimit të Thesarit, nuk bëheshin prej vitesh as mbikqyrje fizike vizive të veprimeve të punonjësve, as bilance dhe as kontrolle rutinë të gjendjes së transaksioneve e rinovimit të kartëmonedhave të thesarit. Pra Ardiani haujdut vidhte, ndërsa Ardiani guvernator nuk kontrollonte. Po çfarë kontrollonte Ardiani guvernator? Ajo është bërë rregullisht e me korrektesë në këtë bankë është fakti, që Adriani guvernator, i cili e drejton ende bankën e vjedhur të shtetit, kontrollonte çdo minutë pastrimin e pluhurave në mobilie, pastërtinë e çarçafëve, ajrosjen dhe amortizimin e dyshekut dopjo në dhomën e tij luksoze të gjumit, të “areduar” në super-aneksin e zyrës së tij brenda Bankës së Shtetit. Ndërsa Adriani hajdut zhvaste miliona përditë, Adriani guvernator kontrollonte rregullisht akordimin e shpërblimeve, shtimin e pagave, shlyerjen e dietave, të drekave e darkave të punës, datat dhe vendet e ekskursioneve, kalendarin e kampionateve të volejbollit e basketbollit që zhvillonte banka, gatishmërinë dhe aromatizimin e makinës kur shkonte për wikende dhe cilësinë e ushqimit në restorantin e bankës.

Kush lejoji Ardianin hajdut, të vidhte thes(arin)?

Krejt i lirë, Ardiani hajdut mbushte “barkun” dhe xhepat me miliona e dilte nga banka. Në mëngjes kur shkonte në punë, fuste në bankë psh 5 kilogram libra. Pasdite kur dilte nga puna nxirrte prej andej 5 kilogramë kartëmonedha. Këtë “këmbim valutor” letër-lekë, ai e bënte rregullisht. Arkat zbrazeshin nga lekët dhe mbusheshin me letra. Pesha e kartmonedhave lekë, euro, dollarë, franga etj ishte e njëjtë si peshë. Ardiani guvernator, për të qenë në rregull, vetëm peshën e “sënduqeve” të Thesarit të Shtetit, nëse ishte në rregull apo jo! Kështu kontrollohej thesari prej 4 vitesh, që zbrazej nga lekët e valuta dhe mbushej me libra. Nuk e dimë se librat e cilëve autorë shqiptarë e të huaj gjenden të “konvertuar në valutë” brenda arkave të thesarit. Por dimë faktin, që borxhet milirdshe të marra nga FMN e nga Banka Botërore, janë tjetërsuar në dengje librash në arkat e thesarit të Bankës së Shqipërisë. Se përse e kanë lejuar Ardianin hajdut të vjedh kaq lirshëm, këtë “sekret shtetëror” e ka për detyrë ta zbardh prokuroria. Pyetja që duhet bërë dhe duhet zbardhur publikisht është kjo: Kush e ka lejuar atë të vjedh lirshëm? Banka e Shtetit ka një rregullore strikt funksionimi, deri tek “CV” e punësimit të pastruesve. Ka një rregullore të përcaktuar saktësisht, mbi funksionet e çdo zyrtari të saj. Ka rregullore për një sistem vrojtimi të sofistikuar të mjediseve e të çdo skute të bankës dhe të çdo lëvizjeve të punonjësve edhe kur ata kruajnë kokën apo nxjerrin shaminë nga xhepi. Ka një rregullore për verifikim po të sofistikuar, të kontrollit të çdo punonjësi edhe kur shkojnë në tualet. Ka një rregullore strikte kontrolli, mbi zbatimin e detyrës prej çdo sektori, drejtuesi, kontrollori, eksperti e nëpunësi, deri tek guvernatori. Ka një rregullore për kontrollin elektronik e fizik të hyrjes e daljes së çdo punonjësi në bankë, madje edhe kontrollin fizik të guvernatorit e atë atyre që fut në bankë guvernatori. Kështu e përcakton rregullorja. A ka funksionuar? Nëse po, atëherë kush lejoji të vidhej thes(ari)? Një gjë është e qartë në këtë pisllëk: Me skemën “libër-lekë” të Ardianit hajdut dhe me metodën “sylesh” të kontrollit të Ardianit guvernator, nëse Ardiani hajdut, do të kishte vendosur (apo ngarkuar) të vidhte thesarin flori, patjetër që sot në arkat e thesarit ar, do të gjendeshin lingota skrapi kollodokë dum-dumësh!

Cili Ardian e shpiku metodën e vjedhjes me “libra-lekë”?

Siç ka deklaruar, Ardiani hajdut e ka realizuar vjedhjen pa shqyer brava dhe pa i zëvendësuar milionat, me kartëmonedha false. Ai ka përdorur librat, duke i futur ato në arkat e thesarit, në vend të librave, me të njëjtën peshë. Ndoshta si libra mund të ketë përdorur edhe buletinet 3 mujor që botonte Adriani guvernator, për të publikuar veprimtarinë dhe bilancet e bankës. Ndoshta mund të ketë përdorur edhe rregulloren e funksionit të bankës, ose urdhëresën e sigurisë së thesarit, apo librat e instruktazhit të hyrjes e daljes nga banka. Kush ia mësoi këtë metodë Ardianit hajdut, që të konvertonte thesarin e shtetit me libra? Për shumën e vjedhur realisht dhe për metodën e përdorur me libra nga Ardiani hajdut, nuk pranon të jap shpjegime as Ardiani guvernator, duke deklaruar publikisht, se është “sekret shtetëror”!

Ardiani guvernator që nuk ruajti dot bankën, po “ruan” sekretin shtetëror!

Super vjedhja e thesarit të shtetit po kalohet me heshtje. Drejtësia ka të drejtën e saj ligjore të hesht për shkak të natyrës së punës që ka. Ndërsa Ardiani hajdut, tregoi “shpejt e shpejt” se si i vidhte milionat, Ardiani guvernator po qëndron i heshtur, duke mos deklaruar as shifrën e vjedhur, as personat përgjegjës që lejuan, as shkaqet që favorizuan vjedhjen. I vetmi reagim publik i guvernatorit Ardian Fullani, për këtë krye-skandal bankar të Shtetit Shqiptar, ishte deklarata e tij “shpjeguese” për median: Nuk mund të jap shpjegime, mbasi të dhënat janë “sekret shtetëror”. Jo në Shqipëri, por në asnjë cep të planetit, nuk ka “filozof” që ta kuptoj e njeri që ta pranojë deklaratën e zotit Fullani, jo se nuk foli shqip, por sepse ishte absurde e qesharake për një fakt: Guvernatori që nuk ruajti dot bankën, na thotë se po “ruan” sekretin shtetëror! A ka më siguri dhe sekrete kjo bankë?!

  Përparim HALILI