OSHEE në situatë të jashtëzakonshme, në vështirësi likuiditeti nga importet

525
Sigal

ERE ia shtyn pagesat në 180 ditë

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka vendosur që të miratojë shtyrjen e afatit të pagesave të faturave të energjisë që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ble në tregun e lirë me 180 ditë nga 3 muaj që është aktualisht. Situata e vështirë e kompanisë publike të shpërndarjes për shkak të importeve të larta ka detyruar rregullatorin që të mbyllë njërin sy dhe të rishikojë kërkesën e OSHEE e cila është e dyta e kësaj natyre në harkun e një muaji, por që e para u rrëzua.

Në argumentimin e bërë në kërkesën e OSHEEE nënvizohet se kompania është në një situatë të vështirë likuiditeti pasi nga njëra anë është e detyruar të paguajnë faturat ndaj KESH dhe Prodhuesve me Përparësi të Energjisë, të blejë energji në tregun e parregulluar për të siguruar mbulimin e konsumit për konsumatorët fundorë që rezultojnë me fatura relativisht më të kripura dhe po kështu të paguajë faturat e saj të investimeve. Sipas kompanisë periudha më e rëndësishme e investimeve është ajo mars-qershor kur bëhen edhe pagesat për punët që do të kryhen.

Importet, OSHEE ende me pasojat e 2017-s, situata në përkeqësim

Argumenti i parë lidhet me sasinë e pakët të energjisë që kompania e shpërndarjes ka arritur të marrë nga kompania e gjenerimit çka ka rezultuar me një rritje të kostove të saj të cilat kanë cenuar investimet. OSHEE ka vijuar me blerjen e energjisë elektrike gjatë muajve Tetor, Nëntor, Dhjetor 2018, si dhe Janar, Shkurt, Mars 2019, duke siguruar pjesën më të madhe të saj në Treg të Lirë, për shkak të mungesës së theksuar të prodhimit nga ana e Shoqërisë “KESH” sh.a.

“Jo vetëm që nuk mundi të rikuperojë humbjet e shkaktuara nga thatësira e jashtëzakonshme e vitit 2017, e cila solli rritje të kostos së blerjes së energjisë elektrike, por edhe u përball me një kosto shtesë për blerjen e energjisë elektrike si pasojë e mungesës së furnizimit nga KESH sh.a. në pjesën e dytë të vitit, si dhe nga rritja e prodhimit të Prodhuesve të Pavarur të Energjisë Elektrike në pjesën e parë të vitit 2018. Mungesa e likuiditetit si pasojë e faktorëve sa më sipër e detyroi OSHEE sh.a. të ngadalësoje programin e investimeve në rrjet për vitin 2018, i cili është rreth 2 miliard Lekë më i ulët se ai i parashikuar në Programin Financiar të miratuar” vlerëson OSHEE.

Së dyti OSHEE ka nënvizuar se problematika e importeve të larta, pra blerjeve në tregun e lirë ka vijuar edhe në tre muajt e parë të këtij viti ku vetëm në Janar – Shkurt 2019, shpenzimet për blerje të energjisë elektrike ishin 3.7 miliard Lekë ose 29.6 milion EURO me të larta se ato të planifikuara dhe sipas pritshmërive, kjo gjendje mund të vijojë edhe pjesën e parë të vitit 2019, gjë që ndikon në aftësinë paguese të saj.

“Shoqëria “OSHEE” sh.a. analizoi me shumë kujdes situatën e jashtëzakonshme dhe sipas këtyre analizave, parashikohej që gjatë muajve Shkurt, Mars, Prill 2019 të përballej me pamundësi financiare të pagesës së Faturave të Blerjeve në Treg të Lirë, si pasojë e përplasjes së këtyre pagesave me faturat korente të HEC-eve dhe KESH sh.a. gjatë muajve janar, shkurt, mars 2019, me afat pagese 30 ditore, të cilët gjatë këtyre muajve parashikohet të rrisin dukshëm prodhimin e tyre.

OSHEE sh.a. vlerëson se, rrisqet dhe dëmet që do të shkaktoheshin nga kjo situate pamundësi e likuiditetit, të cilat lidhen me penalitetet që do të aplikoheshin nga shoqëritë tregtare të energjisë, riskun e pamundësisë së blerjes së energjisë elektrike gjatë muajve Shkurt, Mars, etj. 2019, si rezultat i debive të krijuara, do të sillnin përkeqësimin e reputacionit të shoqërisë OSHEE sh.a., si pasojë e mos respektimit të kontratave ndaj shoqërive tregtare të energjisë” thuhet në shkresën e OSHEE drejtuar ERE-s./Monitor