Laboratorët, koncesioni 100 milionë euro, investimi 9.9 milionë

765
Në sektorin e shëndetësisë, vetëm për vitin 2018, kontratat me privatët do të marrin rreth 30 milionë euro
Kompania që ka fituar për 10 vjet koncesionin e laboratorëve me vlerë 100 milionë euro, do të investojë në total vetëm 9.9 milionë euro. Diferenca rreth 90 milionë euro për 10 vitet e ardhshme do të jenë kostot operacionale dhe fitimi i kompanisë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastitirliu, deklaroi dje se koncesioni do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm. “Kompania do të investojë 7 milionë euro për aparaturat dhe infrastrukturën, si dhe 2.9 milionë euro të tjera në vitin e 7 të koncesionit”, u shpreh Manastirliu gjatë një diskutimi në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

Koncesioni 10-vjeçar i laboratorëve iu dha një konsorciumi të përbërë nga tre kompani; shqiptarja “Labopharma”, holandezja “AB Laboratory Solutions” si dhe francezja “Exalab”. Por dy kompanitë e para, të cilat kanë 75 për qind të aksioneve të koncesionit, zotërohen nga i njëjti pronar, një biznesmen shqiptar. “Ky koncesion do të përmirësojë ndjeshëm shërbimin e laboratorëve në vend”, tha Manastirliu. Për vitin e ardhshëm qeveria do të paguajë 30 milionë euro për katër koncesionet e shëndetësisë, atë të dializës, “check up”-it, sterilizmit dhe kontratën e laboratorëve. Kjo shifër është 10 milionë euro më e lartë se sa i gjithë buxheti i investimeve publike në shëndetësi. “Buxheti i shëndetësisë dhe i mbrojtjes sociale për vitin 2018 parashikohet të jetë 73 miliardë e 18 milionë lekë. Ky buxhet do të financohet për shëndetësinë 49 miliardë e 294 milionë lekë, përfshirë financimin për spitalin universitar të traumës, në vlerën 917 milionë lekë dhe njësinë e helikopterëve me një financim 140 milionë lekë”, u shpreh ministrja Manastirliu. Ndërsa për mbrojtjen sociale do të financohen 23 miliardë e 785 milionë lekë. “Buxheti i vitit 2018 për shëndetësinë është 5% më shumë se plani fillestar i buxhetit të vitit 2017 ose 2.3 miliardë lekë se viti 2017”, tha ministrja. Investimet për vitin 2018 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjen Sociale do të jenë rreth 3 miliardë lekë. Gjithashtu, buxheti për vitin 2018 do të financojë 23 miliardë e 785 milionë lekë për programin e mbrojtjes dhe përfshirjes sociale, 4.7 miliardë lekë për ndihmën ekonomike dhe 15.8 miliardë lekë për pagesat e personave me aftësi të kufizuar, përfshirë 370 milionë lekë të shërbimeve të përkujdesit social.
Sigal