KLSH, ndërhyrje në ligj për reduktimin e bashkive dhe komunave, shërbim më cilësor ndaj komunitetit

670
Sigal

Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvilloi dje analizën vjetore për aktivitetin e vitit 2013. Në të morën pjesë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z., Bujar Nishani, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Ettore Sequi, zv/ambasadori i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, z. Robert Wilton, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, Kryetarja e Komisionit të Integrimit të Kuvendit, zj. Majlinda Bregu, Sekretari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit, Dr. Prof. Anastas Angjeli, sekretari i Ndihmës Auditorit të Përgjithshëm të ZAP Kosovë, z. Ibrahim Gjylderen, si dhe disa personalitete të botës akademike, shoqërisë civile dhe mediave. Për vitin 2013, nga 147 auditime të planifikuara, KLSH ka kryer 164 auditime, ose 11 për qind më shumë. 153 auditime janë përfunduar dhe evaduar plotësisht, ndërsa 11 janë në fazën e evadimit.

Gjatë analizës vjetore, KLSH propozoi disa ndryshime të rëndësishme kushtetuese dhe ligjore.

-Së pari, kërkoi vendosjen e kufirit të Borxhit Publik në Kushtetutë (propozim i paraqitur në dy vite rresht nga auditivi, i zbatimit të Buxhetit faktik të Shtetit për vitin 2011 dhe 2012), duke rekomanduar që Ministria e Financave të ngrejë një grup pune me ekspertët më të mirë të fushës, për përgatitjen dhe paraqitjen e një nisme ligjore për fiksimin në Kushtetutë të treguesit të borxhit publik ndaj PBB-së.

-Së dyti, nga auditimi i performancës për ndarjen administrative, të kryer në muajt shkurt-tetor 2013, ka rekomanduar ndërhyrjen në ligjin për Pushtetin Vendor, për reduktimin e ndjeshëm të numrit të bashkive dhe komunave, për një shërbim më cilësor ndaj komunitetit. Kjo në respekt maksimal jo vetëm të konsensusit politik mes partive, por edhe të atij social, kulturor dhe historik të zonave të ndryshme të vendit, sipas kërkesave të Kushtetutës, Neni 108.2. Nga auditimet e vitit 2013, KLSH ka zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare (në të ardhurat publike dhe shpenzimet e kryera) në nivelin 15.1 miliardë lekë (ose rreth 108 milionë euro), duke kërkuar shpërblimin e dëmit, pra arkëtimin në 99.9 për qind të tyre. Dëmi ekonomik i zbuluar në të dy vitet 2012 dhe 2013, është rreth dy herë më i madh se vlera e dëmit të zbuluar në tre vitet 2009, 2010 dhe 2011, të marra së bashku. Kallëzimet penale vetëm për vitin 2013 janë dy herë më shumë se të tre vitet 2009, 2010 dhe 2011, të marra së bashku. Pjesa më e madhe e dëmit të zbuluar është nga shitja e pasurisë dhe dhënia e objekteve me qira dhe e pasurive publike me koncesion. Krahas zbulimeve me dëm ekonomik, gjatë vitit 2013, KLSH ka  konstatuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, në nivelin e 4, 4 miliardë lekëve (mbi 31 milionë euro), ose 2.5 miliardë lekë më shumë nga shkeljet e konstatuara gjatë vitit 2012.