Mungesë e përgjegjësisë, apo “fole” e korrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave?

343

Miliona dollarë është borxhi i krijuar në DPD-në, sepse në shumë dogana subjektet nuk paguajnë as TVSH

Zbulimi i skemës të kontrabandës dhe korrupsionit në Doganën e Kapshticës, që gazeta “Telegraf” botoi të hënën, 20 qershor 2012 dhe ballafaqimi i këtij realiteti me  drejtuesit më të lartë të DPD-së, sikurse me nëndrejtorin e Përgjithshëm Administrativ të Doganave, z. Artan Sulejmani, me drejtorin e Antikorrupsionit në DPD, z.Arben Karkini, me drejtorin e Antikontrabandës në DPD, z. Maksim Ymeraj, dëftoi që DPD-ja nuk dinte asgjë se çfarë po ndodh në dogana. Thua, që këto skema të korrupsionit, me përmasa kaq të mëdha, sikurse kalimi i kamionëve me konfeksione pa doganë, kalimi i sasive të naftës së pastër, si kerazinë, etj.,  ne mund të besojmë kaq lehtë, sikurse na dhanë përgjigjen drejtuesit e DPD-së, që bëhen vetëm nga persona të caktuar, qoftë doganierë-drejtorë dogane, kur dihet, që sistemi i kontrollit në dogana është shumë më i gjerë? Ka mundësi që një doganier, qoftë edhe me mbështetjen e drejtorit të doganës atje, mund  të bëjnë diçka të jashtëligjshme,  kur, njëkohësisht, çdo sasi malli sa del nga parku i doganimit, kontrollohet edhe nga antikontrabanda, nga organizmat e luftës së krimit  të policisë, etj.. Në doganat është instaluar sistemi vëzhgimi me kamera 24 orë, ku materiali i filmuar ruhet 4 muaj. A kanë analizuar ndonjëherë organet përkatëse shtetërore dhe të nxjerrin ndonjë konkluzion? Drejtori i Antikorrupsionit, Arben Karkini, në njohjen e skemës të korrupsionit nga “Telegraf”, u interesua të shpjegonte arsyet, përse e shtynë oficerin e doganës të denonconte korrupsionin, sesa  të shqetësohej për vetë problematikën e së keqes të korrupsionit në dogana.  Këto qëndrime, të drejtuesve të DPD-së, të bëjnë të pyesësh: Hetimet  në veprimtarinë e doganës të Kapshticës, mbi çfarë baze do t’i ndërtojnë? T’i anashkalojnë, t’i mbulojnë dhe t’i etiketojnë se u thanë nga një person që foli për hakmarrje?  Edhe po të jetë ky motivi i oficerit të doganës, faktet që përmendi janë kaq bindëse dhe kjo është esencialja, që duhet të shqetësojë këdo, sepse faktet e korrupsionit janë nxjerrë nga procesverbali i bllokimit të mallrave.  Tani, përballë zbulimit të korrupsionit, drejtuesit e DPD-së,  interesohen vërtet të gjejnë rrënjët e kontrabandës, shkaqet dhe përgjegjësit në të gjithë piramidën strukturale, kushdoqofshin ata?

Të ardhurat nga akciza në vitin 2011

Një nga kontrollet e ballafaqimit të fakteve, nëse është kryer korrupsion, mund të përbëjnë edhe analizat e statistikave. Për vitin 2011, referuar të dhënave të siguruara gjatë auditimit të kryer në DPD, konstatohet se: Në krahasim me vitin 2010 janë zhdoganuar : 27.142 ton ose 5.6 % më pak karburante, 1250 ton ose 27.78 % më pak dhe cigare. 211 ton, ose 3.33 % më shumë kafe dhe 2498 ton 0se 7.36 % më pak birrë. “Sikurse shihet në këtë tregues, pavarësisht punës së bërë, mendojmë se nuk është arritur niveli i kërkuar, –  thotë në raportin e vetë KLSH-ja”. Deri tani ekzistojnë dy nivele akcize, për kafen e pjekur 140 lekë kg dhe për kafen e papjekur 30 lekë kg. Pra, fakti që ka rënë sasia e mallrave të zhdoganuara, a është analizuar? A është ballafaquar sasia e faturave të ardhura nga jashtë me faturat reale të doganuara? Skema e zbulimit të korrupsionit, me fakte, dëftoi që shumë mallra nuk doganohen fare, edhe ato që bllokohen e depozitohen në depot e doganës, zhduken pas 4 muajsh, ose… digjen. Nga ana tjetër, ekzistenca e dy niveleve të akcizës, për të njëjtat produkte, që varen nga mënyra e tregtimit të mallit, lë vend shumë për abuzim e kontrabandë. Nuk është shumë e vështirë, që një sasi malli, të çmohet me nivelin e ulët të akcizës, e shteti humbet miliona dollarë, siç ishte rasti i naftës së ardhur nga Egjipti, ku në doganën e Kapshticës, ajo u çmua si kerazinë. Shteti humbi mijëra euro, personat i përfituan ato kontrabandë.  Po kështu, me ligj ndalohet eksporti i lëndës drusore, e cila mund të përdoret për përpunim drusor. Sikurse mësojmë nga burime të mirinformuara, në doganën e Kapshticës kalohen  për në Greqi, deri në 7 maune në ditë  me lëndë drusore për përpunim, e cila, pastaj, vlerësohet për dru zjarri dhe  kjo, me ndërhyrjen e nëndrejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Rifat Gjoni.

Taksa doganore

Të ardhurave nga taksat doganore gjatë vitit 2011 janë realizuar në masën 87.7 %.

Trajtimi i Borxhi Doganor për vitin 2011

Borxhi  në fund të vitit 2011 rezulton me probleme, sidomos në drejtim të detyrimeve të papaguara, të lindura si rrjedhojë e vendimeve të nxjerra në vitin 2011 por që iu takojnë veprimtarisë së kryer nga subjekte të ndryshme kohë më parë. Sipas të dhënave të DPD-së, gjendja në vlerë e këtij borxhi, nga 12,297,745,185 lekë më 1.1.2011, ka arritur në 2,959,229,950 lekë më 31.12.2011 ( afërsisht 30 milion dollar) që duhet t’i kthehen arkës së shtetit. Në këndvështrim e shtesës së vlerës së debitorëve, (pa e lidhur me pakësimet), në DPD për vitin 2011, konstatohet se janë shtuar 277 debitorë, duke e  krahasuar me gjendjen në fillim të vitit.  Kjo do të thotë, që DPD-ja ka neglizhuar që të mbledhë të ardhurat, ndërsa kanë munguar shpjegimet e arsyeve, përse u shtuan 277 debitorë.  Askush nuk mund të shpjegojë përse janë shtyrë pagimi i TVSH, sikurse ndodh në Berat, ku askush nuk paguan TVSH, apo në doganën e Fierit, ku 80 % e subjekteve nuk paguan TVSH,  e kjo është edhe burim invazioni fiskal. Pra, referuar të dhënave në lidhje me shtesën dhe pakësimin e debitorëve në numër subjektesh dhe vlerë, konkludojmë se krijimi i borxheve të reja dhe shtesa e numrit të subjekteve me detyrime doganore të papaguara gjatë vitit 2011, është prezent pothuajse në të gjitha degët doganore.

Diferencat e faturave  që vijnë nga jashtë dhe atyre reale dhe atyre të paraqitura në doganat shqiptare.

Vetëm me vendime administrative të nxjerra në vitin 2011 për shkelje të ndryshme që iu përkasin periudhës të mëparshme ( 2005-2008) rezultojnë 516 milion lekë,( afërsisht 5 milion dollar) rrjedhojë e përgjigjeve të marra nga autoritete doganore të shteteve me të cilat operohet nga DPD për shkresat verifikuese të dërguara nga kjo e fundit, gjë e cila kërkon nga autoritetet përkatëse marrjen e të gjithë masave ligjore për rikuperimin e detyrimeve të lindura. Kjo mund të shpjegojë edhe kontrabandën, ku malli nuk regjistrohet fare, ose regjistrohet me dokumente fiktive në doganë.  Në auditimet e kryera nga KLSH-ja  si dhe të dhënat e DPD-së konstatojmë se deri më 31.12.2011 nga totali i borxhit prej 2 miliardë e 959 milion lekë,(afërsisht 30 milion dollar) 32.44% e tij ose 960.1 milion lekë e zë borxhi i krijuar nga mospagesa e detyrimeve doganore të papaguara për TVSH -në e shtyrë.

Ndër shkaqet kryesore që kanë ndikuar në lindjen dhe shtimin e borxhit doganor e paraqesim, sipas raportit të KLD-së:

-Shkeljet nga ana e administratës doganore të kërkesave të legjislacionit doganor dhe të dispozitave zbatuese të tij, gjatë zbatimit të procedurave të zhdoganimit të mallrave të importit e të eksportit, gjatë mbikëqyrjes së regjimeve ekonomike, si dhe gjatë zbatimit të procedurave të lehtësive doganore (skemat e shtyrjes së pagesa zënë një efekt e shprehur në vlerë për 960 milion lekë).

– Mosmarrjen e masave të plota ligjore lidhur me rikuperimin e borxhit doganor.

-Mossigurimin e rezultateve të duhura nga bashkëpunimi me strukturat e tjera të shtetit, sidomos me DPT, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor. Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme lidhur me ekzekutimin e detyrueshëm të titujve, përfshirë veprimet e sekuestrimit apo të kalimit të pronësisë, të cilat duhet të zbatohen nga Zyrat Përmbarimore në rrethe.

-Mungesa e zbatimin me rigorozitet të masave të përcaktuara për arkëtimin e detyrimeve debitore, në veçanti të borxhit të mbështetur edhe nga Autoritetet Gjyqësore me urdhra ekzekutiv për zbatim të menjëhershëm nga Zyrat e Përmbarimit Gjyqësorë në rrethe etj.. Marrja e masave për zbatimin e saktë dhe në kohë të legjislacionit doganor për të mundësuar rritjen e eficiencës së punës në aspektin e mbledhjes dhe rikuperimit të borxhit doganor. Ndjekja e të gjitha rrugëve të mundshme ligjore, që kur lind një borxh doganor, përgatitja, nxjerrja dhe kontabilizimi i vendimit, njoftimi i debitorit, nxjerrja e urdhrave të ekzekutimit përbëjnë ndër detyrat prioritare të organeve doganore për të patur rezultatin e kërkuar dhe të duhur në lidhje me arkëtimin dhe rikuperimin e borxhit doganor.

MOSPAGIMI I TVSH-SË NË DOGANA, EVAZION FISKAL

Ndryshe nga vitet e mëparshme për vitin 2011, borxhi i krijuar nga moslikuidimi i TVSH-së së shtyrë rezulton në 572.6 milion lekë ose në masën 59.6% të borxhit të lindur nga mospagesa e tvsh-së së shtyrë gjithsej. Më keq në lidhje me gjendjen e borxhit doganor të lindur nga mospagesa e TVSH-së së shtyrë gjendje më 31.12.2011 paraqiten Degët Doganore:

Tiranë për vlerën 457 milionë lekë ose në masën 47.6% të totalit të borxhit për TVSH së  shtyrë dhe 45.6% të totalit të borxhit gjithsej të vetë degës;  Berat për vlerën 177.6 milion lekë ose pothuajse 100 të borxhit total të sajë,  Durrës për vlerën 138.5 milionë lekë ose 20.82% të totalit të borxhit të saj, Fier me vlerën prej 98.2 milionë lekë ose në masën 80.8% të totalit të borxhit .

BORXHET E TRASHËGUARA NË DOGANA NGA DEBITORËT DERI  MË 31.12.2011 JANË TË NDARA SIPAS VITEVE :

l  Deri  më 31.12.2006, mbeten pa u likuiduar rreth 284 milion lekë

l  Vitit 2008 me vlerën 554.2 milionë lekë,

l  Vitit 2009 me një borxh doganor në vlerën 457 milionë lekë

l  Viti 2010 me një borxh doganor prej 788, 4 milionë lekë

l  Viti 2011me një borxh doganor në vlerë 652.8 milionë lekë.