Këshilli i Sigurimit diskutoi për Kosovën

513
Sigal

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e quajti Kosovën model të shtetndërtimit

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskutoi dje për situatën në Kosovë. Duke u nisur nga përmbajtja e raportit tashmë të publikuar, diskutimet në mbledhjen e radhës së këshillit pritet të fokusohen në çështjen e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë për Kosovën, në problemet në veri të vendit dhe në dialogun Prishtinë-Beograd.

Raporti

Në raportin e gjerë të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, që është publikuar në ueb-faqen në internet të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, theksohet se gjatë periudhës 16 prill – 15 korrik 2012, përgatitjet dhe mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale dhe procesi i formimit të Qeverisë në Serbi, ka çuar në një zbrazëti të vazhdueshme në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përderisa dallimet në interpretimin e marrëveshjeve të arritura më parë kanë krijuar tensione në rritje në terren. Megjithëqë Qeveria e Serbisë është përmbajtur nga mbajtja e zgjedhjeve të saj lokale në Kosovë, komunat Zveçan dhe Zubin Potok, kanë vazhduar, pavarësisht vërejtjeve formale

 

 nga Beogradi, Prishtina dhe pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, me mbajtjen e zgjedhjeve të tyre të palejuara më 6 maj. Në raport thuhet se veriu i Kosovës tashme është i dominuar nga Partia Demokratike e Serbisë dhe Partia Progresive. Gjatë kësaj periudhe, autoritetet e Kosovës kanë vazhduar me përgatitjet, që ata i kanë përshkruar si “përfundim i mbikëqyrjes së pavarësisë”. Rrjedhimisht, kjo nënkupton mbylljen e Zyrës Ndërkombëtare Civile, e krijuar për ta mbikëqyrur implementimin e parimeve të Propozimit për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse, të cilën autoritetet e Kosovës e kanë mbështetur. Ato, po ashtu, kanë vazhduar me përgatitjet për miratimin e pakos së reformave juridike, që duket se nuk e prekin nivelin e mbrojtjes institucionale për komunitetet në Kosovë, me përjashtim të heqjes së propozimit të një neni në Kushtetutë, që u referohet refugjatëve dhe personave të zhvendosur. Këto reforma, pritet ta heqin autoritetin ekzekutiv të organizatave ndërkombëtare në Kosovë. Më 2 korrik, Grupi Ndërkombëtar Drejtues, i përbërë nga 25 vende që e kanë njohur Kosovën, kanë konkluduar se mandati i Zyrës Ndërkombëtare Civile do të përfundojë më vonë në vitin 2012, shkruan në raportin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, që do të paraqitet në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Në raport vlerësohet se situata e sigurisë në Kosovën Ver

 

iore mbetet e ndjeshme. Tensionet shpërthyen kur KFOR-i ishte përpjekur ta largojë bllokadën e rrugës në komunën e Zveçanit. Protestuesit lokalë dhunshëm u konfrontuan me KFOR-in, i cili u përgjigj me forcë. Rrjedhimisht, dy ushtarë të KFOR-it dhe pesë serbë të Kosovës morën plagë nga të shtënat.   Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi që ka paraqitur arritjet e Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit dhe duke e quajtur shtetin e ri si model të shtetndërtimit, ka thënë se qeveria e tij është e interesuar për normalizimin e raporteve me Serbinë, por, duke mos e rrezikuar shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin e vendit. “Statusi i Kosovës është zgjidhur njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt të 2008-ës”, ka thënë në fjalimin e tij para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryeministri Thaçi. “Dua të theksoj dhe të jem i qartë se ne jemi të përkushtuar për dialogun, por në asnjë moment dhe asnjë rrethanë nuk diskutojmë shtetësinë e Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi. Ai ka vënë në pah se Serbia vazhdon të pengojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ndërsa ka theksuar nevojën e tërheqjes së forcave paralele serbe të sigurisë dhe strukturave të tjera nga pjesa veriore e Kosovës.