Merkel e Hollande do kërkojnë kompromis për Greqinë

645
Sigal

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Francois Hollande do të synojnë të sheshojnë diferencat e tyre lidhur me rrugën që duhet ndjekur për krizën në eurozonë, përfshirë edhe mënyrën e përballimit të situatës së përkeqësuar në Greqi, gjatë takimit që do të zhvillojnë të enjten në mbrëmje në Berlin, bën të ditur gazeta “Financial Times”. Nën titullin “Merkel dhe Hollande kërkojnë një vijë të përbashkët për eurozonën”, gazeta vë në dukje se kancelarja gjermane pritet të insistojë se qeveria greke duhet të plotësojë angazhimet e veta në kuadër të programit të dytë të ndihmës me vlerë 130 miliardë euro dhe se nuk mund të pritet që Bundestagu gjerman të miratojë dhënien e fondeve shtesë si pjesë e një programi tjetër shpëtimi. Sipas gazetës, Merkel nuk dëshiron përshpejtimin e një daljeje të Greqisë nga eurozona, pasojat e së cilës i konsideron të shtrenjta e të paparashikueshme. Merkel do t’i bëjë të qartë presidentit francez se, cili është pozicioni gjerman, “që të mos ekzistojnë iluzione”, por në të njëjtën kohë Gjermania dhe Franca do “të lëvizin së bashku” në menaxhimin e krizës. Merkel do të duhet të bëjë disa hapa që të takohet me qëndrimet e zotit Hollande, i cili ka bërë të qartë se duhet t’i jepet Greqisë “një dritë në fund të tunelit”. Hollande thekson vazhdimisht nevojën për t’u bërë më shumë gjëra në drejtim të zhvillimit ekonomik, paralelisht me reduktimet fiskale.

Westerwelle: Nuk do të bëhen ndryshime në program!

“Qeveria gjermane dëshiron të mbetemi të gjithë të bashkuar në eurozonë. Po punojmë në drejtimin e qëndrimit të Greqisë në eurozonë”, theksoi ministri i jashtëm gjerman, Guido Vvestervvelle, pas takimit që kishte në Berlin me homologun e vet grek, Dimitris Avramopoulos. Westervvelle përsëriti se “çelësi i suksesit gjendet në Athinë”.