Në kërkim të alternativave për daljen nga qerthulli i krizës

1677
Sigal

Një vështrim mbi treguesit ekonomikë të 7-mujorit dhe nevoja e debatit për rritjen ekonomike në vend

Po kalojnë gati tre muaj nga kumtimi i Kryeministrit Berisha, mbi hapjen e një debati shumë të gjerë me biznesin, rrethet akademike, specialiste  të ekonomisë dhe financave,  për  të gjetur stimujt dhe masat e nxitjen e rritjes ekonomike.

Pavarësisht nga diskutimet e veçanta, mund të pohohet se ato ishin larg një debati të lirë, konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, për rivitalizimin e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike me ritme si ato para krizës globale financiare ekonomike të vitit 2008.

Këtu nuk e kam fjalën thjesht për ndonjë qëndrim pesimist ndaj tij që e sheh me rezerva atë duke artikuluar “Debati është si ajo shprehja. “Pas pilafit”. Ka mbaruar ekonomia çdo gjë është në zero. E ç`vlerë ka ky debat në këto kushte represioni ekonomik.

Vendin e debatit, e zunë  disa trajtime të veçanta që me sa duket gjithsesi, në një trajtë ose në një tjetër, kanë konturuar e parathënë, atë çka do duhet të realizohet sipas tyre, gjatë muajit shtator kur do të rishihet Buxheti i Shtetit. Në këto trajtesa, të cilat nuk janë  të politikanëve, por të drejtuesve të Universiteteve, janë mishëruar shumë elemente të përbashkët me atë qëndrim që është mbajtur dhe po mbahet nga Qeveria Spanjolle,  në reagimin ndaj krizës ekonomike financiare, duke sfazuar e vonuar ndërmarrjen e masave dhe reformave të nevojshme antikrizë.

Ndokush prej tyre do të artikulonte se: “Një ekonomi quazi-eurorizuar si e jona u rezistoi suksesshëm presioneve recesioniste në sajë të politikës fiskale të taksave të ulëta të ndërmarra nga Qeveria… Pra, një rritje e borxhit publik mbi kufirin e “artë” të 60 % është ekonomikisht e mundshme dhe do të çlironte e bënte të mundur potenciale për të cilat do të merrnin bekimin e brezave të ardhshëm”. Një tjetër do nënvizonte : “Është krijuar ideja se gjerat janë duke shkuar keq. Në fakt, nëse gjerat po shkojnë më mirë ose më keq ky është vërtet ligj i relativitetit në sferën shoqërore dhe jo atij që kemi mësuar në fizikë… Por ajo që qysh në fillim dua të hedh poshtë, është se gjerat nuk janë duke shkuar më keq, por janë duke shkuar më mirë… Por ne thjesht kemi humbur bazën e krahasimit… Elementi i parë Shqipëria ka më shumë rrugë se më pare…”

Ndërkohë nuk mungon gjuha e drunjtë e Bankës së Shqipërisë. Ndërsa në Konferencën e mbajtur për shtyp  lidhur me Raportin e Politikës Monetare të Tremujorit të dytë 2012,Guvernatori Adrian Fullani deklaroi  se : “Ekonomia vendase pritet të ketë një ecuri të ngadaltë në pjesën e mbetur të vitit, e kushtëzuar nga dobësia e kërkesës së brendshme dhe të huaj. Në kushtet e sjelljes konsoliduese fiskale dhe të ngadalësimit të kërkesës së huaj, ecuria e kërkesës së brendshme private mbetet përcaktuese e rritjes së aktivitetit ekonomik. Por, dy komponentët e kësaj të fundit, konsumi dhe investimet private nuk kanë dhënë ende sinjale gjallërimi”

Ndërsa po në këtë Raport thuhet: “Në pjesën e mbetur të vitit, ekonomia shqiptare pritet të rritet në terma pozitivë.. . Megjithatë në pjesën e mbetur të vitit pritet një lehtësim i kushteve financiare dhe një përcjellje më e mirë e efekteve të deritanishme të politikës monetare në sektorin real, çka do të krijojë një ambient më stimulues për rritjen e konsumit dhe të investimeve në vend. Së pari, tregjet financiare, pas rregullimeve strukturore në lidhje me mbajtjen e borxhit të qeverisë, pritet të përmirësojnë qarkullimin e likuiditetit dhe të lehtësojnë presionet mbi normat e interesit të tregut primar. Së dyti, presionet e ushtruara nga autoritetet e huaja rregullatore mbi sistemin bankar pritet të jenë tejkaluar, pas përmbushjes së normave rregullative në nivel grupesh në qershor të këtij viti. Përmbushja e objektivave të grupit do t’iu lejojë këtyre bankave të fokusohen më mirë në kreditimin e ekonomisë dhe në krijimin e produkteve më të përshtatshme për klientët. Së treti, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit pritet një kontribut më i lartë i sektorit publik në rritjen ekonomike, në përputhje me planin e shpenzimeve dhe ecurinë e deficitit buxhetor.

Qysh në fillim duhet thënë se, duke patur parasysh se, ritmi i rritjes ekonomike gjatë tremujorit të parë, ka qenë edhe nën efektin e faktorëve stinorë-natyrorë, nuk përjashtohet që Ekonomia Shqiptare të rritet ende në terma pozitivë. Dhe kjo edhe për shkak të borxhit të madh publik të huaj që po merret për ndërtimin e rrugëve. Por kjo nuk përjashton nevojën e një debati konstruktiv, të lirë dhe gjithëpërfshirës lidhur me marrjen  e masave dhe stimujve adekuatë që do të mundësonin ripërtëritjen e ritmeve të rritjes 5-6 për qind, të para krizës globale ekonomike financiare e sidomos realizimin e një rritjeje të qëndrueshme të saj. Siç kam përmendur në artikullin paraardhës, karakteristikë e viteve të fundit  ka qenë  jo vetëm rënia e ritmeve të rritjes, duke prekur në tremujorin e fundit të vitit 2009, dhe tremujorin e parë 2012 dhe nivele negative, por edhe fakti se ajo është shoqëruar me një ngadalësim dhe rënie të të ardhurave buxhetore sidomos nga tatim- taksat që mblidhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Mjafton t’i hidhet për këtë një sy të dhënave të grafikut nr.1.

Në milion lekë

Nga të dhënat e grafikut shihet qartë se ndërsa ka patur një rritje të mirë të të ardhurave tatimore që mblidhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për periudhën e gjashtëmujorit të parë nga vitit 2006 në vitin 2009, nuk mund të thuhet e njëjta gjë nga viti 2009 në 2012-n. Ndërsa gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2006, janë grumbulluar 37288 milion  lekë, në gjashtëmujorin e parë të 2009, pas tre vjetësh janë grumbulluar 53525 milionë lekë, ndërsa në gjashtëmujorin e parë 2012, po përsëri tre vjet më pas niveli i tyre është 52659 milion lekë. Pra jo me rritje por me rënie. Po të kemi parasysh se niveli mesatar gjatë këtyre tre vjetëve për periudhat përkatëse është rritur 9.5 %, kjo do të thotë se niveli i Tatim Taksave ka pësuar në terma reale një rënie prej 10 %. Kjo do të thotë se në kushtet kur niveli i TVSH-së Tatimit mbi të Ardhurat, apo Tatim Fitimi nuk ka ndryshuar, ka një rënie reale të të ardhurave të biznesit që siç dihet është motor i zhvillimit të ekonomisë, në kushtet e ekonomisë së tregut. Nëse ecuria e biznesit personal, nuk i lejon drejtuesit dhe pronarët e Universitete Private të shohin se çfarë po ndodh me biznesin në tërësi, kjo është një çështje tjetër. Por studentëve të universiteteve private apo publikë iu duhet të shohin se, cilat janë problemet reale si të ekonomisë ashtu dhe biznesit shqiptar.

Një situatë e tillë nuk është e rastit, po të kemi parasysh se shtesa e nivelit të tepricës së  kredisë nga bankat e nivelit të dytë, gjatë gjashtëmujorit të parë ka qenë rreth 10 miliard lekë (të dhënat përfundimtare nuk janë publikuar ende, por ndërkohë janë publikuar të dhënat për kredinë për bizneset, që përbën pjesën dërmuese të tij) nga 27 miliardë lekë që kanë qenë ato në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar apo nga 54.5 miliardë lekë që kanë qenë ato në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, pra para shpërthimit të krizës globale financiare. E gjithë kjo ka ndodhur në kushtet e rritjes së kënaqshme të depozitave bankare, të cilat kanë arritur mbi 900 miliardë lekë. Kjo do të thotë “pranë sofrës i pangrënë”. Pra, ndërsa depozitat vazhdojnë të rriten, kredia ka ardhur duke u ulur. Përcjellja e politikës monetare jo vetëm mbi inflacionin, por dhe mbi huamarrjen përbën sa një problem praktik aq edhe teorik për zgjidhje për ekonominë shqiptare për të cilat duhet ta thonë fjalën edhe Universitet në Shqipëri, qofshin publike apo private. Ja pse nevoja e një debati konstruktiv për rivitalizimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme  jashtë çdo miklimi apo qëndrimi partiak, përbën një sfidë reale që nuk mund të zhbëhet nga relativizmi i këndvështrimit të bizneseve të veçanta qofshin ato Universitete.

Si rezultat i mosrealizimit të të ardhurave buxhetore, rënies së ritmit të tyre në terma nominale, rënies të të ardhurave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në terma reale  vihet re një stanjacion i shpenzimeve buxhetore në përgjithësi dhe një rënie e investimeve publike në veçanti. Në se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2012, shpenzimet buxhetore ishin 177.7 miliard lekë, në gjashtëmujorin e parë të 2009, ato ishin 178.2 miliard lekë,ndërsa shpenzimet kapitale- investimet gjatë gjashtëmujorit të parë të 2012 ishin vetëm 24.2 miliard lekë, nga 48.5 miliard lekë që ishin ato në të njëjtën periudhë të 2009. Për rënien e investimeve në tërësi flet edhe fakti që importi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit ishin 47 miliard lekë për gjashtëmujorin e parë të 2012 nga 49.6 miliard lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të gjitha këto kanë efektet e tyre në ritmin e  rritjes ekonomike. Fakti që niveli i importeve gjatë gjashtëmujorit të parë 2012 ishte 249.1 miliard lekë nga 254.3 miliard në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dëshmon edhe për rënien e konsumit të brendshëm në tërësi. Për këtë rrudhje të konsumit të brendshëm flasin dhe të dhënat mbi ecurinë e tregtisë me pakicë që janë publikuar vetëm për tremujorin e parë të këtij viti.

Ndërsa rritja e volumit të eksportit vetëm me 2.2 % gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, flet qartë edhe për rënien e nivelit të konkurueshmërisë shqiptare.

Pa u ndalur në tregues të tjerë, mendoj se këtë situatë nuk e zhbën dot fakti që ndërsa shtesa e interesave të borxhit publik ishte gjatë pesë mujorit të parë të këtij viti 1210 milion lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose me një rritje prej 8 %, ka rënë 291 milion lekë ose 1.3 % gjatë periudhës shtatë mujore. Këtë situatë nuk e zhbën as fakti se ndërsa periudhës pesë mujore shtesa e të ardhurave buxhetore ishte vetëm 2 % dhe gjatë periudhës shtatë mujore rritja e tyre është rritur në rreth 4 %. Kjo si për faktin se pjesa kryesore e kësaj shtese ka ardhur nga zëri të tjerë i të ardhurave jo tatimore (ku përfshihen edhe gjobat) me një shtim prej  3236 milion lekë ose nga 1009, milion lekë që ishin vitin e kaluar në 4245 milion lekë. Ndërkohë, megjithë ritmin e rritjes të të ardhurave buxhetore në tërësi, ritmi i rritjes së tyre mbetet ende me i ulët se ritmi i rritjes së shërbimit të borxhit publik (interesa + ripagesat) i cili dhe për periudhën 7 mujore ka qenë 5.8 % , ra më i lartë se ai i rritjes të të ardhurave buxhetore. Është e tepërt të themi se thesi i buxhetit të shtetit nuk mund të mbushet me gjoba. Po ai nuk mund të përballohet edhe nga një rritje e vazhdueshme e borxhit publik, i cili në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2012 arriti  801.2 miliardë lekë nga 751.3 miliardë lekë që ishte ai në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ose me një ritëm rritje prej mbi 6.6 %. Ndërsa rritja e borxhit publik me financim të huaj ka qenë akoma më e lartë ose rreth 10 %.

Këtu nuk është fjala thjesht se po kalohet niveli 60 % ndaj GDP, por në kushtet kur ai po shoqërohet me rënien e investimeve publike, private, nivele të ulta të kreditimit dhe kur likuiditet depozitat bankare nuk mungojnë, nuk është e largët që paaftësia për shlyerjen e borxhit të shpërthejë. Ja pse kërkohet një debat real për gjetjen e stimujve dhe masave reale për rivitalizimin e një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe me ritme të relativisht të larta. Ky debat dëmtohet seriozisht sa nga retorikat boshe apo mikluese aq edhe nga trajtesat e ngushta partiake të politizuara. Historia e krizës greke dëshmon se nuk mjafton ndërrimi i qeverive. Kryesorja është gjetja e alternativave reale që jo vetëm do të frenonin  qerthullin e treguesve ekonomike fiskale e financiare, por do të mundësonin një spirale zhvillimi të tyre. Vitin e ardhshëm, që është një vit elektoral, vështirësohet realisht gjetja e kësaj alternative por ndërkohë edhe dalja nga ky qerthull. Në se 100 vjet më parë rilindësit tanë do të dilnin me parullën të fitojmë kohën e humbur, nuk është rasti të biem në përsëritjen e saj ashtu si në vitet 1989-1990. Mund dhe realisht na duhet të fitojmë kohën e humbur për gjetjen e stimujve dhe ndërmarrjen e masave reale efikase për rritjen ekonomike. Debati i lirë, konstruktiv gjithëpërfshirës jashtë çdo retorike dhe politizimi është më i nevojshëm se kurrë.