Deficiti buxhetor arrin rekordin 590 milionë euro për 11-­mujorin, frenohen shpenzimet

165
Sigal

Rënia e të ardhurave nga kriza e shkaktuar në ekonomi nga Covid-19 dhe rritja e shpenzimeve për të neutralizuar efektet e kësaj krize dhe për rindërtimin pas tërmetit e kanë çuar deficitin buxhetor në rreth 73 miliardë lekë për janar-nëntor 2020, ose 590 milionë euro. Kjo është shuma që qeveria është detyruar të marrë borxh në këta 11 muaj për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia.

Ky është niveli më i lartë i deficitit buxhetor të raportuar, që nga viti 1993. Më herët, rekordi ishte vendosur në vitin 2009, që përkon me periudhën kur po ndërtohej rruga Durrës-Kukës. I lartë ishte deficiti edhe në 2013-n, periudhë e ndërrimit të pushteteve, që u shoqërua me rënie të të ardhurave buxhetore dhe krijim të detyrimeve të prapambetura. Për 11 muajt e këtij viti, në buxhetin e shtetit janë arkëtuar rreth 383 miliardë lekë, me një rënie prej 9.1% (-38 mld lekë) në krahasim me faktin e të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Shpenzimet totale ishin 455 miliardë lekë, me një rritje prej 5.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e shpenzimeve është ndikuar nga fondi i kontigjencës prej 12 miliardë lekë për paketën sociale anti-­Covid-19. (+24 miliardë lekë më shumë). Në rritje ishin edhe shpenzimet kapitale, që arritën në 83 miliardë lekë, me një rritje prej 15% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këtu futen dhe shpenzimet për tërmetin, që nuk jepen të detajuara në buxhet.

Shpenzimet për personelin kanë rënë me 0.5%. qeveria ka kursyer edhe nga interesat, shpenzimet për të cilat janë tkurrur me 2% me bazë vjetore për periudhën janar-nëntor, teksa normat e interesit janë në nivele minimale. Pavarësisht rritjes së shpenzimeve, ato janë në nivele më të ulëta sesa ishin parashikuar në buxhetin e rishikuar të miratuar në mes të këtij viti. Në raport me planin, janë realizuar vetëm 87% e shpenzimeve, çka ka bërë që edhe deficiti buxhetor të jetë gati 40% më i ulët sesa parashikimi. Kursimi më i madh është bërë për shpenzimet kapitale, të cilat janë realizuar vetëm 82% të planit të 11 mujorit, ose rreth 13 miliardë lekë më pak.

Shkurtimi i shpenzimeve ka qenë i pashmangshëm, për shkak se të ardhurat në buxhet kanë rënë më tepër sesa parashikimi dhe financat janë detyruar të ulin investimet për të ruajtur parametrat e deficitit. Të ardhurat për 11 mujorin janë tkurrur me 9.1% me bazë vjetore, nga -3% që parashikohej të reduktoheshin në pritshmëritë optimiste të buxhetit të rishikuar në mes të vitit.