Kryebashkiaku Erio Isai, zbulon arsyet pse Kolonja braktiset

1780
Sigal

Vajzat dhe djemtë e Ersekës: “Mos na lini të ikim!”

Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, zbulon arsyet pse Kolonja po braktiset
Nga Vepror Hasani

Rrethi i Kolonjës po braktiset prej banorëve të saj nga viti në vit, shtëpitë e fshatrave po mbeten shkretë, pa njerëz. E njëjta gjë po ndodh edhe me dy qytetet e vogla të saj, Ersekën dhe Leskovikun. Shpresa e vetme e Kolonjarëve mbetet emigracioni. Arsyet e ikjes janë të shumta, por izolimi i këtij rrethi për mungesë të infrastrukturës rrugore është arsyeja kryesore. Erseka dhe Leskoviku nuk lidhen dot me njëri-tjetrin pasi rruga aktuale është e amortizuar dhe e vështirë. Këto dy qytete nuk lidhen dot as me Korçën, sepse pjesa më e madhe e rrugës Ersekë-Korçë është po aq e vështirë sa ajo e Leskovikut. Kjo e vërtetë u bë e ditur edhe nga kryebashkiaku i Kolonjës Erion Isai, i cili pasi foli për përpjekjet që po bëhen për rinisjen e rikonstruksionit për pjesën e mbetur të rrugës Korçë-Erseke tha: “Kjo rrugë është shqetësimi ynë kryesor, sepse është investimi që i jep jetë agroturizmit kulturor dhe Kolonjës shpresë. Gjithashtu jam i bindur se që do të stoponte në mënyrë të menjëhershme braktisjen në masë, që Kolonjës i ka ndodhur dhe po i ndodh në këto vitet e fundit.” Kjo e vërtetë thuhet me zë të lartë nga çdo kolonjar, të cilët pohojnë, se tashmë Erseka dhe Leskoviku janë dy qytete të trishtuara. Pasqyra e këtij trishtimi në qytetin e Ersekës është sheshi në qendër të tij, i cili rri bosh nga mëngjesi deri në mbrëmje. Janë të paktë ata që sheh të kalojnë aty dhe shumë më pak të rinjtë. Këta të fundit po pakësohen nga viti në vit, ashtu siç rrallohen edhe pleqtë. Por të rinjtë detyrohen ta lënë Kolonjën për një jetë më të mirë, pasi ndihen të pashpresë dhe pa të ardhme. Të trishtuar ndihen djemtë, të trishtuara janë edhe vajzat. Studimet që kanë kryer nuk u vlejnë për asgjë. Punë nuk ka. E vetmja shpresë mbetet emigracioni, ashtu siç ndodhte me Kolonjën qëmoti, njëqind e ca vjet më parë. Aktualisht bashkisë së Kolonjës i kanë mbetur vetëm 6000 banorë rezidentë. Edhe më pak kanë për të mbetur pas disa vitesh. Asnjë shpresë nuk duket në horizont.

Rrugët nuk mund t’i ndërtojë dot bashkia e Kolonjës

Rrugët nuk mund t’i ndërtojë dot Bashkia sepse Kolonja është një bashki e vogël me të ardhura të pakta, ndërsa ndërtimi i rrugëve është përgjegjësi e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Nga kryebashkiaku Erion Isaj, u tha se mosvijimi i ndërtimit të rrugës u ndikua edhe nga tërmeti i 26 nëntorit, por në fakt ndërtimi i rrugës për pjesën e mbetur u premtua shumë kohë më parë. Inaugurimi i lotit të parë, Korçë-Ersekë, prej 17.6 km u bë në qershor të vitit 2019. Dy ministrat, Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali ditën e inaugurimit premtuan vazhdimin e punimeve edhe për dy lotet e tjera me qëllim përfundimin sa më shpejt të rrugës. Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri tha: “Ky është loti i parë; qeveria shqiptare në planin e saj ka edhe vazhdimin e dy loteve të tjera për përfundimin e rrugës deri në Ersekë me optimizimin e buxhetit edhe me përfundimin e të gjitha prokurimeve për këtë vit; sepse ne jemi duke i hapur të gjitha kantieret e reja gjatë këtij viti, besoj se vitin tjetër do të jetë e mundur dhe fillimi i lotit tjetër për Ersekë, gjë që do ta kompletojë edhe këtë pjesë kaq të rëndësishme të Shqipërisë. Programet e qeverisë shqiptare për infrastrukturën rrugore do të vazhdojnë, dhe ne atë që kemi thënë do ta bëjmë realitet, që në krye të katër viteve do të përfundojmë të gjitha kantieret e hapura, dhe do të mbyllim çdo vepër që po hapim tani, që Shqipëria të ketë një rrjet të vërtetë rrugor me të gjitha parametrat që duhen”.
Ndërsa ministrja Spiropali, në një takim me banorët e Kolonjës u bëri me dije se shumë shpejt do të fillonte ndërtimi i lotit të dytë Korçë –Ersekë, por në të vërtetë kjo gjë nuk ndodhi. Tashmë qarkullimi në këtë rrugë është bërë edhe më i vështirë edhe më pak i sigurt. Për këtë arsye banorët e qarkut Korçë, (jo vetëm të qyteteve që përfshin kjo rrugë: Korçë, Ersekë, Leskovik, por edhe banorët e fshatrave), që prisnin të kishin më shumë vizitorë dhe turistë me mbarimin e rrugës, mbetën tejet të zhgënjyer. Njëherazi u godit edhe shpresa e të rinjve

Të rinjtë: “Mos na lini të ikim!”

Këdo që mund të pyesësh në qytetin e Ersekës, djalë apo vajzë, përgjigjja është e njëjtë: “Do të largohemi nga Kolonja, nuk e përballojmë dot jetën. Do të shkojmë jashtë vendit”. Përgjigjja e tyre përmes një zëri të trishtuar të mbetet në mendje. Duket sikur të thonë: “Mos na lini të ikim”! Por kush mund ta bëjë këtë? As prindi nuk i thotë dot, mos shko, sepse e kupton ç’gjendje përjeton fëmija i vet. Ndaj detyrohet ta përcjellë mes lotëve, e t’i thotë: “Të qoftë udha e mbarë!” Në qytetin e Ersekës nuk gjen asnjë mundësi argëtimi, përveç kafeneve, dhe të rinjve të dëshpëruar që dalin të dehur nga lokalet. Dhe e vërteta është se ata po ikin. Po ikin të gjithë. Kjo nuk është hamendje, por e vërtetë trishtuese. Qyteti i Kolonjës do të mbetet gjithnjë e më i shkretë. Kënga “Kolonjë e bukur Kolonjë” do të këndohet gjithnjë me më shumë dëshpërim. Statistikat pranë Zyrës së Gjendjes Civile në Bashkinë e Kolonjës flasin për rënien e numrit të martesave, dhe kjo ndodh sepse djemtë dhe vajzat po ikin në vende të tjera të botës. Gjatë vitit 2016 u regjistruan 82 martesa, shumë më pak me martesat e viteve të shkuara, në viti 2017 vetëm 69 martesa, rënie pati edhe për vitin 2018. Në këto nivele qëndruan martesat edhe përgjatë vitit 2029. Pakësimi në vijimësi i martesave tregon se për ku është nisur dhe po shkon Kolonja, edhe pse përpjekjet e kryebashkiakut Erion Isai janë maksimale.